Lajme Zone
Ferit Hoxha i përgjigjet Djuric: Lumenjtë duhet të mbartin ujë, jo kërcënime
PolitikëEuronews Albania

Ferit Hoxha i përgjigjet Djuric: Lumenjtë duhet të mbartin ujë, jo kërcënime

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i është përgjigjur deklaratës së homologut serb, Marko Djuric, duke e zhvendosur debatin te nevoja për dialog, bashkëpunim dhe ruajtjen e paqes në rajon.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i është përgjigjur deklaratës së homologut serb, Marko Djuric, duke e zhvendosur debatin te nevoja për dialog, bashkëpunim dhe ruajtjen e paqes në rajon. Në reagimin e tij, Hoxha vlerëson tonin më të qetë të mesazhit të ministrit serb, ndërsa thekson se e ardhmja e rajonit nuk mund të ndërtohet përmes kërcënimeve dhe akuzave. “E vlerësoj tonin më të qetë të përmbylljes së mesazhit të Marko Djuric, sepse pikërisht aty qëndron e ardhmja e rajonit tonë: jo te kërcënimet dhe akuzat, por te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik”, shprehet Hoxha. Një pjesë e rëndësishme e reagimit lidhet me çështjen e ujit dhe lumit Ibër, që ishte pjesë e debatit. Hoxha thekson se uji nuk duhet të shndërrohet në mjet presioni mes vendeve. “Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon harta politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të një kufiri po rrjedh. Prandaj, kthimi i tij në një instrument ndëshkimi nuk është thjesht çështje e dikujt tjetër”, deklaron ministri. Hoxha pranon se Ibri nuk kalon nëpër territorin e Shqipërisë, por argumenton se Tirana do të reagonte edhe nëse një kërcënim i ngjashëm do të drejtohej ndaj Serbisë. “Pra, po, Ibri nuk rrjedh nëpër Shqipëri. Por nëse nesër dikush do të kërcënonte ta privonte Serbinë nga uji që rrjedh përmes territorit të tij, Shqipëria do të reagonte po aq fuqishëm”, thotë ai. Sipas Hoxhës, arsyeja është më e gjerë se interesi i drejtpërdrejtë i një vendi. “Një kërcënim i tillë do të helmonte bashkëjetesën paqësore të kësaj lagjeje që të gjithë e ndajmë”, thekson ministri. Duke përdorur metaforën e fqinjësisë, Hoxha apelon për më shumë solidaritet dhe më pak llogari të ngushta politike. “Për këtë janë fqinjët, apo jo? Jo për të llogaritur nëse uji arrin te rubineti i tyre përpara se të vendosin nëse u intereson, por për t’u interesuar përpara se llogaritje të tilla të fillojnë të përcaktojnë lagjen ku jetojmë”, shprehet ai. Në fund të reagimit, ministri shqiptar propozon që debati të largohet nga retorika e kërcënimeve dhe të fokusohet te bashkëpunimi europian. “Lumenjtë duhet të mbartin ujë, jo kërcënime, dhe kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, deklaron Hoxha. Ai nënvizon gjithashtu se Shqipëria mbetet e interesuar për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria mbetet e interesuar vetëm për një: një Bashkim Europian më të madh, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit tonë”, thotë ministri. Hoxha e mbyll mesazhin me një tjetër apel për afrimin europian të rajonit: “Le të vazhdojmë me më shumë Europë, më pak mitologji dhe më shumë arsye për ta parë të kaluarën tonë përmes syve të së ardhmes, në vend që ta shohim të ardhmen tonë përmes syve të së kaluarës.” “Dhe, po, ujë për të gjithë. Për ta pirë në paqe dhe për të ujitur, po aq paqësisht, tokat pjellore të lagjes sonë të përbashkët e të bukur”, përfn Hoxha.