Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka pranuar apelimin e shtetit shqiptar për vendimin e Gjykatës së Lartë, që kishte bllokuar ekstradimin drejt vendit tonë të 5 personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Adrian Nikulaj, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda lokalit të tij më 19 prill të vitit 2023.
Bëhet fjalë për Edmond Haxhiajn, i dyshuar si organizatori dhe porositësi i vrasjes, Harriet Bridgeman, Harry Simpson, Thomas Mithan dhe Steven Hunt, që dyshohet se kanë marrë pjesë në një plan që çoi në vrasjen e Nikulajt.
Pas identifikimit të autorëve, Shqipëria i kërkoi autoriteteve britanike ekstradimin e 5 personave për t’i ndjekur penalisht në Shqipëri. Në kërkesat fillestare për ekstradim, ata akuzoheshin për “vrasje për shkak të gjakmarrjes” dhe për “prodhim dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe municionit”, në bashkëpunim. Por gjatë procesit gjyqësor në Britani, akuzat mbi të cilat kërkohej ekstradimi ndryshuan. Në përfundim të seancës, kërkesa lidhej me veprën penale të “vrasjes me paramendim”.
Kjo mospërputhje mes akuzave të paraqitura në kërkesën fillestare për ekstradim dhe akuzave mbi të cilat u urdhërua më pas ekstradimi u bë shkak që Gjykata e Lartë britanike të rrëzonte urdhrat e ekstradimit.
Ky vendim i Gjykatës Supreme i hap rrugë procesit, në të cilin Gjykata e Lartë në Londër pritet të vendosë lidhur me ekstradimin në Shqipëri të Edmond Haxhiajt dhe 4 britanikëve, që patën rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të Nikulajt dhe informimin e vrasësit deri në ekzekutimin e biznesmenit në resortin e tij. I akuzuari për vrasjen e Ardian Nikulajt, portugezi Ruben Saraiva, është dënuar tashmë nga Gjykata e Lezhës me burgim të përjetshëm./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Aktualitet ekstradimnikulaj

