Lajme Zone
Emigrantët në Ceutë, udhëtim mes të uriturve që mbetën në enklavë: Na përdorën si predha
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Emigrantët në Ceutë, udhëtim mes të uriturve që mbetën në enklavë: Na përdorën si predha

Përleshje për ushqim, ka edhe nga ata që mbledhin thërrimet. Të mbyturit kanë arritur në 84.

CEUTA – Mëngjesi në Ceutë nis me një mjegull të dendur që fsheh gjithçka. Kur ajo shpërndahet, shfaqet kufiri i ri lundrues mes qytetit autonom spanjoll dhe Marokut. Për disa orë, mjegulla mbuloi punimet për ndërtimin e kësaj barriere lundruese prej 500 metrash. Ajo është menduar si një mënyrë për të kthyer menjëherë emigrantët që përpiqen të hyjnë me not, duke respektuar një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës, sipas të cilit kthimi i menjëhershëm nuk lejohet nëse nuk është shkelur një pengesë fizike. Ceuta po përpiqet të mbrohet, pasi është kthyer në një simbol ndërkombëtar të rreziqeve të emigracionit të pakontrolluar. LEXO EDHE:Kryeministrja italiane shfrytëzon krizën e emigrantëve në Spanjë, kërkon të hapen qendra të tjera riatdhesimi si në Shqipëri dhe të financohen nga Bashkimi Europian Fluksi i emigrantëve që largohen vazhdon, megjithëse me ritëm më të ngadaltë. Sipas autoriteteve të Madridit, deri të premten mbi 48.300 nga 50 mijë personat që mbërritën brenda tre ditësh në enklavën spanjolle në Marok ishin larguar. Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, siguron se situata po kthehet në normalitet. Gjatë vizitës së tij në Ceutë ai u përpoq të qetësonte banorët. Disa dyqane kanë nisur të hapen me hezitim, por qyteti është ende larg pamjes së tij normale. Ushtarët patrullojnë rrugët, banorët vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpi, ndërsa emigrantët lahen me ujin e dusheve në plazh, ku secili ka formën e një dërrase sërfi vertikale me sloganin: "Ceuta, aty ku ndihen emocionet." Mes të fundit që po kthehen në shtëpi është edhe 20-vjeçari Laharizi Nassredine, student Ekonomie nga Casablanca. Edhe ai thotë se është rrahur nga policia spanjolle gjatë kalimit të kufirit. "Policia marokene, përkundrazi, mbylli një sy dhe na la të kalonim, madje na tregoi edhe rrugën. Na përdorin si gurë shahu për të ushtruar presion. Për pjesën tjetër nuk vlejmë asgjë", thotë ai, i zhgënjyer, por tashmë shumë më i vetëdijshëm. Të njëjtin mendim ndan edhe Abdul Karrem, 35 vjeç nga Tangjeri. "Për autoritetet marokene jemi si predha në një armë. Përplasja duhet të jetë mes qeverive dhe jo në kurriz të qytetarëve", thotë ai, ndërsa qëndron jashtë Qendrës së Përkohshme të Paraburgimit për Emigrantët, bashkë me qindra persona të tjerë, kryesisht nga Afrika Sub-Sahariane. Imad, një magazinier algjerian 22-vjeçar, tregon se ai dhe të tjerët panë "dyert e hapura" nga ajo që quhet "mali i emigrantëve", ku banonin në anën marokene të kufirit. Ai ishte vendosur aty vetëm një javë më parë. Si gjithë të tjerët, dëshiron të strehohet në qendër, por aty nuk ka më asnjë vend të lirë. Të gjitha shërbimet e pritjes janë të mbingarkuara prej ditësh dhe do të jetë shumë e vështirë të gjendet një zgjidhje humanitare për emigrantët. Ata janë të rraskapitur nga uria. Kur organizata Luna Blanca nis të shpërndajë pak ushqim jashtë qendrës, shpërthen një sherr i dhunshëm. Rreth 50 persona grumbullohen në pak metra katrorë, duke bërtitur dhe shtyrë njëri-tjetrin për të siguruar ushqimin. Vetëm ndërhyrja e ushtarëve arrin të rikthejë qetësinë. Më pas, disa prej tyre, të mundur nga uria, përkulen në tokë për të mbledhur thërrimet. Për shumë prej emigrantëve, mënyra e vetme për t'u ushqyer është të shpresojnë në bujarinë e banorëve. Në të njëjtin lagje, Benítez, dikush u hedh pako me ushqime nga tarraca e shtëpisë. "Mos më fotografoni!", bërtet ai nga lart. Ai dëshiron të mbetet anonim, nga frika se mos përfn në rrjetet sociale dhe gjykohet nga bashkëqytetarët. Ka edhe emigrantë që, me pak para në xhep, presin në radhë jashtë supermarketit Super Kiko, një nga të paktat dyqane që vazhdon të jetë i hapur, edhe pse me qepenin gjysmë të ulur, për të mos lejuar hyrjen e klientëve brenda. Më pas ngjitemi në lagjen famëkeqe Príncipe, një rrjet i dendur rrugicash të ndërtuara në mënyrë kaotike dhe pa leje, ku përplasjet mes bandave janë të shpeshta. Ajo të kujton disi Lagjet Spanjolle të Napolit. Për shkak të afërsisë me pikën kufitare Tarajal, kjo lagje është kthyer në epiqendrën e emergjencës, e pushtuar nga emigrantët dhe skenë përleshjesh gjatë natës. Të rinjtë shkarkojnë zhgënjimin e tyre me gurë dhe shqelma pasi ëndrra e tyre për të hyrë në Europë ka dështuar. "Nuk mund të luftosh kundër fatit tënd", thotë Ayoub, duke treguar këmbët e gjakosura nga shkëmbinjtë. Mustafa shton, ndërsa na shoqëron me makinë: "Disa prej tyre hynë në dy shtëpi në kërkim të ushqimit, por njëra ishte e braktisur dhe tjetra bosh, sepse pronarët nuk ndodheshin aty." Banorët e zonës, kryesisht myslimanë dhe me origjinë marokene, nga njëra anë kanë organizuar patrulla për të mbrojtur lagjen, ndërsa nga ana tjetër po ndihmojnë emigrantët e rraskapitur dhe të plagosur. "Këta njerëz nuk kanë faj. Në Ceutë nuk ka punë, nuk ka asgjë. Janë mashtruar. Ishte një kurth politik", thotë Ibrahim, 26 vjeç, i lindur dhe rritur në këtë lagje. Me motorin e tij ai po shpërndan ushqime. "Na përshkruajnë si një lagje të rrezikshme. Kemi jetuar gjithmonë me këtë famë, por këtu nuk ka vetëm kriminelë. Ka edhe njerëz që ndihmojnë. E vërteta është se autoritetet na kanë harruar. Ende presim të hapet një komisariat policie." Ndërkohë, deti vazhdon të nxjerrë trupa dhe numri i viktimave rritet nga ora në orë. 67 trupa janë nxjerrë nga Roja Civile spanjolle në ujërat e Spanjës, ndërsa të paktën 17 të tjerë janë gjetur në bregdetin maroken. Bëhet fjalë për një tragjedi me 84 persona të mbytur, të cilët humbën jetën duke u përpjekur të arrinin me not në territorin europian. Kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë. Nuk ka më mjaftueshëm morgje për të sistemuar trupat. Dy morgjet e ngritura në ish-spitalin ushtarak janë tashmë plot. Në dhomat ngjitur ndodhen të paktën 500 të mitur, të cilët nuk mund të riatdhesohen. Mes tyre është edhe një foshnjë vetëm 3 muajshe, pa prindër, që mbërriti në Ceutë me një gomone plastike./ Corriere della Sera K.M/Shqiptarja.com TAG: Ceuta spanje Komento Komente Sondazhi i ditës:

31 Korrik, 15:00

Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.4% 100 bashki (PD) 16.3% 61 bashki (si sot) 27.3% Vota total: 2566 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?