Florin LataPas rezultateve të PISA-s, bashkë me shqetësimin nisi edhe tallja. U shpërndanë pyetje të cilat dukeshin të lehta; u bënë shaka me përgjigjet dhe nxënësit tanë u kthyen në objekt përqeshjeje. Fëmijët tanë nuk janë budallenj.Nëse shumë prej tyre e kanë të vështirë ta kuptojnë një tekst, ta përdorin matematikën në një situatë të zakonshme apo ta zbatojnë atë që kanë mësuar, përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm atyre. Sistemin nuk e kanë ndërtuar fëmijët. Ne ua kemi ndërtuar.Nuk jam ekspert i arsimit. Jam prind dhe qytetar. Disa gjëra shihen edhe pa qenë specialist.Ne si prindër kemi ambicie të mëdha për fëmijët tanë. Duam të shkollohen, të kenë profesion, të jetojnë më mirë se ne. Punojmë shumë për t’ua krijuar kushtet që vetë ndoshta nuk i kemi pasur.Por, shpesh kushtet i kuptojmë si gjëra që mund të blihen.Dëgjon prindin të thotë se fëmijës ia ka plotësuar të gjitha. Ka dhomën e vet, libra, kompjuter, tablet, telefon, kurse. Kur e pyet sa kohë kalon me të, a e di çfarë po mëson, ku po ngec dhe kur është ulur për herë të fundit të punojë bashkë me të, përgjigjja ndryshon.Edhe unë e gjej veten në këtë kritikë. Është shumë më e lehtë t’i blesh fëmijës diçka sesa t’ia japësh kohën tënde. Edhe unë e kam lënë me telefon, sepse ka qenë më e lehtë se të ulem me të.Në përpjekje për t’i rritur ndryshe nga si jemi rritur ne, nganjëherë kemi kaluar edhe në skajin tjetër. U japim shumë liri në një moshë kur ende kanë nevojë për kufij, drejtim dhe kërkesë. Fëmija nuk mund ta ketë lirinë e të rriturit pa përgjegjësinë e të rriturit. Prindi nuk është vetëm ai që krijon kushte. Është edhe ai që vendos kufij, kërkon përpjekje dhe, kur duhet, thotë jo. Nëse kemi ambicie për fëmijët tanë, nuk mjafton t’ua blejmë mjetet. Duhet të presim diçka edhe prej tyre.Por, përgjegjësia nuk mbaron në shtëpi.Për vite me radhë e kemi ulur figurën e mësimdhënësit. E kemi përqeshur profesionin, e kemi politizuar punësimin dhe kemi folur për mësimdhënësit sikur të ishin pjesë e problemit që duhet duruar. Tash, pas PISA-s, kemi filluar të përqeshim edhe nxënësit.Mësimdhënësi duhet ta ketë autoritetin që i takon. Por, respekti për profesionin nuk do të thotë të mos kërkojmë cilësi. Mësimdhënësi i mirë duhet të vlerësohet, ndërsa prej atij që nuk e bën punën duhet të kërkohet përgjegjësi.Një mik imi kishte ndihmuar që një shkollë profesionale të pajisej me laborator. Pajisjet ishin sjellë nga Gjermania, ndërsa kompania e tij kishte filluar t’i merrte nxënësit në praktikë.Më vonë kuptoi se laboratori po rrinte i mbyllur. Kur reagoi, përgjigjja e shkollës ishte afërsisht kjo: “E kemi inventarizuar. Këtu i kemi pajisjet”.Nëse ambicia ishte të kishim laborator, puna ishte kryer. Pajisjet ishin aty dhe figuronin në inventar.Nëse ambicia ishte që nxënësi të mësonte profesionin, laboratori i mbyllur ishte dështim.Ky dallim thotë shumë për mënyrën si e masim arsimin. Dimë të numërojmë shkolla, laboratorë, kompjuterë, diploma dhe investime. Por, arsimi nuk bëhet për inventar. Bëhet për nxënësin që duhet të dalë nga shkolla duke ditur të bëjë diçka që nuk dinte kur hyri. Pikërisht për këtë duhet të na shqetësojë PISA. Jo pse na vendos keq në një renditje dhe aq më pak sepse na jep të drejtë të tallemi me një pesëmbëdhjetëvjeçar. Duhet të na shqetësojë sepse tregon se ajo që po marrim nga shkolla është më pak se ajo që duhet të kërkojmë prej saj.Për vite kemi pasur shumë ambicie për shkollim dhe tituj. Tash na duhet më shumë ambicie për dije.Na duhen të rinj që e kuptojnë atë që lexojnë, që dinë të mendojnë, të zgjidhin probleme, të mësojnë një profesion dhe ta përdorin dijen. Një ekonomi më e fortë, një administratë më e mirë, një gjykatë më profesionale, një kompani më konkurruese apo një industri e re nuk ndërtohen vetëm me para. Ndërtohen me njerëz që dinë.Por, para se t’u kërkojmë fëmijëve ta marrin seriozisht dijen, duhet të shohim edhe çfarë po u tregojmë se ia vlen të synojnë.U themi të mësojnë, ndërsa ata shohin se jo gjithmonë përparon më i afti. Shohin njerëz që ecin më shpejt me lidhje sesa me dije. Shohin famë pa ndonjë arritje. Shohin se nganjëherë admirohet më shumë ai që ka bërë para sesa ai që di diçka. Edhe në shtëpi shpesh e pyesim fëmijën çfarë note ka marrë para se ta pyesim çfarë ka mësuar.Fëmijët i shohin këto më mirë sesa mendojmë.Ambicia e tyre ndërtohet edhe nga ajo që shohin se vlerësohet përreth tyre. Nëse duam që një i ri të investojë vite në dije, duhet t’i japim arsye të besojë se dija dhe aftësia kanë peshë në këtë vend. Këtu pyetja nuk është më vetëm për PISA-n. As vetëm për shkollën.Po Kosova, çfarë ambicie ka për fëmijët e saj?Nëse ambicia jonë është që fëmija ta kalojë klasën, ta marrë diplomën dhe shkolla ta ketë laboratorin në inventar, mund të vazhdojmë kështu.Nëse duam një Kosovë me ekonomi më të fortë, ndërmarrje që konkurrojnë, industri, teknologji dhe institucione që e dinë punën, atëherë duhet të kërkojmë më shumë nga arsimi.Jo vetëm më shumë para, objekte dhe pajisje. Duhet të kërkojmë që fëmija të mësojë.PISA nuk është arsye për t’i bulizuar fëmijët tanë. Është arsye për ta ngritur ambicien tonë për shkollën, për dijen dhe për atë që presim prej tyre.Sepse, Kosova e pas njëzet vjetëve sot është ulur në bankat e shkollës.

