Detaje të reja mbi momentet e fundit të 45-vjeçares Lulieta Obzova së vrarë në Athinë dhe mënyrën se si ndodhi krimi janë bërë të ditura nga ekzaminimi mjeko-ligjor dhe provat e mbledhura nga autoritetet. Sipas informacioneve të deritanishme, 50-vjeçari Altin Allmuça e kishte pritur viktimën jashtë pallatit ku ajo banonte. Në momentin që 45-vjeçarja hapi derën e hyrjes, ai dyshohet se hyri pas saj në ndërtesë.
Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Sipas gjetjeve të hetimit, 50-vjeçari dyshohet se e goditi një ose dy herë me shqelm, duke bërë që gruaja të rrëzohej dhe të gjunjëzohej në tokë.
Më pas, ai i drejtoi armën. 45-vjeçarja, në një përpjekje instinktive për t’u mbrojtur, ngriti duart drejt armës. Sipas autoriteteve, ky veprim mund të ketë bërë që plumbi i parë të mos e godiste.
Më pas, 50-vjeçari dyshohet se e tërhoqi zvarrë rreth një metër dhe e qëlloi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas krimit, ai e ktheu armën ndaj vetes dhe vrau veten.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit janë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Ato dyshohet se kanë regjistruar lëvizjet e 50-vjeçarit përpara krimit dhe tregojnë se ai kishte mbërritur më herët në zonë dhe po priste viktimën.
Policia po shqyrton gjithashtu telefonin dhe pajisjet e tjera elektronike të tij, në kërkim të komunikimeve apo të dhënave që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien me viktimën dhe ngjarjet që i paraprinë vrasjes.
Sipas informacioneve të hetimit, 45-vjeçarja kishte folur me motrën e saj për marrëdhënien me ish-partnerin. Ajo i kishte thënë se kishte vendosur të ndahej për shkak të xhelozisë së tij.
“Do ndahem, është shumë xheloz”, kishte thënë ajo.
Dyshohet se gruaja i kishte rrëfyer gjithashtu se ai vazhdonte të këmbëngulte për të dhe se ajo kishte frikë prej tij.
Natën e krimit, 45-vjeçarja ndodhej vetëm në banesë. Vajza e saj nuk ishte në Athinë.
Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë edhe lëvizjet e 50-vjeçarit para se të mbërrinte në Nea Smyrni.
Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, para se të largohej nga shtëpia, ai i kishte lënë 1,000 euro dhe i kishte kërkuar t’i mbante.
Ajo u ka deklaruar autoriteteve se gjatë 18 muajve të fundit kishte vënë re ndryshime në sjelljen e tij. Sipas saj, ai mungonte shpesh në shtëpi dhe në disa raste flinte diku tjetër, pa i treguar se ku ndodhej.
Bashkëshortja e tij dyshohet se u ka thënë gjithashtu policëve se kishte frikë prej tij.
Autoritetet vijojnë mbledhjen e dëshmive dhe analizimin e provave për të rindërtuar plotësisht ngjarjet që i paraprinë vrasjes në Nea Smyrni. Top Channel

