“Jam tepër i emocionuar. Kemi dalë mijëra herë në skenë, por emocionet që kam ndjerë sonte s’i kam ndjerë ndonjëherë.”, kështu u shpreh aktori Reshat Arbana gjatë marrjes së çmimit të karrierës dhënë mbrëmjen e djeshme në natën e parë të Festivalit Kombëtar të Filmit. Një natë me duartrokitje, emocione dhe emra që kanë shkruar historinë e kinemasë shqiptare ka qenë ajo e së enjtes, kur pas 14 vitesh mungesë, Festivali Kombëtar i Filmit u rikthye në Tiranë, duke bashkuar në të njëjtën skenë mjeshtrit e ekranit me kineastët e rinj. Mes tapetit të kuq dhe skenografisë së ngritur në Universitetin e Arteve, nata e parë solli një homazh për një brez që ndërtoi kinemanë shqiptare, por edhe një mesazh të qartë për të ardhmen e saj. LEXO edhe...Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, Gonxhja: Është një homazh për mjeshtrit që hodhën themelet “Brezi i ri nuk di asgjë për kinematografinë tonë dhe është detyra jonë t’i tregojmë që kemi një kinematografi me të cilën mund të krenohen.”, tha Ilir Butka, drejtor artistik i festivalit. “Ajo që ju shihni sot është vetëm maja e ajsbergut. Puna që është bërë prej pothuajse gjashtë muajsh është shumë më tepër. Për mua ka qenë një nder, një privilegj, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme.”, tha producentja e festivalit, Rafaela Rica. Në qendër të mbrëmjes ishin disa nga figurat ikonike të kinematografisë shqiptare, të vlerësuara me çmime karriere. Disa prej tyre i morën vetë trofetë, ndërsa për të tjerë çmimi u prit nga familjarët, në një natë ku mungesa e artistëve të ndarë nga jeta u ndje po aq sa prania e tyre. “Do doja që Dhimitrin ta kisha në krah këtë moment. Ky çmim është vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për të, për bashkëshortin tim, për bashkëpunëtorin tim në një jetë të gjatë.”, tha aktorja Roza Anagnosti. “Ky çmim është një vlerësim shumë i madh për Kristaqin dhe një nder për familjen tonë. E ndaj me të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe bashkëpunuan me të.”, tha gruaja e regjisorit Kristaq Mitro. Përballë kësaj trashëgimie, mesazhi i institucioneve ishte se rikthimi i festivalit duhet të shoqërohet edhe me një ndryshim të mënyrës se si mbështetet industria e filmit. “Shqipëria e meriton të ketë një kinema të denjë dhe sot është momenti i duhur. E kemi nisur këtë hap.”, tha kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji. “Ne sot nuk kthejmë vetëm një festival, por kthejmë një traditë. Duam të kemi një arkitekturë të re sa i takon industrisë kreative dhe kinemasë, në mënyrë që talentet e rinj të kenë mundësi më të mëdha dhe më të barabarta.”, tha ministri i kulturës, Blendi Gonxhja. Gonxhja nënvizoi gjithashtu nevojën për një mbështetje më të fortë financiare dhe institucionale për artin, kulturën dhe filmin, duke paralajmëruar ndryshime në ligjet që lidhen me sponsorizimin dhe industrinë krijuese. Pas nderimit të personaliteve me çmime karrierë, për të pranishmit u shfaq filmi i regjisorit Gjergj Xhuvani, “Liqeni im”. Për dhjetë ditë, festivali do të sjellë në disa salla të kryeqytetit filma artistikë, dokumentarë e të animuar, me synimin që publiku, veçanërisht brezi i ri, të njohë më nga afër trashëgiminë e kinemasë shqiptare. B.G/ReportTv.al Festivali Kombetar i Filmit Shqiptar Ilir Butka Rafaela Rica jonid jorgji Blendi Gonxhja roza anagnosti reshat arbana Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 75.7% Të gabuar 20.2% Nuk e di 4.1% Vota total: 2234 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?
