Edi Rama dhe Erion Veliaj / Njëmbëdhjetë vite më parë, Veliaj dhe të tjerë iu kundërvunë Ben Blushit që kërkonte demokraci në PS. Sot Lali kërkon nga Rama të njëjtat të drejta që dikur ia mohonte Blushit. Historia e një pushteti që po kthehet kundër atyre që e ngritën... Tragjedia politike e Erion Veliajt ka një ironi të pamëshirshme: sot ai kërkon të mbrohet nga një pushtet që vetë ndihmoi të bëhej i pakufizuar. Dikur, kur Ben Blushi kërkonte demokraci në Partinë Socialiste, Veliaj qëndronte në krah të Edi Ramës. Sot, nga paraburgimi, i kujton kryetarit se partia nuk është prona e tij. Ka zbuluar vlerën e statutit pikërisht kur ka humbur privilegjin për të qëndruar mbi të.
Kjo histori të sjell ndër mend pastorin gjerman Martin Niemuller, i cili kaloi tetë vjet në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazist. Pas luftës, ai rrëfeu me pak fjali mekanizmin e heshtjes që kishte ndihmuar përndjekjen e njerëzve.
Në fillim, nazistët erdhën, arrestuan komunistët, ai nuk foli, sepse nuk ishte komunist. Pastaj erdhën, morën sindikalistët dhe ai heshti përsëri. Më vonë morën hebrenjtë, por ai nuk ishte hebre. Kur më në fund erdhën për të, nuk kishte mbetur më askush që të fliste për të.
Niemuller, i cili fillimisht kishte mbështetur Hitlerin, po pranonte përgjegjësinë e vet për heshtjen përballë përndjekjes. Natyrisht, askush nuk mund t'i krahasojë krimet e nazizmit me konfliktet e një partie. Megjithatë, rrëfimi i pastorit përmban një të vërtetë universale: pushteti që sot godet kundërshtarin tënd, nesër mund të kthehet kundër teje, me të njëjtat mjete që ti vetë ke pranuar dhe mbrojtur.
Në vitin 2015, Ben Blushi paralajmëronte se Edi Rama po e kthente Partinë Socialiste në një organizatë ku vullneti i kryetarit qëndronte mbi statutin. Kërkonte zgjedhje, debat dhe respektimin e mendimit ndryshe. Drejtuesit socialistë, mes tyre edhe Erion Veliaj, iu kundërvunë. Ata nuk kishin arsye të shqetësoheshin për pushtetin absolut të Ramës, për sa kohë që ishin përfituesit e tij.
Njëmbëdhjetë vite më vonë, Veliaj kërkon pikërisht atë që e shqetësonte Blushin atëherë. Ironia nuk qëndron vetëm te ndryshimi i fatit të dy politikanëve, por te hipokrizia e një elite që e konsideronte demokracinë pengesë kur kishte pushtet dhe e shpall të domosdoshme kur e humbet atë.
Sepse pushteti absolut nuk ndërtohet vetëm nga ambicia e një njeriu. Ai kërkon bashkëpunëtorë që e ushqejnë, drejtues që e justifikojnë dhe njerëz që heshtin përballë padrejtësisë, me shpresën se radha e tyre nuk do të vijë kurrë.
Çështja penale e Veliajt i përket drejtësisë. Fajësinë apo pafajësinë e tij e përcakton gjykata. Ndërsa kërkesa për të ushtruar të drejtat si anëtar i Partisë Socialiste ngre një tjetër shqetësim: a vlejnë rregullat edhe për ata që nuk gëzojnë më besimin e kryetarit?
Në fund të letrës së tij të vitit 2015, Ben Blushi përdorte metaforën e fytyrës dhe pasqyrës. Socialistët, në vend që të shihnin fytyrën e pushtetit, preferuan të zemëroheshin me pasqyrën që ua shfaqte.
Sot, pasqyra është po ajo. Kanë ndryshuar vetëm njerëzit që shohin veten në të.
Kur e kryqëzuan Blushin, Veliaj ishte në anën e Edi Ramës. Sot, kur Veliaj kërkon të flasë, shokët e tij të dikurshëm heshtin.
Nesër mund t'u vijë radha edhe atyre.
Dhe atëherë, ndoshta, do ta kuptojnë se Ben Blushi po mbronte një të drejtë që një ditë do t'u duhej të gjithëve./Pamfleti
erion veliaj mallkimi i pastorit gjerman gjergj zefi 2 Komente Q Qytetar 14 Nëntor 2026, 11:27 Ashtu siç e vuan edhe partia Demokratike qe nga lindja e saj ..Jane Parti qe e kane bioligjikisht të njëjta ,nga e njëjta "farë" Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Çfarë fshihet pas kolapsit global të Microsoft? 13 Nëntor 2026, 11:3711:37Editorial Misteri i 72 orëve të errësirës dhe heshtja e Tiranës 12 Nëntor 2026, 10:5610:56Editorial Po hanë kokat e njëri-tjetrit! 11 Nëntor 2026, 13:5213:52Editorial Fitore si e Pirros 10 Nëntor 2026, 10:5310:53Editorial Vëllezërit problematikë të kryeministrave të rajonit 9 Nëntor 2026, 12:2612:26Editorial Kryqi i rëndë i Gjeneral Eisenkotit 8 Nëntor 2026, 12:2612:26Editorial

