Një çështje që lidhet me sekuestrimin e pasurive të familjes Çela në Itali ka marrë një zhvillim të ri, pasi Gjykata në Verona ka kërkuar hetime shtesë mbi kallëzimin e paraqitur kundër kreut të SPAK, Altin Dumani. Sipas medias italiane L'Arena, përfaqësuesi ligjor i kompanisë Meral Srl ka kallëzuar penalisht Dumanin për kallëzim të rremë, pasi informacionet e përcjella nga SPAK autoriteteve italiane kanë shkaktuar sekuestrimin e padrejtë të pasurive dhe dëme të konsiderueshme ekonomike.
Sekuestrimi i pasurive dhe zhbllokimi pas një muajiNgjarja daton në fillim të korrikut të vitit të kaluar, kur një hetim i përbashkët mes Prokurorisë së Tiranës dhe Guardia di Finanza çoi në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona.
Sipas pretendimeve të SPAK, një godinë me rreth 30 dyqane dhe zyra në rrugën Murari Bra, si edhe një kompleks në Nogarole Rocca, ishin blerë nga kompania Meral Srl me para që dyshohej se rridhnin nga aktivitet kriminal, konkretisht trafik kokaine.
Pas sekuestrimit u bllokuan edhe llogaritë bankare të kompanisë, kreditë u pezulluan dhe aktiviteti ekonomik mbeti praktikisht i paralizuar.
Por më 4 gusht, vetëm një muaj më vonë, gjyqtarja Paola Vacca, e cila kishte firmosur fillimisht sekuestrimin, vendosi ta revokonte atë dhe urdhëroi kthimin e të gjitha pasurive.
Dokumentet rrëzuan dyshimetSipas vendimit të gjykatës italiane, dokumentacioni i paraqitur nga avokatët e familjes Çela tregonte se fondet e përdorura për blerjen e pasurive kishin origjinë të ligjshme dhe vinin nga aktivitete të rregullta tregtare.
Gjykata konstatoi gjithashtu se asnjë anëtar i familjes Çela nuk rezultonte me precedent penal, ndërsa, ndryshe nga sa ishte deklaruar publikisht gjatë prezantimit të operacionit, nuk kishte as hetime apo dënime penale ndaj tyre, përfshirë edhe pretendimet për përfshirje në vrasje.
Sipas artikullit, vetë SPAK kishte pushuar më herët procedimet për pastrim parash ndaj familjes Çela në Shqipëri, megjithatë ky zhvillim nuk kishte ndryshuar pasojat ekonomike që kompania kishte pësuar në Itali.
Dëme të mëdhaEdhe pas heqjes së sekuestros, bankat ndërprenë marrëdhëniet me kompaninë, duke i pamundësuar funksionimin normal financiar.
Sipas medias italiane, kjo situatë solli pasoja edhe në administrimin e godinës në Verona, ku mungesa e mirëmbajtjes krijoi probleme me qiramarrësit.
Gjykatësja Vacca refuzoi më pas edhe kërkesën për zgjatjen e hetimeve, duke argumentuar se nuk ekzistonin prova që të tregonin se pasuritë ishin krijuar me të ardhura të paligjshme.
Po sipas gjykatës, fitimet e realizuara nga shitja e kuotave të kësaj kompanie përbëjnë një praktikë normale biznesi dhe nuk përbëjnë element penal.
Gjykata nuk pranoi mbylljen e çështjesPas kallëzimit për shpifje ndaj Altin Dumanit, Prokuroria e Veronës kërkoi pushimin e procedimit.
Megjithatë, gjyqtari Enrico Zuccon nuk e pranoi menjëherë këtë kërkesë dhe urdhëroi kryerjen e hetimeve shtesë brenda dy muajve.
Sipas vendimit, prokurorët italianë duhet të verifikojnë dokumentacionin e dërguar nga Tirana, si dhe nëse autoritetet shqiptare kishin dijeni për vendimet e mëparshme të pushimit të çështjeve ndaj familjes Cela dhe nëse këto informacione iu komunikuan autoriteteve italiane.
Gjykata kërkon gjithashtu të sqarojë nëse dokumentacioni i dërguar nga Shqipëria përmbante ose jo referenca mbi vendimet që binin në kundërshtim me pretendimet se familja ishte e përfshirë në trafik kokaine apo ishte dënuar penalisht.
Avokati i Altin Dumanit ka kërkuar mbylljen e procedimit, duke argumentuar se kallëzimi synon ta bëjë kreun e SPAK të papajtueshëm me hetimet që ai po zhvillon për krimin e organizuar.
Megjithatë, gjykata ka vendosur që çështja të mos arkivohet në këtë fazë dhe ka lënë afat dy muaj për hetimet plotësuese, pas të cilave palët do të rikthehen sërish para gjykatës. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

