FIER- Hetimet për grabitjen e tokave në Seman nisën në 2025, kohë kur 72-vjeçari, Kastriot Hasko, paraqiti pranë Kadastrës së Fierit dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ai arriti të regjistrojë në bashkëpronësi me 4 persona të tjerë një sipërfaqe prej 1,143 hektarësh tokë në Seman dhe Sheq Marinas. Skema kriminale vazhdoi me tjetërsimin e pronës përmes një prokure të posaçme, gjithashtu të falsifikuar. Hasko, tashmë në rolin e “pronarit”, ua shiti këtë sipërfaqe 2 shoqërive të ndryshme. Prokuroria e Fierit bën të ditur se për të ndryshuar pronësinë e tokës së shtetit rol kyç patën ish-drejtorët e Kadastrës Ertis Shehu, Bardhyl Kapaj dhe juristi Piro Çela. Ata nuk kërkuan konfirmim nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, çka do të zbulonte menjëherë se dokumentet ishin të falsifikuara. Gjatë hetimit u zbulua se ish-drejtori Bardhyl Kapaj, në regjistrimin e njërës prej pasurive, tejkaloi edhe sipërfaqen që parashikonte vendimi i falsifikuar. LEXO EDHE:Plagosi babanë e ish-partneres, Gjykata e Fierit lë në burg dajën e deputetes së PS (VIDEO) Për më tepër, ish-drejtori Ertis Shehu dhe juristi ndryshuan zërin kadastral të sipërfaqes nga "tokë arë" në "tokë pa frut", pa asnjë akt administrativ nga Këshilli i Ministrave apo Këshilli i Qarkut Fier. Pas hetimeve që zgjatën më shumë se një vit, kërkesa e Prokurorisë mbërriti në Gjykatën e Fierit, e cila vendosi "arrest me burg" për Ertis Shehu, Bardhyl Kapaj, Piro Çela dhe Kastriot Hasko. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë dhe sekuestrimin e 76 pasurive me sipërfaqe 1,143 hektarë, si dhe 150 mijë eurove, u krye nga policitë e Fierit, Tiranës e Vlorës. Njoftimi i Plotë i Prokurorisë Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier u vendos masa e sigurimit personal ‘Arrëst në burg’ ndaj katër shtetasve Ertis Shehu, Bardh Kapaj në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç. specialistit, jurist, pranë ASHK dhe Kastriot Hasko, përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 186/2, 248 dhe 287, prg.2, të Kodit Penal. Po kështu, në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se: Shtetasi Kastriot Haskaj, duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë si dhe 150.000 Euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier. Më pas, ky shtetas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme. Shtetasit Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit Kastriot Haskaj, në kundërshtim me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 639, datë 16.10.2024, dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, duke mos kërkuar sipas këtyre akteve ligjore/nënligjore konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, verifikim nga i cili do të rezultonte se këto vendime janë të falsifikuara. Për më tepër, ka rezultuar se shtetasi Bardh Kapaj, ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë nr. 3**, zk 3358, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8*, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi Kastriot Haskaj edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi. Gjithashtu, shtetasit Ertis Shehu e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve Kastriot Haskaj, etj, nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier. Masat e sigurimit personal dhe pasuror u ekzekutuan nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 Tiranë, si dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. SI.E./Shqiptarja.com TAG: Bardhyl Kapaj ertis shehu Kastriot Hasko Fier kadastra e fierit Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.4 / 5 (7 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
16 Shtator, 14:18
Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.8% Të gabuar 89.1% Nuk e di 5.1% Vota total: 2057 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18 Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

