Mjeku kirurg Spiro Prifti është emëruar drejtor i ri i Klinikës Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi”. Prezantimi i tij në këtë detyrë të rëndësishme është bërë ditën e sotme në ambientet e klinikës.
Spiro Prifti Në prezantimin e Priftit ishte ishte i pranishëm dhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, i cili falenderoi gjatë fjalës së tij personat që kishin kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të klinikës.
Pamje nga prezantimi Kryepiskopi tha se marrja e kësaj detyre është një privilegj, por është po ashtu një përgjegjësi e madhe për klinikës dhe për Kishën.
Ndër të tjera shtoi se beson se doktor Spiro Prifti i ka cilësitë që duhen për drejtimin e kësaj klinike me një frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe përgjegjësie dhe po ashtu për zhvillimin e mëtejshëm të saj. Fjala e plotë e Kryepiskopit Joan: Ne do të jemi mirënjohës ndaj themeluesit të kësaj klinike, Kryepeshkopit Anastas, i cili, me përkushtim të madh, ka harxhuar një pjesë shumë të madhe të kohës së tij që klinika të ketë sukses. Por çdo gjë ka një vazhdimësi. Detyra jonë sot është që kjo klinikë të shtohet akoma dhe më shumë.
Dua të falënderoj edhe zotin Vasil për kontributin që ai dha gjatë këtyre viteve. Po ashtu, edhe disa persona të tjerë, siç është motër Athanasia, e cila shërbeu për një kohë të gjatë, shumë mjekë, infermierë, sanitarë dhe punonjës të klinikës, të cilëve ndoshta edhe nuk mund t’ua dimë emrat, por që kanë dhënë një kontribut. Sepse, si në një anije, merita nuk është vetëm e kapitenit; duke filluar deri te kaldeisti në fund, të gjithë kanë dhënë një kontribut. Edhe bordi i klinikës ka dhënë një kontribut shumë të madh për ta zhvilluar akoma më shumë. Nga anëtarët e bordit dua të falënderoj edhe Mitropolitin e sotëm të Korçës, Anastasin, i cili është angazhuar gjatë që klinika të merrte një zhvillim.
Ajo që do të kërkoja unë ishte kjo gjë: së pari, duhet të kuptojmë që mjeku dhe prifti nuk janë të ndryshëm. Njeriu është një qenie psiko-somatike, që do të thotë se ka një trup dhe ka edhe një shpirt, dhe kujdesi vetëm nga njëra anë e deformon njeriun.
Priftërinjtë e mirë dhe mjekët e mirë e shikojnë njeriun në tërësi. Prandaj edhe profesioni i mjekut është një mision, ashtu siç është edhe misioni i klerikut. Do të doja që edhe mjekët të jenë të ndërgjegjshëm jo vetëm karshi pacientëve, por edhe për zhvillimin e klinikës.
Nga shenjtorët më të dashur në Kishë janë Anargjirët. Çfarë ishin Anargjirët? Ne i festojmë vazhdimisht. Ishin mjekë që punonin pa para. Vetëm u shërbenin të sëmurëve.
Nuk kërkojmë këtë, pa para; njeriu edhe do të jetojë. Por ajo që shpeshherë nuk e duam ne është lakmia, sepse lakmia nuk mbaron. Nevojat, padyshim, si çdo njeri në çdo fushë, do të ketë; edhe mjeku ka nevoja dhe çdo punë shpërblehet.
Detyra e mjekut është detyrë e vështirë, nuk është aq e lehtë, dhe unë e vlerësoj gjithmonë përkushtimin e tyre. Por, nëse do të jemi të gjithë në një frymë dhe të përpiqemi që klinika të zhvillohet akoma dhe më shumë, sepse e ka potencialin, i ka pajisjet, aparaturat, mjekët shumë të mirë dhe shumë të devotshëm, ka shumë mundësi që kjo të zhvillohet.
I kërkojmë drejtorit të ri që të japë një kontribut shumë të madh dhe përpjekje në menaxhimin, se gjërat, nëse mund të jenë të menaxhuara mirë, mund të japin sukses, ndërsa, të menaxhuara keq, mund të dështojnë.
Prandaj, kjo është një përgjegjësi; pa dyshim që është edhe një privilegj që të jepet mundësia për të bërë diçka më tepër, por është edhe një përgjegjësi shumë e madhe për klinikën dhe për Kishën, sepse njerëzit gjithmonë kështu e quajnë: Klinika e Kishës.
Çdo meritë që do të bëni ju dhe çdo sukses ndikon edhe te Kisha dhe e kundërta. Prandaj edhe ne nuk mund të jemi indiferentë se çfarë ndodh në klinikë.
Kjo ka qenë edhe arsyeja përse bordi, të gjithë, jemi përfshirë kaq shumë për klinikën, sepse është një aset shumë i çmuar për Kishën tonë dhe do të dëshironim që të zhvillohej akoma më shumë.
Do të kemi parasysh gjithmonë: si në anije, nëse mbytet anija, të gjithë do të mbytemi. Kështu është në Kishë, kështu është në klinikë dhe në çfarëdo lloj ndërmarrjeje duhet të punojmë të gjithë si një skuadër. Jo të gjithë mund të jenë trajneri, jo të gjithë mund të jenë kapiteni, por të gjithë janë një skuadër që japin kontributin e tyre. Është një zinxhir; një hallkë të jetë e dobët, i gjithë zinxhiri del i panevojshëm.
Prandaj lutem që Perëndia t’ju ndriçojë, t’ju forcojë për zhvillimin akoma më shumë të kësaj klinike dhe zhvillimi do të shikohet nga rezultatet. Është një trajner shumë i mirë, por nëse skuadra nuk ka rezultate, edhe të jesh trajneri më i madh në botë, do të të heqë, sepse në rezultatet shihet puna. Justifikime mund të gjenden dhe ai mund të thotë: e pati fajin portieri, nuk luajtën mirë mbrojtësit. Të gjitha mund të jenë të vërteta, po përgjegjësia është e atij. Dhe në këtë, përgjegjësia është shumë e madhe e atyre që do të drejtojnë.
Prandaj duhet marrë me seriozitet dhe me përkushtim, që unë besoj se doktor Spiro i ka këto cilësi dhe shpresojmë që t’i realizojë.
Ju uroj të gjithëve një punë të mbarë, të bekuar, dhe asgjë nuk humbet tek Zoti. Nëse ne, Zotit i japim një, Ai do të na japë njëqind. Tek njerëzit mund të humbasë, po tek Perëndia nuk humbet. Duke u shërbyer të sëmurëve, ne i shërbejmë Zotit. Në atë paravolinë e fundit që tregon Zoti për gjyqin e fundit, këto gjëra ua thotë atyre për gjykimin, se si ne jemi sjellë me njerëzit që s’kanë pasur bukë, kanë qenë të sëmurë, kanë qenë të huaj, kanë qenë të zhveshur dhe e krahason që të gjitha çfarë u keni bërë atyre, m’i keni bërë Mua, dhe të gjitha që nuk ua bëtë atyre, nuk ma keni bërë as Mua.
Është në interesin tonë që t’i bëjmë për Perëndinë, sepse çdo gjë që bëjmë ne do të shpërblehet dhe çdo gjë që s’bëjmë dënohet në një farë forme. Stafi i klinikës është i kompletuar, njerëz të talentuar, me një përgjegjësi shumë të madhe, kanë shërbyer vazhdimisht dhe unë shpresoj që kjo do të vazhdojë.
Ju falënderoj dhe ju uroj edhe njëherë: Perëndia t’ju japë forcë, t’ju japë ndriçim edhe t’ju japë dallim për të kuptuar kur duhet folur, kur nuk duhet folur, për çfarë duhet folur. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për të ruajtur unitetin.
Drejtuesi nuk është sundues; duhet ta kemi parasysh të gjithë ne këtë gjë. Por përgjithësisht është drejtuesi që dikush do të jetë gjithmonë në krye, dikush do ta mbajë timonin.
Nuk mund të mbahet timoni nga të gjithë, sepse edhe autobusi do të rrëzohet, edhe treni do të përplaset dhe anija nuk do të funksionojë, por është ai që do t’i japë frymën.
Kjo është përgjegjësia më e madhe dhe unë shpresoj që doktor Spiro do të ketë aftësinë për të përhapur një frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe përgjegjësie për punën. Edhe njëherë, Perëndia t’ju ruajë, t’ju ndriçojë dhe t’ju mbrojë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.
