Edi Rama Një studim i hartuar për Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian e rendit Shqipërinë ndër dy vendet më të avancuara drejt BE-së, por evidenton probleme me përqendrimin e pushtetit, pavarësinë e medias, ndikimin politik mbi institucionet dhe korrupsionin. Edi Rama ka përfituar nga përshpejtimi i negociatave, ndërsa reformat institucionale nuk kanë prodhuar ende të njëjtin përparim në funksionimin e demokracisë... Një studim i ri, i përgatitur për Parlamentin Europian dhe i publikuar në nëntor 2026, sjell një vlerësim që nuk përputhet plotësisht me mënyrën se si Edi Rama e paraqet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dokumenti me titull “Sustaining EU enlargement: Lessons from Albania and Montenegro, the Western Balkans’ frontrunners”, i hartuar nga Matteo Bonomi, Nikoleta Djukanoviç, Gentian Elezi dhe Danijela Jacimoviç, analizon ecurinë e dy vendeve që udhëheqin aktualisht negociatat e anëtarësimit.
Studimi njeh përparimin e Shqipërisë, por evidenton një kontradiktë të rëndësishme: vendi ka avancuar me përafrimin e legjislacionit dhe hapjen e mbylljen e kapitujve, ndërkohë që institucionet demokratike, administrata publike dhe mekanizmat e kontrollit të pushtetit vazhdojnë të shfaqin probleme strukturore.
Pikërisht këtu qëndron edhe çështja politike që ngre dokumenti. Shqipëria po ecën drejt Bashkimit Europian në aspektin formal, por ritmi i negociatave nuk përputhet domosdoshmërisht me cilësinë e qeverisjes.
Studimi nënvizon se qeverisjet e njëpasnjëshme socialiste, që prej fillimit të dekadës së kaluar, kanë krijuar një dinamikë dominimi politik, e cila ka ngritur shqetësime për ekuilibrin mes pushteteve, pavarësinë e medias dhe cilësinë e konkurrencës demokratike.
Ky konstatim prek drejtpërdrejt modelin e qeverisjes së Edi Ramës. Sepse, ndërsa kryeministri e përdor avancimin e negociatave si argument për suksesin e qeverisë, studimi evidenton se ndryshimet ligjore nuk kanë sjellë ende konsolidimin përkatës demokratik.
Në këtë kuptim, dokumenti nuk vë në dyshim orientimin europian të Shqipërisë, por ngre pikëpyetje mbi aftësinë e sistemit politik për t'i kthyer reformat në institucione që funksionojnë realisht dhe në mënyrë të pavarur.
Një nga pjesët më të rëndësishme të studimit lidhet me reformën në drejtësi dhe veprimtarinë e SPAK-ut.
Studimi vlerëson procesin e vettingut, të nisur me reformën kushtetuese të vitit 2016, si një ndërhyrje të paprecedentë në sistemin gjyqësor të vendeve kandidate. Ata evidentojnë gjithashtu se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë krijuar një bilanc në rritje të procedimeve për korrupsion në nivele të larta.
Studimi i referohet raportit të Komisionit Europian për vitin 2025, i cili njeh pavarësinë institucionale të SPAK-ut dhe përparimin në ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë dhe personave me ekspozim politik.
Por ky studim, I përgatitur për Parlamentin Europian, bën një dallim thelbësor mes hetimeve dhe rezultateve përfundimtare të drejtësisë. Sipas tyre, dënimet në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë kërkojnë ende konsolidim, ndërsa mbeten probleme me rikuperimin e pasurive dhe integritetin e administratës.
Kjo do të thotë se përparimi i SPAK-ut nuk mund të përdoret automatikisht si provë se i gjithë sistemi shtetëror ka ndryshuar. Madje, dokumenti evidenton shqetësime për ndikimin politik mbi strukturat e zbatimit të ligjit jashtë SPAK-ut, duke treguar se pavarësia e një institucioni nuk është shtrirë në të gjithë administratën dhe mekanizmat e kontrollit.
Këtu shfaqet edhe paradoksi i qeverisjes së Ramës. Reforma në drejtësi, që kryeministri e paraqet si një prej arritjeve të mazhorancës, ka krijuar institucione që hetojnë korrupsionin e nivelit të lartë, ndërsa sistemi politik dhe administrativ vazhdon të mbartë dobësitë që këto institucione duhet të luftojnë.
Studimi ndalet posaçërisht te administrata publike, ku evidenton politizimin e shërbimit civil, qarkullimin e lartë të personelit dhe zbatimin e paqëndrueshëm të parimit të meritës. Edhe pse Shqipëria ka ndërmarrë ndryshime ligjore për shërbimin civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, studimi konstaton se këto ndërhyrje nuk kanë prodhuar përmirësim sistemik.
Raporti i Komisionit Europian për vitin 2025, të cilit i referohet studimi, e vlerëson Shqipërinë vetëm në një nivel mesatar përgatitjeje në këtë fushë dhe kërkon kufizimin e diskrecionit politik në emërimet e drejtuesve të lartë.
Pra, problemi nuk lidhet vetëm me miratimin e ligjeve, por me mënyrën se si pushteti i zbaton ato. Një administratë që vazhdon të ndikohet nga vendimmarrja politike nuk mund të garantojë të njëjtin standard institucional që kërkon anëtarësimi në BE.
Një tjetër element që studimi evidenton lidhet me treguesit ndërkombëtarë të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Në këtë aspect studimi i referohet vlerësimeve të Freedom House, Bertelsmann Transformation Index, V-Dem, Transparency International dhe Bankës Botërore. Këta tregues identifikojnë probleme me pavarësinë e gjyqësorit, pluralizmin politik, lirinë e medias dhe kontrollin e korrupsionit.
Sipas studimit, Shqipëria ka bërë përparim në disa prej këtyre fushave, por ndryshimet formale institucionale nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm si konsolidimi demokratik.
Ky dallim ka rëndësi për mënyrën se si duhet lexuar ecuria e negociatave. Edi Rama mund të paraqesë hapjen e gjashtë grupkapitujve gjatë viteve 2024 dhe 2025 dhe mbylljen provizore të tre kapitujve në korrik 2026 si rezultate të qeverisjes së tij. Por këto rezultate nuk provojnë se Shqipëria ka përmbushur standardet e funksionimit demokratik.
Madje, në studim theksohet se faza e ardhshme e negociatave do të kërkojë rezultate të qëndrueshme në zbatimin e reformave, jo vetëm përafrimin e legjislacionit me atë europian.
Një rast konkret që studimi trajton është ai i protestave për projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, gjatë verës së vitit 2026.
Në studim kjo përshkruhet si një konflikt që nisi nga mungesa e transparencës, shqetësimet për standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës shtetërore, por që më pas mori përmasa më të gjera politike.
Studimi citon edhe një ekspert europian, i cili i lidh protestat me problemet e përqendrimit të pushtetit rreth kryeministrit Edi Rama.
Rasti i Zvërnecit ka rëndësi sepse tregon se procesi i integrimit nuk kufizohet te negociatat mes qeverisë dhe Brukselit. Ai përfshin edhe mënyrën se si qeveria merr vendime për territorin, pronën publike, mjedisin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.
Në rezolutën e 17 qershorit 2026, Parlamenti Europian kërkoi vendosjen e një moratoriumi për procedurat e reja të lejeve të lidhura me projektin, deri në garantimin e përputhshmërisë me legjislacionin europian. Ai kërkoi gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat lejojnë projekte të kësaj natyre.
Pra, ndërsa Qeveria shqiptare negocion me BE-në për standardet europiane, institucionet europiane kanë ngritur shqetësime për vendime konkrete që vetë qeveria merr brenda vendit. Studimi evidenton gjithashtu përqendrimin e pronësisë së mediave, vështirësitë financiare të organizatave të shoqërisë civile dhe kufizimet që ndesh herë pas here gazetaria investigative.
Këto probleme lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e demokracisë, sepse një sistem ku pushteti politik nuk përballet me kontroll të mjaftueshëm publik dhe institucional nuk mund ta konsiderojë përafrimin ligjor si provë të konsolidimit demokratik.
Megjithatë, studimi nuk e paraqet Shqipërinë si një vend që ka ngecur në procesin e integrimit. Përkundrazi, ata e renditin së bashku me Malin e Zi në krye të vendeve kandidate dhe vlerësojnë angazhimin e saj në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.
Studimi thekson se Shqipëria ka ruajtur përputhshmëri të lartë me qëndrimet e BE-së, përfshirë masat kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Një tjetër avantazh është mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin, e cila, sipas të dhënave që citojnë autorët, ka qëndruar në nivele shumë të larta, shpesh mbi 80 deri në 90 për qind.
Por kjo mbështetje nuk përbën një mandat personal për Edi Ramën. Orientimi europian i Shqipërisë ka ekzistuar përpara ardhjes së tij në pushtet dhe ka gëzuar mbështetje ndërpartiake.
Vetë studimi e vendos fillimin e procesit në vitin 1999, marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në vitin 2006, aplikimin për anëtarësim në vitin 2009 dhe marrjen e statusit kandidat në vitin 2014.
Për këtë arsye, avancimi i negociatave nuk mund të trajtohet vetëm si rezultat i një qeverie. Ai lidhet edhe me ndryshimin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian pas agresionit rus kundër Ukrainës në vitin 2022.
Në studim theksohet se rikthimi i zgjerimit në axhendën strategjike europiane ka krijuar kushte të reja politike për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Edhe objektivi i Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 duhet lexuar në këtë kontekst. Ai është një objektiv politik, jo një datë e garantuar anëtarësimi.
Për më tepër, mbyllja e negociatave nuk nënkupton hyrjen automatike në Bashkimin Europian. Pas saj duhet të përfjë traktati i anëtarësimit dhe të zhvillohet procesi i miratimit dhe ratifikimit nga shtetet anëtare.
Studimi evidenton edhe një problem tjetër që lidhet me përfitimet ekonomike të integrimit.
Sipas të dhënave të tij, Shqipëria kishte përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe kishte përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga një shumë potenciale prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.
Në studim vlerësohet se këto instrumente ndihmojnë zhvillimin ekonomik, por nuk kanë përmasa të mjaftueshme financiare për të kapërcyer diferencën strukturore mes ekonomisë shqiptare dhe vendeve anëtare të BE-së.
Ata evidentojnë gjithashtu se rritja ekonomike e Shqipërisë, e mbështetur nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja, nuk i ka zgjidhur problemet strukturore që vazhdojnë të ushqejnë emigracionin.
Kjo është një tjetër pikë ku analiza ndryshon nga leximi kryesisht politik që qeveria i bën procesit të integrimit. Përfitimet nga tregu europian dhe fondet e Brukselit kanë rëndësi, por nuk zëvendësojnë reformat që duhet të garantojnë funksionimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Në përfundim, studimi arrin në një konkluzion që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe vetë Bashkimin Europian. Pengesat e ardhshme të zgjerimit nuk janë më vetëm teknike. Ato lidhen gjithnjë e më shumë me vendimet politike, kapacitetin institucional dhe gatishmërinë e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë se mbyllja e kapitujve nuk mjafton. Qeveria duhet të provojë se institucionet zbatojnë ligjin, se administrata funksionon mbi bazën e meritës, se drejtësia ruan pavarësinë dhe se mekanizmat demokratikë kontrollojnë realisht pushtetin.
Edi Rama ka arsye ta konsiderojë përshpejtimin e negociatave si një rezultat politik të qeverisë së tij. Por studimi i hartuar për Parlamentin Europian tregon se ky rezultat bashkëjeton me probleme të pazgjidhura të sistemit që ai drejton prej vitit 2013.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi mes suksesit në negociata dhe suksesit në ndërtimin e një shteti europian. Shqipëria ka avancuar në të parin, ndërsa për të dytin studimi vazhdon të evidentojë mangësi konkrete. /Pamfleti/ brukseli rama qeveria demokracia Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Nga ndihma ekonomike te 21 milionë euro tenderë: Pse e thirri SPAK-u deputeten socialiste Sara Mila 13 Nëntor 2026, 16:3716:37Politike Jo vetëm gjoba, por edhe heqje mandatesh/ Çfarë fshihet në draftin e PD-së për reformën zgjedhore? 13 Nëntor 2026, 15:1715:17Politike Koçeku, Kapri dhe Kedhi takim në ambasadën e SHBA, çfarë sinjalesh po dërgon Uashingtoni? 13 Nëntor 2026, 14:5114:51Politike Arkitektët e kaosit: Kush po e kthen frikën në armën më të rrezikshme kundër Evropës? 13 Nëntor 2026, 13:4713:47Politike Ambasadori Wendt takim me studentët: Do ndërtojnë të ardhmen e Shqipërisë të frymëzuar nga SHBA 13 Nëntor 2026, 13:2013:20Politike Qeveria ndryshon ekipin negociator me BE-në, emrat që marrin përgjegjësinë për kapitujt e integrimit 13 Nëntor 2026, 12:5712:57Politike

