Vera përvëluese në Europë pritet t’ia lërë vendin reshjeve të dendura dhe stuhive, të cilat mund të përshkallëzohen deri në përmbytje në disa rajone. Sipas të dhënave të platformës globale të parashikimit të motit WFY24, java e parë e shtatorit do të vijojë e ngrohtë në Mesdhe, me temperatura mesatare maksimale rreth 35°C në Romë, 34°C në Athinë dhe 33°C në Madrid, rreth 6–8°C mbi mesataren sezonale.
Ndërkohë, Europa Veriore po përjeton një situatë më të freskët dhe të paqëndrueshme, me temperatura maksimale rreth 21°C në Berlin dhe 20°C në Londër. Shirat e dendur dhe stuhitë kanë ndërprerë tashmë valën e të nxehtit në pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës, ndërsa ekspertët parashikojnë se Mesdheu do të përjetojë rritjen më të madhe të reshjeve. Shtatori dhe tetori konsiderohen periudhë me rrezik të shtuar për përmbytje të menjëhershme, pasi temperaturat e larta të detit përplasen me masat e para të ajrit të ftohtë.
Në vëmendje është edhe fenomeni El Niño, për të cilin ekspertët paralajmërojnë ndikime në modelet globale të motit gjatë muajve të ardhshëm. Organizata Botërore Meteorologjike ka paralajmëruar për intensifikimin e fenomenit, i cili mund të favorizojë episode ekstreme si përmbytjet dhe thatësirat në rajone të ndryshme të botës. Megjithatë, ekspertët theksojnë se pavarësisht lidhjeve të mundshme me El Niño-n, faktori kryesor pas temperaturave rekord dhe zgjatjes së valëve të të nxehtit në Europë mbeten ndryshimet klimatike.

