Lajme Zone
PolitikëABC News Albania

Eksodi i shqiptarëve matanë detit/ Historia e 8 gushtit 1991, qyteti i Barit priti anijen “Vlora”


Kanë kaluar 35 vite, që kur anija “Vlora” me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, u shfaq në portin e Barit.

Kanë kaluar 35 vite, që kur anija “Vlora” me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, u shfaq në portin e Barit.

Kështu 8 gushti u bë pjesë e historisë së dy vendeve, e kujtesës së dy popujve dhe e fatit të mijëra njerëzve, të shtyrë nga një ëndërr e thjeshtë dhe e madhe njëkohësisht: të jetonin më mirë.

Por Italia, qeveria e saj, që po përballej me një eksod të paprecedentë, vendosi për t’i kthyer pas. Kjo do të ndodhte ndoshta, nëse aty nuk do të ishte Enrico Dalfino, kryetar i bashkisë së Barit, në atë kohë. ABC News po risjell historinë e kryebashkiakut që vendosi të dalë përballë vendimit të qeverisë së tij, edhe pse nuk ishte pa kosto politike për të.

“Janë njerëz. Nuk mund të braktisen”, ishte kjo fjali që tha Dalfino përballë pushtetit qendror italian, një qëndrim që i kushtoi politikisht, por që e shndërroi atë në një simbol të humanizmit dhe mikpritjes së Barit, ashtu siç kujtohet ai tani.

Institucioni që e ka drejtuar në këto momente kyçe i ka kushtuar një sallë dhe një bust figurës së tij, si dëshmi e një historie ku politika u përball me humanizmin dhe ku një kryetar bashkie vendosi të mbronte dinjitetin e njerëzve që kishin mbërritur në qytetin e tij. ABC NEWS sjell ekskluzivisht rrëfime dhe përjetime të asaj ngjarjeje, nga bashkëpunëtorë të tij të afërt, sikundër është dhe Vitto Leçese, kryetar i bashkisë së Barit.

“Kam qenë bashkëpunëtor i kryetarit të bashkisë së asaj kohe, isha këshilltar për Higjienën dhe Mjedisin në qytetin e Barit, pra bëja pjesë në qeverisjen e qytetit. Isha në molin e Barit në vitin 1991, në atë gusht të vitit ’91, kur mbërriti anija. Ishte një ngarkesë e jashtëzakonshme. Ishin momente jashtëzakonisht të vështira, sepse ai operacion humanitar u menaxhua drejtpërdrejt nga shteti, nga Ministria e Brendshme, e cila vendosi ta trajtonte si një operacion policor, me synim kthimin pas dhe riatdhesimin e tyre. Ndërsa kryetari i Bashkisë, Enrico Dalfino, kërkoi me këmbëngulje që operacioni të trajtohej si një operacion i mbrojtjes civile. Pra, ai kërkonte që t’u jepej ndihmë dhe mbështetje, sepse 18 mijë shqiptarët ishin njerëz në kërkim të shpresës, në kërkim të një të ardhmeje. Dhe për këtë arsye, ishte e drejtë që qyteti i Barit t’u ofronte atyre ndihmë”, u shpreh Vitto Leçese, kryetar i bashkisë, Bari.

Vendimi nuk ka qenë i lehtë për kryetarin e atëhershëm të Barit. Vajza e tij, Lidia Dalfino, sjell detaje se si kjo ngjarje e ndikoi Dalfinon në atë kohë.

“Ka qenë shumë e vështirë. E mbaj mend, isha me pushime, por u ktheva menjëherë dhe pashë një baba të shqetësuar. Në të vërtetë, ai ishte më shumë i shqetësuar për ata njerëz, sesa për atë që po ndodhte rreth tij në aspektin e vendimeve politike. Shqetësimi për këtë të fundit erdhi në ditët që pasuan. Kur kthehej në shtëpi, më tregonte histori njerëzish. Madje kishte hyrë edhe në anije. Më tregonte për histori vuajtjesh. Në mbrëmje, kur kthehej në shtëpi shumë vonë, ishte vërtet i trishtuar dhe i prekur nga ajo që po ndodhte. Por ai nuk u pendua kurrë për atë që tha dhe për atë që bëri”, u shpreh vajza e Enrico Dalfino, Lidia Dalfino.

Enrico Dalfino, kryebashkiaku që priti shqiptarët e anijes “Vlora”, u shkarkua, u sëmurë dhe u nda nga jeta në moshë të re, në 1994, një moment që rrëfehet nga bashkëshortja e tij, Anna Dalfino.

“Sot e çdo 8 gusht, historia e asaj dite do të kujtohet gjithmonë. 35 vite më pas, shumë prej atyre shqiptarëve që zbritën në brigjet e Barit, nuk janë më refugjatët e atij gushti. Janë familje. Janë pjesë e qytetit”, tha bashkëshortja e Enrico Dalfino, Anna Dalfino. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*Fokus*KryesoreAktualitet vlora