Koloreto Cukali
1. Në masën e videove ku policët me skafandra ndjekin gjimnazistët si lepuj duke i goditur me shkopinj gome, zakonisht 4-5 policë me shkopinj, dhe një gjimnazist me çantë shpine, më doli një video paqësore: në një moment pushimi, polici që merr bukën nga familjarët.
Pra, ‘policët janë njerëz, si ne’, madje të ndjeshëm e familjarë, nënkuptonte mesazhi i publikuar në mediat e qeverisë. Për një moment u preka. Një baba, një grua dhe një fëmijë. Fëmija e përqafon. Gruaja i jep bukën, kështuqë ai të mos ketë nevojë të vjedhë molto në dyqanet e thyera.
Pastaj, pasi mbaron pushimi, polici vë skafandrën dhe niset për luftë. Do të punojë edhe sot jashtë orarit.
Puna e tij: të mbysë në dru, fëmijët e të tjerëve.
Video të tjera, me policë me skafandra duke u lënë trauma të pashlyeshme dhune adoleshentëve e të rinjve, kalojnë njëra pas tjetrës, dhe policët me skafandra – e kemi të pamundur të kuptojmë nëse polici-prind është mes tyre – më japin një pasqyrë të qartë se çfarë do të thotë të jesh polic me uniformë. Është gjuha e tyre e trupit, janë aktet e tyre të lexueshme, në mes të ditës, që krijojnë një portret interesant policin-prind gjakatar. Një burrë që e do shumë fëmijën e vet, por, me të rënë bilbili, vë skafandrën dhe sulet për të thyer kockat e djalit të dikujt tjetër i atij që djeg koshat e thyen xhamat. Përballë, kemi 2 qytetarë të frustruar: një djalë të ri dhe një polic të ri.
I pari ka vite që sheh sesi dhunohet e shkelet me këmbë dinjiteti, e deri dhe qenia humane e prindit të vet. Në shtëpi dëgjon vetëm biseda: s’na dalin lekët, s’blejmë dot këtë e atë. Edhe kur merr një diplomë, nuk ka shpresë të ngrejë kurrë një fole familjare, e aq më pak të ketë një punë të kënaqshme e një jetë dinjitoze. Dëgjon që Shqipëria është teorikisht e të gjithëve, por në praktikë e vetëm disave; bombardohet nga sukseset në jetë të patronazhistëve, kriminelëve e bundrrave; dhe sheh që për të ka vetëm 2 rrugë – të shkojë në Londër për shtëpi bari ose të bëhet si babai i vet: i papaguar, i përulur e i shkelur me këmbë. Dhe shpërthen si një tenxhere me presion, për t’iu referuar av. Matlisë.
Ndaj del e djeg, thyen e shkatërron me një mllef të verbër, sepse nuk ka një grusht të fuqishëm t’i bjerë në zemër njeriut-beton. Ai dhe entourazhi i vet, ndaj të cilëve drejtohet mllefi i tij, janë fshehur diku, dhe përpara nxjerrin njeriun me uniformë.
Njeriu me uniformë është gjithashtu i frustruar. E para, është i pangrënë e i lodhur. Ai ka një rrogë të garantuar, por edhe ai nuk blen dot shtëpi; edhe ai nuk merr asnjë shërbim të denjë, në arsim a shëndetësi; edhe gruas së tij i rrudhet dora teksa kalon para perimeve e frutave e duhet të zgjedhë jo çfarë të blejë për fëmijën, por se çfarë të mos i japë fëmijës për të ngrënë se s’dalin lekët. Ai e di se shefat e tij hanë e pinë me krimin; është i detyruar t’u serviloset për të mbajtur vendin e punës e ndoshta dhe të bëjë punë të pista për ta, po për të njëjtën arsye. Ai e kupton që punon në një institucion të kapur nga krimi, dhe ka 2 rrugë: të konformohet e të bëjë si të tjerët, ose të ulë kokën e të bëjë sikur nuk sheh. Edhe ai, është një tenxhere që pret të shpërthejë. Dhe ja ku ia japin mundësinë të shfryjë: shko e bjeru atyre këlyshëve!
Nuk është e vështirë të lexosh profilin e një polici me skafandër. Mund të jetë i fortë e i palestruar, por është i patrajnuar. Nuk ka sens mase. I arsimuar keq – aq sa mund të mos e perceptojë dot se fajin për arsimimin e tij të mangët e ka po ai burri në vilë betoni dhe enturazhi i krimit, eunukëve e bundrrave të veta – ai sheh vetëm një armik: këtë spurdhjakun përballë. Ndoshta, është i mprehtë, me zgjuarsi rruge dhe e kupton kush e ka fajin. Por, ka nevojë të shfryjë. Do të donte dhe ai t’i binte me grusht atij “malit”, por, nuk ka më kollaj se t’i biesh dikujt më të dobët se ty. Që ka, të njëjtat halle si ty. Por, ti do vetëm të shfrysh lodhjen, faktin që je larg familjes, stresin, hallet, gjithçka, mbi kockat e këtij gjimnazisti që vjen nga klasat e ftohta e pa xhama, ku mësim japin patronazhistët.
Mund të themi që po bën detyrën. Po, cila është kjo detyrë? Dhe, kur e kanë marrë në punë, si ia kanë shpjeguar masën e dhunës që mund të ushtrojë?
Dhe, përtej shkopit, a ka dhe tru? A arrin të analizojë që këto protesta kërkojnë të përmirësojnë dhe të ardhmen e fëmijës së tij? Apo është thjesht makineri dhune?
Le të mos gënjejmë veten.
Studenti i frustruar shfryn dhunë kur sheh uniformën e policit, sepse atë identifikon me shtetin e dhunës. Polici i frustruar shfryn dhunë, sepse gjen dikë më të dobët e që nuk kthen dorë. Po ktheu dorë? Një arsye më shumë për t’ia thyer brinjët.
Njeriu me skafandër e shkop gome, edhe pse mund të ketë familje e fëmijë, ka vetëm një profil psikologjik: i frustruar dhe gjakatar.
Po.
Po!
Brenda një njeriu të vetëm mund të qëndrojnë të dyja: baba në shtëpi, gjakatar në punë.
Në majën e një kubi betoni, ndërsa shembnin Teatrin Kombëtar – mbase mes këtyre të sotmëve mund të ketë nga ata policë që na kanë rrahur edhe atëherë – një polic i vjetër, pa skafandër, pra, jo polic i trajnuar për të rrahur (ndoshta roje institucionesh) e që kishte moshën dhe sytë e babait tim m’u lut që të zbrisja. Besoj ma lexoi dëshpërimin, vuajtjen që kisha brenda dhe nevojën time për të reaguar dhunshëm, teksa shihja fadromat që po shembnin një simbol për mua të rëndësishëm dhe m’u lut të zbrisja. M’U LUT. Edhe pse kishte marrë urdhër për të më rrahur. Sytë m’u zbutën, dhe nuk ia ktheva fjalën. Zbrita nga kubi i betonit dhe u largova jashtë perimetrit. Pas 5 minutash, aty mësynë civilë pa uniformë e policë me skafandra dhe gjakosën këdo që gjetën. Unë, kisha shpëtuar. Nga një polic. Po, policët janë njerëz. Po, policët mund të kishin sytë e babës. Dhe, një polic që sillet si babë dhe me fëmijët e të tjerëve, nuk të vret.
Thojani këtë, policit të videos së nxjerrë nga televizioni i qeverisë, se mbase nuk ka kohë të më lexojë.
Le të na tregojë nëse është vërtet baba apo gjakatar.
Që fëmija i tij të mos bëhet gjakatar si babai e shokët e tij. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

