Lajme Zone
Fatmir Xhafaj thërret në komision banorët e “Arlis”, a po pastrohet figura e Armand Lilos?
PolitikëJOQ Albania

Fatmir Xhafaj thërret në komision banorët e “Arlis”, a po pastrohet figura e Armand Lilos?

Komisioni Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj, ka pranuar të shqyrtojë peticionin e banorëve të kompleksit të pallateve të ndërtuara nga kompania “Arlis Ndërtim” te Farmacia 10, pas zjarrit që shkrumboi njërën nga kullat katër muaj më parë.

Komisioni Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj, ka pranuar të shqyrtojë peticionin e banorëve të kompleksit të pallateve të ndërtuara nga kompania “Arlis Ndërtim” te Farmacia 10, pas zjarrit që shkrumboi njërën nga kullat katër muaj më parë.

Banorët e ftuar për një dëgjesë në komision kërkojnë ndërhyrje urgjente jo vetëm për godinën e dëmtuar, por edhe për 6 kullat e tjera të kompleksit. Sipas tyre, në të gjitha ndërtesat është përdorur i njëjti material rrezikshëm fasade si në kullën nr. 5, e cila u përfshi tërësisht nga flakët duke lënë dhjetëra familje në qiell të hapur.

Pasiguria e banorëve dhe premtimet e ndërtuesit

Ndërsa punimet për rindërtimin e fasadës së dëmtuar kanë nisur në korrik me vendosjen e skelave, banorët ende nuk kanë një datë se kur do të rikthehen në banesat e tyre dhe po jetojnë me qira.

"Nuk kemi ende një datë për dëgjesën. Por do t’i shprehim shqetësimet tona," u shpreh një nga banorët, duke nëvizuar se institucionet e tjera shtetërore nuk kanë reaguar ndaj kërkesës së tyre për ndërrimin e plotë të fasadave në të gjithë kompleksin.

Nga ana tjetër, kompania “Arlis Ndërtim”, me pronar biznesmenin Armand Lilo, ka deklaruar publikisht se do të mbulojë me shpenzimet e veta rindërtimin e plotë të fasadës së dëmtuar dhe rikthimin e apartamenteve në gjendjen fillestare "çelësa në dorë". Sidoqoftë, shqetësimi kryesor i banorëve mbetet siguria e fasadave në godinat e tjera të paprekura nga zjarri.

Konflikt interesi dhe akuza politike?

Përfshirja e Komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj ka ngritur dyshime mbi objektivitetin e këtij procesi. Armand Lilo është i lidhur familjarisht me Xhafajn, pasi është i martuar me kushërirën e këtij të fundit.

Kjo lidhje ka qenë edhe në qendër të denoncimeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike, e cila ka akuzuar publikisht lidhjet mes kryebashkiakut Erion Veliaj, Fatmir Xhafajt dhe Armand Lilos për përfitimin e lejeve të ndërtimit në kryeqytet.

Në këto kushte, mbetet pikëpyetje nëse dëgjesa parlamentare do të funksionojë si një seancë e fortë llogaridhënieje për sigurinë teknike dhe përgjegjësitë e ndërtuesit, apo do të shërbejë si një hapësirë për rehabilitimin publik të Armand Lilos, i cili deri më tani nuk është përballur me pasoja të drejtpërdrejta për katastrofën e ndodhur.