Detaje të reja janë zbardhur nga ekspertiza për aksidentin tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën çifti i sapomartuar Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli, si edhe një 15-vjeçar.
Sipas ekspertëve, automjeti po lëvizte me rreth 114 km/orë në momentet para përplasjes. Nga rindërtimi i dinamikës së aksidentit rezulton se drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës teksa po merrte kthesën.
Në vijim, goma e parë në anën e pasagjerit është përplasur me bordurën, duke ndikuar në humbjen e mëtejshme të stabilitetit të automjetit. Pas goditjes, makina është përmbysur dhe ka vijuar të zvarritet për rreth 40 metra, para se të ndalonte.
Ekspertiza ka nxjerrë në pah edhe një tjetër element të rëndësishëm. Analizat toksikologjike kanë rezultuar pozitive për alkool, duke konfirmuar se drejtuesi kishte konsumuar alkool para aksidentit.
Ndërkohë, dy persona të tjerë që mbetën të plagosur në aksident vijojnë të marrin trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

