Lajme Zone
Epstein dhe vdekjet misterioze, kush janë njerëzit e lidhur me financierin famëkeq që nxitën teoritë konspirative?
BotëTop Channel

Epstein dhe vdekjet misterioze, kush janë njerëzit e lidhur me financierin famëkeq që nxitën teoritë konspirative?

Rrethanat e pazakonta të vdekjes së disa personave të lidhur me financierin amerikan Jeffrey Epstein kanë rikthyer teoritë konspirative rreth çështjes së tij.

Rrethanat e pazakonta të vdekjes së disa personave të lidhur me financierin amerikan Jeffrey Epstein kanë rikthyer teoritë konspirative rreth çështjes së tij. Epstein ishte një figurë e njohur në qarqet financiare dhe shoqërore të SHBA-së dhe kishte lidhje me shumë persona të fuqishëm. Pas arrestimit dhe akuzave për trafikim seksual të të miturve, marrëdhëniet e tij me figura të njohura u vunë në qendër të vëmendjes.

Vdekja më e fundit e një personi të lidhur me të është ajo e Daniel Siad, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në periferi të Parisit në fund të korrikut, në moshën 68-vjeçare.

Siad, agjent modelesh, akuzohej se kishte ndihmuar në organizimin e takimeve mes grave dhe Epstein. Në kohën e vdekjes, ai ishte nën hetim për trafikim qeniesh njerëzore. Fillimisht u raportua se kishte pësuar një atak kardiak, por prokuroria e Nanterres ka nisur hetime dhe ka urdhëruar autopsinë për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Emri i Siadit shfaqet në dokumentet e Epstein për një periudhë rreth dhjetëvjeçare. Sipas dokumenteve, Epstein i rimbursonte shpenzimet e udhëtimeve të tij, gjatë të cilave ai siguronte gra për financierin. E-mailet e bëra publike tregojnë komunikime mes tyre rreth moshës së grave. Një prej viktimave të Epstein ka deklaruar për BBC se Siad e kishte prezantuar me financierin.

Një tjetër agjent modelesh i lidhur me Epstein, francezi Jean-Luc Brunel, u gjet i varur në qelinë e tij në Paris në vitin 2022. Brunel, i cili ishte 76 vjeç, ndodhej në paraburgim dhe përballej me akuza për përdhunim dhe trafikim të të miturve, të cilat i kishte mohuar.

Vetë Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork në gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat për trafikim seksual.

Dy oficerët përgjegjës për mbikëqyrjen e tij kishin dështuar ta kontrollonin për disa orë, ndërsa një pjesë e sistemit të kamerave nuk kishte funksionuar siç duhet.

Në vitin 2023, Departamenti amerikan i Drejtësisë arriti në përfundimin se kishte pasur dështime serioze nga personeli i burgut, por konfirmoi se shkaku zyrtar i vdekjes së Epstein ishte vetëvrasja.

Megjithatë, rrethanat e vdekjes së tij kanë vazhduar të ushqejnë dyshimet dhe teoritë konspirative, veçanërisht për shkak të lidhjeve që ai kishte me figura të fuqishme.

Në vitin 2022, ish-avokati i Shtëpisë së Bardhë Mark Middleton u gjet i vdekur në një fermë në Arkansas. Middleton, i cili kishte pasur kontakte me Epstein gjatë kohës që punonte në administratën e Bill Clintonit, u gjet i varur në një pemë dhe me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri.

Po atë vit, Steven Hoffenberg, i konsideruar si një prej mentorëve të Epstein, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Connecticut. Autopsia përcaktoi se ai kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Në vitin 2023, ish-guvernatori i New Mexico-s dhe ish-ambasadori amerikan në OKB, Bill Richardson, vdiq në moshën 75-vjeçare. Richardson kishte pasur lidhje me Epstein, ndërsa emri i tij ishte përmendur edhe në dokumentet e një padie civile të Virginia Giuffre kundër Ghislaine Maxwell. Richardson i kishte mohuar akuzat.

Një tjetër person i lidhur me çështjen ishte Alfredo Rodriguez, ish-punonjës i Epstein, i cili vdiq nga kanceri në vitin 2014. Rodriguez ishte arrestuar më herët nga FBI-ja teksa përpiqej të shiste dokumente të Epstein.

Në vitin 2018, Joe Recarey, një detektiv që kishte hetuar rastin Epstein në Palm Beach, vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër. Para vdekjes, ai kishte deklaruar se ishte përballur me presione politike gjatë hetimit dhe se kishte frikë për sigurinë e tij.

Në vitin 2019, bankieri Thomas Bowers, i cili kishte punuar për Deutsche Bank, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Kaliforni. Banka kishte qenë një prej institucioneve financiare që kishte bashkëpunuar me Epstein.

Një vit më vonë, producenti i Hollivudit Steve Bing vdiq pasi u rrëzua nga apartamenti i tij në Los Angeles. Bing kishte pasur kontakte shoqërore me Epstein dhe lëvizte në të njëjtat rrethe me të.

Këto raste, të shtrira në më shumë se një dekadë, kanë ushqyer teori konspirative në rrjetet sociale dhe në disa media. Megjithatë, rrethanat e vdekjeve ndryshojnë nga një rast në tjetrin dhe, në disa prej tyre, autoritetet kanë përcaktuar shkaqe natyrore ose vetëvrasje.

Për rrjedhojë, lidhja mes këtyre vdekjeve dhe veprimtarisë së Epstein mbetet kryesisht objekt spekulimi dhe nuk ka prova publike që të dëshmojnë se ato janë pjesë e një komploti të përbashkët. Top Channel