Lajme Zone
Egnatia debuton me barazim në Ligën e Konferencës, danezët i përgjigjen golit të Grudës (VIDEO)
SportTop Channel

Egnatia debuton me barazim në Ligën e Konferencës, danezët i përgjigjen golit të Grudës (VIDEO)

Egnatia e ka nisur me një barazim aventurën historike në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke ndarë pikët në shifrat 1-1 me danezët e Midtjylland në “Elbasan Arena”. Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje të luftuar, kaluan të parët në avantazh me anë të Grudës, por miqtë reaguan shpejt duke rivendosur baraspeshën.

Egnatia e ka nisur me një barazim aventurën historike në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke ndarë pikët në shifrat 1-1 me danezët e Midtjylland në “Elbasan Arena”. Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje të luftuar, kaluan të parët në avantazh me anë të Grudës, por miqtë reaguan shpejt duke rivendosur baraspeshën. Sfida e parë e Egnatias në këtë fazë të një kompeticioni europian u zhvillua në rrethana të veçanta, pasi për shkak të situatës në vend prej protestave, ndeshja u zhvendos nga Tirana në Elbasan.

Takimi nisi me ritëm të lartë, teksa që në minutën e katërt Dajsinani u detyrua të ndërhynte për të ndalur një gjuajtje të rrezikshme të Rajoviçit nga afër. Egnatia u përgjigj me Kryeziun, i cili provoi në minutën e pestë, ndërsa në minutën e 15-të Adjesa pati një mundësi për të rrezikuar portën daneze, por nuk arriti të devijonte siç duhet topin.

Goli i parë i mbrëmjes erdhi në minutën e 26-të. Një harkim nga e djathta gjeti Grudën në shtyllën e dytë dhe sulmuesi, me një goditje me kokë, dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Egnatian në avantazh dhe duke ndezur entuziazmin në “Elbasan Arena”.

Megjithatë, festa e vendasve zgjati vetëm gjashtë minuta. Në minutën e 32-të, një harkim nga krahu i djathtë gjeti Çon të vetëm në zonë dhe ky i fundit, me kokë, mposhti Dajsinanin për të vendosur rezultatin në 1-1.

Danezët patën edhe një tjetër rast në minutën e 30-të, kur Rajoviç përfitoi nga një pasim i gabuar i Loukilit, por portieri i Egnatias reagoi mirë. Në minutën e 39-të, Midtjylland gjeti sërish rrugën e rrjetës me Çon, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Para pushimit, Albaneze provoi të rrezikonte nga krahu i majtë, por portieri Baker grushtoi me vështirësi.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, me të dyja skuadrat që kishin treguar se mund të krijonin rrezik në portën kundërshtare.

Pas pushimit, Midtjylland bëri tri zëvendësime, duke hedhur në fushë Etim, Iheanaçon dhe Uatjen. Danezët e nisën pjesën e dytë më kërkues, ndërsa Billing provoi me një goditje dënimi në minutën e 52-të, por topi përfi mbi traversë.

Egnatia u përgjigj me Albanezen, i cili provoi nga distanca në minutën e 54-t, por portieri Baker ishte në pozicion dhe kontrolloi goditjen. Dy minuta më pas, një tjetër sulm i rrezikshëm i miqve përfi me largimin e topit në këndore nga Bitri.

Në minutën e 63-të, vendasit patën një mundësi të mirë për të kaluar sërish në avantazh. Një harkim i saktë gjeti Haime në zonë, por spanjolli nuk arriti ta drejtonte me kokë topin drejt rrjetës.

Egnatia vijoi me ndryshimet, duke aktivizuar Diabaten dhe Smajlin në minutën e 66-të, ndërsa pak më vonë Montenegro zuri vendin e Adjesës. Nga ana tjetër, Midtjylland iu afrua golit në minutën e 69-të, kur Bek devijoi me kokë pas një goditjeje këndi, por Bitri ndërhyri në momentin e duhur për të shpëtuar portën e Dajsinanit.

Në minutat e fundit, danezët ushtruan presion në kërkim të golit të fitores. Në minutën e 81-të, Uhre dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje këndi, por goli u anulua për faull ndaj portierit Dajsinani. Tri minuta më vonë, Iheanaço goditi shtyllën, por edhe në këtë rast aksioni ishte i pavlefshëm për pozicion jashtë loje.

Egnatia u përpoq të reagonte deri në fund. Në minutën e 90-të, Billing provoi nga e majta, por Dajsinani e kontrolloi topin, ndërsa në shtesë vendasit patën dy goditje radhazi në zonën e Midtjylland, të cilat u bllokuan nga mbrojtja daneze.

Në fund, gjithçka u mbyll në barazim 1-1. Egnatia e nis kështu me një pikë debutimin historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, pas një përballjeje ku tregoi karakter, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet për të marrë fitoren.

Liga e Konferencës, Raundi 1

Egnatia-Midtjylland 1-1

Gruda 26’/ Cho 33′

VIDEO – Goli i Grudës

VIDEO – Goli i Cho Top Channel