Shumë shkolla fillore në Shtetet e Bashkuara po ndalojnë përdorimin e telefonave, me shpresën se klasat më të qeta do të përmirësojnë aftësinë e fëmijëve për të lexuar. Por një studim i ri sugjeron se problemi nuk lidhet domosdoshmërisht me praninë e telefonit në klasë. Psikologë nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxheles (UCLA) studiuan 106 nxënës të klasës së tretë dhe të gjashtë në shkolla dhe kisha të qarkut Los Anxheles. Ata zbuluan se fëmijët që zotëronin një telefon celular kishin rezultate më të dobëta në testet e të kuptuarit të leximit, edhe nëse telefoni nuk ishte pranë tyre gjatë testimit.Lexo edhe:Vendi nën ndikimin e masave ajrore të nxehta! Parashikimi i motit për sot, e diel 2 gusht Në mesin e nxënësve të klasës së tretë, 46% kishin telefon personal, ndërsa te nxënësit e klasës së gjashtë kjo shifër arrinte në 70%. Këto përqindje janë më të larta se mesatarja kombëtare e regjistruar në vitin 2021. Për të parë nëse vetë prania e telefonit ndikon në përqendrim, studiuesit u kërkuan fëmijëve që kishin sjellë telefonin në shkollë të kryenin dy herë të njëjtin test leximi. Një herë telefoni ishte mbi bankë, i ndezur dhe me ekranin lart, ndërsa herën tjetër mbahej nga studiuesit jashtë fushës së shikimit. Rezultatet ishin pothuajse të njëjta: fëmijët arritën 89% përgjigje të sakta kur telefoni ishte pranë tyre dhe 87% kur nuk ishte. Edhe krahasimi mes fëmijëve që kishin sjellë telefon në shkollë dhe atyre që nuk kishin tregoi rezultate të ngjashme. "Kjo tregon se nuk është prania e menjëhershme e telefonit ajo që lidhet me rezultatet më të dobëta, por vetë fakti që fëmija zotëron një telefon," tha autorja kryesore e studimit, Patricia Greenfield, profesoreshë e psikologjisë në UCLA. Studiuesit theksojnë se ky është një studim që tregon lidhje statistikore dhe jo shkakësi. Me fjalë të tjera, ai nuk provon se telefoni shkakton rënie të aftësisë në lexim, megjithëse vëren se posedimi i telefonit i parapriu rezultateve më të ulëta. Një tjetër zbulim interesant ishte se nxënësit e klasës së gjashtë nga familje ku në shtëpi flitet arabisht ose spanjisht kishin rezultate më të mira në lexim nëse kishin filluar të dërgonin mesazhe që në moshë më të vogël. Sipas studiuesve, kjo mund të lidhet me faktin se përdorimi i telefonit i ndihmon këta fëmijë të praktikojnë më shumë gjuhën angleze. Studiuesit pranojnë se eksperimenti kishte kufizime. Gjatë testit pothuajse asnjë telefon nuk mori njoftime, ndaj nuk ishte e mundur të vlerësohej nëse sinjalizimet e vazhdueshme e shpërqendrojnë vërtet vëmendjen. Gjithashtu, marrja e telefonit mund të ketë shkaktuar ankth te disa fëmijë, gjë që mund të ketë ndikuar në rezultatet. Ekipi planifikon tani të studiojë nxënës të shkollës së mesme, të cilët marrin shumë më tepër njoftime në telefon. Ata besojnë se kufizimi i telefonave mund të ketë përfitime më të mëdha për marrëdhëniet sociale mes nxënësve sesa për përmirësimin e drejtpërdrejtë të rezultateve në lexim. / Earth – Syri.net

