Lajme Zone
Ekzekutimet që u shndërruan në një makth në SHBA, nga flakët dhe prerjet e kokave te tortura e Christa Pike
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Ekzekutimet që u shndërruan në një makth në SHBA, nga flakët dhe prerjet e kokave te tortura e Christa Pike

Christa Pike ishte gati të bëhej gruaja e parë që ekzekutohej në Tenesi në më shumë se dy shekuj, por procedura e injeksionit vdekjeprurës dështoi.

Christa Pike ishte gati të bëhej gruaja e parë që ekzekutohej në Tenesi në më shumë se dy shekuj, por procedura e injeksionit vdekjeprurës dështoi. Ekzekutuesit përdorën të paktën shtatë gjilpëra për të gjetur një venë, ndërsa Pike ishte e lidhur në një barelë. Ajo iu nënshtrua dy dozave pentobarbital, të konsideruara secila si potencialisht fatale, por mbijetoi dhe përfi në spital në gjendje kritike.

Rasti i saj është një prej episodeve më të fundit në historinë e gjatë të ekzekutimeve problematike në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të paraqitura nga profesori i drejtësisë dhe shkencave politike në Amherst College, Austin Sarat, në librin e tij “Gruesome Spectacles: Failed Execution and America’s Death Penalty”, nga 8,776 ekzekutime të kryera në SHBA gjatë viteve 1890-2010, 276 patën probleme serioze. Kjo përbën rreth 3.15% të totalit.

Në shifra absolute, numri më i madh i ekzekutimeve problematike u regjistrua me varje, me 85 raste nga 2,721 ekzekutime. Karrigia elektrike pasoi me 84 raste nga 4,374 ekzekutime, ndërsa dhoma e gazit me 32 raste nga 593 ekzekutime.

Megjithatë, në raport me numrin e ekzekutimeve, injeksioni vdekjeprurës rezultoi metoda me përqindjen më të lartë të problemeve. Nga 1,054 ekzekutime me injeksion vdekjeprurës, 75, ose 7.2%, patën probleme serioze.

Sarat e përkufizon një “ekzekutim të dështuar” si një ekzekutim gjatë të cilit ka devijim nga protokolli i përcaktuar dhe shfaqen probleme ose vonesa të paparashikuara që shkaktojnë vuajtje të panevojshme për të dënuarin ose tregojnë gabime serioze në procedurë.

Një prej rasteve më të njohura është ai i John Evans, i ekzekutuar në karrigen elektrike në Alabama në vitin 1983. Pas goditjes së parë prej rreth 1,900 voltësh, nga elektrodat dolën shkëndija dhe flakë. Mjekët konstatuan se Evans kishte ende puls. Pas dy goditjeve të tjera, ekzekutimi zgjati gjithsej rreth 14 minuta dhe trupi i tij u dogj rëndë.

Po atë vit, në Misisipi, Jimmy Lee Gray u ekzekutua në dhomën e gazit. Tetë minuta pas lëshimit të gazit, zyrtarët u detyruan të evakuonin dhomën, ndërsa Gray ende po përpiqej të merrte frymë. Sipas raportimeve, ai goditi kokën në një shtyllë metalike brenda dhomës së gazit. Më vonë u raportua se ekzekutori ishte i dehur.

Në Indiana, në vitin 1985, William Vandiver iu nënshtrua pesë shkarkimeve elektrike dhe procedura zgjati rreth 17 minuta. Dëshmitarët raportuan tym dhe erë djegieje.

Në Arizona, në vitin 1992, Donald Eugene Harding vdiq më shumë se 10 minuta pasi u hodhën tabletat e cianurit në dhomën e gazit. Për disa minuta ai rënkoi dhe u drodh, ndërsa trupi i tij mori një ngjyrë të errët vjollcë.

Në Florida, në vitin 1990, gjatë ekzekutimit të Jesse Tafero, nga koka e tij dolën flakë rreth 15 centimetra të larta. U deshën tre cikle goditjesh elektrike për t’i ndaluar frymëmarrjen. Autoritetet ia atribuuan incidentin përdorimit të një sfungjeri sintetik në vend të një sfungjeri natyral.

Në Ohio, në vitin 2009, ekzekutimi i Romell Broom u ndërpre pas më shumë se dy orësh, pasi ekzekutuesit nuk arritën të gjenin një venë të përshtatshme në krahët ose këmbët e tij. Broom u përpoq t’i ndihmonte ekzekutuesit të gjenin një venë dhe në një moment filloi të qante. Guvernatori i atëhershëm i Ohajos, Ted Strickland, urdhëroi ndalimin e procedurës.

Një tjetër rast i shumëpërfolur ndodhi në Oklahoma në vitin 2014, me Clayton Lockett. Pas administrimit të barnave, Lockett nisi të ankohej, të kishte konvulsione dhe të fliste, ndërsa në një moment u përpoq të ngrihej nga karrigia. Procedura u ndalua, por ai vdiq rreth 43 minuta pasi iu administrua qetësuesi.

Probleme janë regjistruar edhe në ekzekutimet me pushkatim. Një prej rasteve më të njohura ndodhi në Utah në vitin 1879, kur Wallace Wilkerson u dënua me vdekje për vrasje.

Wilkerson refuzoi të lidhej në karrige dhe të mbulohej me sy, duke thënë se donte t’i shikonte ekzekutuesit në fytyrë. Në momentin e të shtënave, ai ngriti supet dhe lëvizi pikën ku ishte përqendruar shënjestra.

Katër plumba nuk goditën organet jetike. Wilkerson mbeti gjallë dhe vuajti për rreth 27 minuta para se të shpallej i vdekur.

Edhe varja, metoda kryesore e ekzekutimit në SHBA deri në fundin e shekullit XIX, nuk ishte pa rrezik. Rezultati varej nga llogaritja e saktë e gjatësisë së litarit dhe peshës së të dënuarit.

Nëse litari ishte shumë i gjatë, ekzistonte rreziku që rënia t’i priste kokën të dënuarit. Nëse ishte shumë i shkurtër ose vendosej gabimisht, vdekja mund të ndodhte nga mbytja e ngadaltë.

Tom “Black Jack” Ketchum u ekzekutua në vitin 1901. Litari ishte shumë i gjatë dhe, i kombinuar me peshën që kishte fituar gjatë qëndrimit në burg, rënia ishte aq e fortë sa atij iu pre koka.

Sipas Sarat, me çdo metodë të re ekzekutimi është përsëritur premtimi se ajo do të ishte e sigurt, e besueshme, efikase dhe humane. Historia e ekzekutimeve në SHBA, megjithatë, përmban dhjetëra raste në të cilat procedurat nuk kanë shkuar sipas protokollit të parashikuar. Top Channel