Një akt-ekspertimi për automjetin “Land Rover Defender”, i kryer me kërkesë të SPAK nga Policia Shkencore, dyshohet se ka mbërritur në aplikacionin “Signal” të Ergys Agasit gjatë muajit gusht 2026. Automjeti luksoz, i zi, i sekuestruar më 22 korrik 2026 nga BKH në garazhin e vilës së Agasit pranë kompleksit “Equos Resort”, i ishte nënshtruar ekspertimit daktiloskopik për sigurimin e gjurmëve të gishtave, fijeve të flokëve, si dhe krahasimin me pamjet e një “Land Rover Defender” të përdorur në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.
Pas përfundimit të veprimeve, Policia Shkencore ka hartuar konkluzionet përfundimtare dhe një kopje të aktit i është dërguar SPAK-ut në përgjigje të kërkesës për ekspertim. Megjithatë, disa ditë më vonë, gjatë muajit gusht, tre fletë të këtij akti-ekspertimi dyshohet se janë dërguar nga Fatjon Kalluçi në numrin e përdorur nga Ergys Agasi përmes aplikacionit “Signal”. Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, komunikimi është zbuluar në telefonin e Agasit.
Agasi u arrestua më 26 gusht 2026 në Durrës, ndërsa telefoni i tij u sekuestrua në automjetin me të cilin udhëtonte. Sipas dyshimeve të hetuesve, komunikimet në “Signal” kanë ngritur dyshime se Agasi ishte vënë në dijeni të përfundimeve të ekspertizës së kërkuar nga SPAK përmes punonjësit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi. Hetimi vijon dhe, në varësi të provave që do të mblidhen, nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të hetimit dhe e shtimit të akuzave ndaj personave të tjerë, përfshirë Vlora Hysenin dhe zyrtarë të tjerë.

