Pasi mori nga Edi Rama postet më të larta të shtetit, Spiropali nuk sfidoi modelin e tij politik, por e ktheu inatin ndaj Belinda Ballukut në platformën e vetme të përplasjes brenda PS-së... Elisa Spiropali ka pasur fatin që shumë politikanë europianë nuk e prekin gjatë gjithë karrierës. Pushteti i ka servirur si llokume disa nga postet më të ëmbla të shtetit, nga drejtimi i Doganave te posti numër dy i Republikës dhe, më pas, te drejtimi i diplomacisë shqiptare.
Fortuna e ka mbajtur gjatë në prehrin e saj. Tani, e përplasur me kupolën e Partisë Socialiste, Spiropali ka rastin të tregojë se çfarë vlere politike ka përtej posteve që i dhuroi Edi Rama. Mund ta kanalizojë konfliktin, ta kthejë në debat politik dhe të ndërtojë një platformë që sfidon modelin e kryeministrit.
Edhe nëse nuk arrin të marrë drejtimin e PS-së, ajo mund të krijojë një rrymë alternative brenda së majtës. Mund të promovojë ide, të afrojë njerëz të rinj dhe të hapë një debat që politika shqiptare e ka shmangur prej dekadash, kalimin e stafetës nga një brez te tjetri.
Spiropali e ka kullotur livadhin e pushtetit që në moshë të re, njësoj si Pandeli Majko, Ilir Meta, Erion Veliaj dhe disa personazhe të tjera që u plakën politikisht përpara se të piqeshin. Tani, në krizën e moshës së mesme politike, ajo mund të zhvillojë betejën që nuk e bëri kurrë gjatë viteve kur shërbente si zëri më besnik i Ramës.
Një përballje e tillë do ta detyronte të njihte edhe veten. A ka qenë politikane me ide, apo vetëm një zë i stërvitur për të recituar tekstin e radhës? A përfaqëson një alternativë, apo thjesht zemërimin e një oborrtareje që humbi vendin pranë fronit? Elisa Spiropali: Kam besuar dhe vijoj të besoj te vizioni i Edi Ramës!
19 Nëntor, 22:47 Dalja e parë publike te Grida Duma, pas largimit nga Asambleja e PS-së, dha një përgjigje jo fort premtuese.
Spiropali nuk paraqiti platformë, program apo ide. Ajo solli në studio inatin e saj ndaj Belinda Ballukut. Deklaroi se ndihej mirë që nuk kishte votuar për të penguar paraburgimin e një gruaje. Kaq. Nga gjithë arsenali politik që mund të përdorte kundër modelit të Edi Ramës, zgjodhi shigjetën më të vogël dhe e drejtoi ndaj rivales së saj. Ky nuk është rebelim politik. Është thjesht sherr oborri.
Spiropali ka një problem edhe me biografinë e saj politike. Dikur e quajti Edi Ramën “Skënderbeu” dhe mori përsipër ta ngrinte në piedestalin e heroit kombëtar. Sot, pasi “Skënderbeu” e largoi nga oborri, ajo nuk guxon të sulmojë atë, por derdh zemërimin mbi Belinda Ballukun. Nga adhurimi i prijësit te xhelozia ndaj rivales, rebelimi i saj mbetet një konflikt për vendin pranë fronit.
Në mitologjinë greke, Erida hodhi mollën e artë mes perëndeshave dhe ndezi luftën për të përcaktuar më të bukurën. Spiropali po hedh mollën e saj brenda PS-së, jo për të ndryshuar partinë, por për të goditur Belindën. Nuk po sfidon Zeusin. Po zihet me një tjetër banore të Olimpit për karrigen më pranë tij.
Një alternativë politike kërkon përballje me Edi Ramën, jo thumbime ndaj kolegeve. Kërkon platformë, propozime, organizim dhe një vizion për një klasë të re drejtuese. Spiropali, deri tani, nuk ka paraqitur asnjërën. Ajo po përpiqet ta shesë plagën personale si kryengritje politike.
Edhe koha që ka zgjedhur e nxjerr zbuluar. Një lëvizje reformuese zhvillon betejën brenda partisë kur ekziston hapësira për debat dhe ndryshim. Spiropali po godet PS-në në mesin e një fushate zgjedhore. Ky veprim nuk synon reformimin e partisë, por dobësimin e saj.
Përkthimi politik duket i thjeshtë. Elisa Spiropali i ka larë duart nga partia që i dha disa prej posteve më të larta të shtetit dhe po përgatit daljen e saj. Ndoshta bashkë me Erion Veliajn, sipas modelit që përdori dikur Ilir Meta për të krijuar LSI-në.
Dikur, Spiropali ruante portën e pallatit dhe sulmonte këdo që i afrohej fronit të Edi Ramës. Sot po largohet nga oborri duke sharë banorët e tjerë. Nga shërbestarja më e zellshme e pushtetit po kërkon të shfaqet si bija plangprishëse e tij.
Problemi qëndron te mungesa e rolit të ndërmjetëm. Spiropali nuk u bë rebele. Ajo mbeti oborrtare, vetëm se tani oborri nuk i përket më asaj.Pamfletielisa dhe molla e iridës kur xhelozia vishet si rebelim Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Sot, tre dhelpra dhe një pulë do të vendosin çfarë të gatuajnë për darkë 19 Nëntor 2026, 10:5110:51Editorial Çfarë fshihet pas gjestit të rrallë të Xi Jinping? 18 Nëntor 2026, 12:3012:30Editorial Pse Trump nuk e donte Samitin e NATO-s në Tiranë? 17 Nëntor 2026, 11:0211:02Editorial Diplomacia e “rosës së çalë” 16 Nëntor 2026, 10:2810:28Editorial Tryeza Shenzhenit dhe doktrina e karrigës bosh 15 Nëntor 2026, 12:4512:45Editorial Erion Veliaj dhe mallkimi i pastorit gjerman 14 Nëntor 2026, 10:5710:57Editorial

