Gjermania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të zgjerojnë marrëdhëniet e tyre. Emiratet planifikojnë të investojnë 40 miliardë euro në Gjermani. Çfarë i bën Emiratet kaq të vlefshme për Gjermaninë?
Gjatë vizitës shtetërore të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan në Berlin, zyrtarët emiratas dhe qeveria gjermane njoftuan se Emiratet planifikojnë të investojnë 40 miliardë euro në Gjermani.
Me këtë investim vlera e përgjithshme e investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në ekonominë gjermane, të cilat deri tani shkojnë në rreth 34 miliardë euro, do të rriten më tej.
Presidenti federal gjerman, Frank-Walter Steinmeier, e priti mysafirin e tij me nderime ushtarake në vilën Borsig në Berlin. Në mbrëmje Steinmeieri organizoi edhe një banket shtetëror për nder të presidentit emiratas.
Sipas njoftimit zyrtar të Berlinit, dy presidentët, Frank-Walter Steinmeier dhe Mohamed bin Zayed Al Nahyan, "e përshëndetën shpalljen e paketës së investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe me vlerë 40 miliardë euro në Gjermani”.
Në këtë paketë përfshihen investime në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, përfshirë ndërtimin e qendrave të reja moderne të të dhënave si dhe në fushën e energjisë, thuhet më tej në deklaratë.
Çfarë i bën Emiratet kaq të vlefshme për Gjermaninë?
Gjatë ceremonisë për shkëmbimin e marrëveshjeve në prani të kancelarit Friedrich Merz dhe presidentit të Emirateve, Merz deklaroi: "Emiratet e Bashkuara Arabe janë një partner i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm për Republikën Federale të Gjermanisë”
Ministri i Teknologjisë i Emirateve, Sultan Al Jaber, tha se Gjermania ka qenë për dekada me radhë një partner i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik për vendin e tij. Ai shtoi se investimet e reja të planifikuara tregojnë synimin e Emirateve për ta zgjeruar edhe më tej këtë marrëdhënie.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në rajonin e Gjirit Persikpër nga vëllimi i tregtisë. Vitin e kaluar vlera e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve arriti rreth 13 miliardë euro. Gjermania eksportoi mallra me vlerë rreth 11 miliardë euro, ndërsa importet nga Emiratet kapën një shifër prej afërsisht 2 miliardë euro.
Dialog strategjik mes dy vendeve
Të dyja palët ranë dakord për investime në qendra të dhënash, për bashkëpunim në fushën e sistemeve të informacionit dhe për krijimin e një formati dialogu strategjik.
Në kuadër të këtij mekanizmi do të koordinohen dhe drejtohen bashkëpunimet në fusha si siguria, mbrojtja, energjia dhe klima, por edhe kultura dhe transporti.
Si pjesë e marrëveshjes kompania ajrore Emirates do të lejohet të fluturojë drejt një qyteti tjetër në Gjermani. Ky do të ishte destinacioni i pestë i saj në Gjermani.
Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katharina Reiche, mblodhi në një takim përfaqësues të të dy vendeve nga sektorët e teknologjive ushtarake dhe të mbrojtjes. Më pas ajo vuri në dukje potencialin e madh të bashkëpunimit.
Sipas Reiche-s, industria gjermane është drejtuese në aspektin teknologjik, veçanërisht në fushat e mbrojtjes ajrore, të sigurisë ajrore dhe të pastrimit të minave detare. Për këtë arsye Gjermania ka mundësinë të japë një "kontribut thelbësor për sigurinë e Emirateve të Bashkuara Arabe”./DW Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

