Eurodeputetja Ilaria Salis ka ngritur shqetësimin për situatën politike në Shqipëri dhe protestat e të rinjve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, në prezantimin e progresraportit për Shqipërinë, ajo u bëri thirrje institucioneve europiane që të mos e injorojnë zërin e protestuesve.
Salis u shpreh se të rinjtë po kërkojnë një Shqipëri të lirë nga korrupsioni, ku të kenë mundësi të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet. Ajo akuzoi qeverinë se, në vend që të dëgjojë kërkesat e tyre, ka zgjedhur represionin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për të përballuar protestat.
Eurodeputetja ngriti gjithashtu shqetësimin për propozimin që protestuesit të përballen me gjoba deri në 5 mijë euro, duke kërkuar mbështetjen e institucioneve europiane. “Lufta e tyre është lufta juaj. Situata duhet të përmirësohet, duhet të dëgjojmë zërat e protestuesve në Shqipëri dhe t'u japim hapësirë”, deklaroi Salis.

