Ekspertët e kriminalistikës kanë mbërritur pranë godinës së Ministrisë së Arsimit, ku po fiksojnë provat në zonat ku disa protestues sulmuan ndërtesën me mjete të forta, vezë dhe pllakat e trotuarit. Ndërkohë, policia ka krijuar një perimetër sigurie pranë ministrisë. Siç shihet edhe në fotot e siguruara nga Euronews, rruga përpara kësaj godine është mbushur me pllaka trotuari, të cilat u përdorën gjatë sulmit nga protestuesit. Kujtojmë se mesditën e kësaj të marte, një grup protestuesish u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ku disa prej tyre ndërmorën sulme ndaj godinës. Më pas, forcat e policisë i zmbrapsën protestuesit duke përdorur autobotet me ujë dhe gaz lotsjellës.
