Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e kësaj të enjteje në fshatin Vasije, në njësinë administrative Kala e Dodës, në Dibër, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë punës. Shtylla elektrike me të cilën po punonte është shembur papritur dhe e ka zënë poshtë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Viktima është identifikuar si Lulzim Shehu, i cili nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa rrethanat në të cilat ndodhi aksidenti mbeten ende të paqarta.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes së shtyllës elektrike dhe për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit fatal. Pritet që hetimet të hedhin dritë mbi kushtet e sigurisë gjatë punës dhe përgjegjësitë për këtë ngjarje të rëndë.

