Foto Pamfleti / Dy vjet pas atentatit në Senat, Mark Antoni dhe Oktaviani shkatërruan ushtrinë e Brutit në Filipi. Fjalët e fundit të Qezarit mbetën mes historisë, mitit dhe profecisë... Dy vjet pas vrasjes së Jul Cezarit, Mark Antoni dhe Oktaviani shkatërruan ushtrinë e komplotistëve. Pas betejës mbeti një nga enigmat më të famshme të historisë: a i tha vërtet Cezari Brutit, “Et tu, Brute?” Më 23 tetor të vitit 42 p.e.s., në fushën pranë qytetit të Filipit në Maqedoni, u zhvillua akti përfundimtar i një lufte që kishte nisur me 23 goditje thike në zemër të Romës.
Nga njëra anë qëndronin Mark Antoni dhe Oktaviani, trashëgimtari i ri i Jul Cezarit. Përballë tyre ishte Mark Jun Bruti, një nga udhëheqësit e komplotit që kishte vrarë Cezarin dy vjet më parë. Pas disa orësh luftimesh, ushtria e Brutit u thye. Ai u tërhoq në kodrat përreth dhe, kur kuptoi se rezistenca kishte marrë fund, zgjodhi vetëvrasjen në vend të dorëzimit.
Me vdekjen e tij nuk përfi vetëm lufta kundër vrasësve të Cezarit. Në Filip mori fund edhe përpjekja e fundit serioze ushtarake për të rikthyer Republikën e vjetër Romake.
Por përse Roma arriti deri në këtë pikë? A ishte lufta thjesht hakmarrje për vrasjen e Cezarit? Dhe çfarë tha realisht diktatori kur pa Brutin mes sulmuesve?
Vrasja që nuk e shpëtoi Republikën
Në mëngjesin e 15 marsit të vitit 44 p.e.s., Jul Cezari hyri në sallën ku do të mblidhej Senati. Mbledhja nuk zhvillohej në ndërtesën tradicionale të Senatit, e cila po rindërtohej, por në kompleksin e teatrit të Pompeut.
Qezari ishte në kulmin e pushtetit. Pas luftës civile kundër Pompeut dhe forcave republikane, ai kishte marrë titullin dictator perpetuo, diktator i përjetshëm. Kishte grumbulluar në duart e veta poste, privilegje dhe kompetenca që më parë ndaheshin ndërmjet institucioneve të Republikës.
Përkrahësit e tij e shihnin si burrin që kishte rivendosur rendin pas dekadash krizash. Kundërshtarët shihnin një monark pa kurorë. Në Romë qarkullonin zëra se, përpara fushatës së planifikuar kundër Parthisë, Cezari mund të shpallej mbret jashtë Italisë.
Frika nga mbretëria kishte peshë të jashtëzakonshme në kulturën politike romake. Sipas traditës, Republika ishte themeluar pasi romakët kishin dëbuar mbretin e fundit. Për senatorët që u bashkuan në komplot, vrasja e Cezarit paraqitej si një akt për mbrojtjen e libertas, lirisë republikane kundër sundimit të një njeriu të vetëm.
Suetoni shkruan se në komplot morën pjesë më shumë se 60 veta dhe se ndër udhëheqësit kryesorë ishin Gai Kas Longini, Mark Bruti dhe Decim Bruti. Ky i fundit, shpesh i lënë në hije nga historia, kishte qenë një nga njerëzit më të besuar të Cezarit dhe luajti rol vendimtar për ta bindur të shkonte në mbledhjen e Senatit. Komplotistët u mblodhën rreth tij me pretekstin e paraqitjes së një kërkese. Pasi njëri prej tyre i tërhoqi togën, goditja e parë erdhi nga Publi Servil Kaska. Sipas rrëfimit të Suetonit, Cezari u përpoq fillimisht të mbrohej, por u rrethua nga të gjitha anët. Kur pa se nuk kishte rrugë shpëtimi, mbuloi kokën dhe këmbët me togën e tij. Në trupin e Cezarit u numëruan 23 plagë, megjithëse mjeku Antistius mendonte se vetëm njëra kishte qenë vdekjeprurëse. Trupi ra pranë bazamentit të statujës së Pompeut, rivalit që Cezari kishte mundur në luftën e mëparshme civile. Për romakët, skena mbartte një simbolikë të frikshme: pushtuesi i Pompeut po vdiste, sikur të flijohej, nën hijen e tij.
Komplotistët kishin menduar hollësisht si ta vrisnin Cezarin. Nuk kishin menduar po aq mirë se çfarë do të ndodhte pas vdekjes së tij.
Kur vrasësit humbën betejën politike
Bruti dhe bashkëpunëtorët e tij dolën në rrugët e Romës duke thirrur se kishin rivendosur lirinë. Por qytetarët nuk u bashkuan menjëherë me ta. Shumica u mbyllën në shtëpi, të pasigurt se cili grup do të merrte pushtetin.
Komplotistët nuk e kishin vrarë Mark Antonin, konsullin dhe bashkëpunëtorin më të fuqishëm të Cezarit. Bruti kishte këmbëngulur që atentati të mos shndërrohej në masakër politike. Ky vendim i lejoi Antonit të merrte kontrollin e dokumenteve, të pasurisë dhe të rrjetit politik të Cezarit.
Fillimisht u arrit një kompromis. Senati u dha amnisti vrasësve, ndërsa vendimet dhe emërimet e Cezarit mbetën në fuqi. Por ekuilibri u shemb gjatë funeralit.
Testamenti i Cezarit u linte para qytetarëve romakë dhe hapte për publikun kopshtet e tij. Mark Antoni shfrytëzoi ceremoninë për të nxitur emocionet e turmës. Pas funeralit, qytetarët e zemëruar kërkuan shtëpitë e Brutit dhe Kasit. Udhëheqësit e komplotit u detyruan të largoheshin nga Roma. Kështu, vrasja që duhej të shpëtonte Republikën krijoi një boshllëk pushteti. Institucionet nuk ishin më aq të forta sa të vendosnin rend. Legjionet u bindeshin komandantëve që i paguanin. Senatorët kërkonin mbrojtje nga gjeneralët. Politika romake po vendosej gjithnjë e më shumë nga ushtria.
Oktaviani kthehet nga Apolonia
Kur u vra Cezari, Gai Oktavi ishte vetëm 18 vjeç. Ai ndodhej në Apoloni, në territorin e Ilirisë antike, pranë Fierit të sotëm. Cezari e kishte dërguar atje për t’u arsimuar dhe për t’u përgatitur për fushatën kundër dakëve dhe parthëve.
Oktaviani nuk ishte ende formalisht “djali i birësuar i Cezarit” në çastin e vrasjes. Birësimi u bë i njohur përmes testamentit: Cezari e caktonte trashëgimtar të pjesës më të madhe të pasurisë dhe e pranonte pas vdekjes në familjen e tij. Oktaviani mori emrin Gai Jul Cezar, ndërsa historia e njeh zakonisht si Oktavian për ta dalluar nga babai adoptues. Suetoni tregon se, kur mori lajmin në Apoloni, Oktaviani mendoi të kërkonte ndihmën e legjioneve të vendosura aty, por e konsideroi hapin të parakohshëm. Ai u kthye në Itali dhe vendosi të pranonte trashëgiminë, pavarësisht paralajmërimeve të familjes. Nuk është e saktë të thuhet se ai u nis menjëherë në ndjekje të Brutit. Fillimisht iu desh të siguronte emrin, pasurinë dhe përkrahësit e Cezarit. Ai pagoi me këmbëngulje shumën që testamenti u premtonte qytetarëve dhe rekrutoi veteranët e Cezarit. Emri i adoptuesit u bë arma e tij më e fuqishme politike.
Në fillim, Oktaviani dhe Mark Antoni ishin rivalë. Senati, i drejtuar politikisht nga Ciceroni, u përpoq ta përdorte Oktavianin kundër Antonit. Por pas luftimeve pranë Mutinës në vitin 43 p.e.s., dy konsujt e Republikës vdiqën dhe Oktaviani mbeti me një ushtri të fuqishme nën komandë. Kur Senati nuk i dha shpërblimet dhe postet që kërkonte, ai marshoi drejt Romës dhe siguroi konsullatën.
Më pas bëri paqe me Antonin.
Në nëntor të vitit 43 p.e.s., Oktaviani, Antoni dhe Mark Emili Lepidi krijuan Triumviratin e Dytë. Ndryshe nga marrëveshja e dikurshme mes Cezarit, Pompeut dhe Krasit, kjo nuk ishte thjesht një aleancë private. Ligji Titia u dha triumvirëve kompetenca të jashtëzakonshme për pesë vjet.
Ata hartuan listat e proskriptimeve. Armiqtë politikë shpalleshin jashtë ligjit, pasuritë e tyre konfiskoheshin dhe vrasësit merrnin shpërblime. Mes viktimave më të njohura ishte Ciceroni, të cilin njerëzit e Antonit e kapën dhe e vranë.
Proskriptionet kishin tri qëllime: asgjësimin e kundërshtarëve, financimin e ushtrisë dhe terrorizimin e kujtdo që mund të mbështeste Brutin e Kasin.
Shkaku i vërtetë i luftës
Vrasja e Cezarit ishte shkëndija e drejtpërdrejtë, por jo shkaku i vetëm i luftës. Konflikti lindi nga ndërthurja e disa krizave.
Së pari, Republika ishte dobësuar nga dekada luftërash civile, pabarazie ekonomike dhe rivaliteti ndërmjet gjeneralëve. Reforma politike dhe dhuna ishin bërë pothuajse të pandashme.
Së dyti, pushteti i Cezarit kishte krijuar frikën se Republika po shndërrohej në monarki. Komplotistët e vranë njeriun, por nuk mundën të rindërtonin institucionet që ai kishte dominuar.
Së treti, ushtarët ishin më besnikë ndaj komandantëve dhe premtimeve për tokë e para sesa ndaj Senatit. Asnjë grup politik nuk mund të snte pa legjione.
Së katërti, testamenti i Cezarit solli në skenë Oktavianin. Brenda pak muajsh, djaloshi i panjohur u shndërrua në udhëheqësin e veteranëve dhe trashëgimtarin e emrit më të fuqishëm në Romë.
Së fundi, vrasësit e Cezarit kishin në dispozicion ushtri dhe provinca. Bruti mori nën kontroll Maqedoninë, ndërsa Kasi siguroi Sirinë dhe pjesë të mëdha të Lindjes. Ata mblodhën para, detyruan qytete të paguanin dhe krijuan një forcë prej shumë legjionesh.
Për triumvirët, lufta paraqitej si hakmarrje e ligjshme për vrasjen e Cezarit. Për Brutin dhe Kasin, ajo zhvillohej në emër të Republikës. Në realitet, të dyja palët luftonin edhe për kontrollin e shtetit, të provincave, të pasurisë dhe të ushtrive.
Duhet gjithashtu të kemi kujdes me fjalën “liri”. Libertas e Brutit nuk nënkuptonte demokraci në kuptimin modern. Ajo nënkuptonte kryesisht të drejtën e aristokracisë senatoriale për të mos iu nënshtruar sundimit të përhershëm të një individi.
Dy betejat e Filipit
Në vitin 42 p.e.s., ushtritë e Antonit dhe Oktavianit kaluan Adriatikun. Bruti dhe Kasi zunë pozicione të fortifikuara pranë Filipit, në Maqedoni. Ata kishin epërsi detare dhe mundësi më të mira furnizimi. Strategjia më e arsyeshme për ta ishte të prisnin derisa uria dhe mungesa e furnizimeve ta dobësonin armikun.
Mark Antoni nisi ndërtimin e rrugëve dhe ledheve përmes terrenit kënetor, duke u përpjekur t’i dilte Kasit në krah dhe t’i priste lidhjen me portet.
Përplasja e parë e madhe ndodhi më 3 tetor. Beteja u nda në dy pjesë pothuajse të pavarura. Bruti sulmoi forcat e Oktavianit, i theu ato dhe pushtoi kampin e tyre. Në anën tjetër, Antoni mposhti Kasin dhe mori kampin e tij.
Për shkak të pluhurit dhe kaosit, Kasi nuk e kuptoi se Bruti kishte fituar. Duke menduar se e gjithë beteja kishte humbur, ai urdhëroi një nga njerëzit e tij ta vriste. Vetëm pak më vonë mbërriti lajmi se krahu i Brutit kishte triumfuar. Në kuptimin ushtarak, beteja e parë kishte përfunduar pothuajse në barazim, por vetëvrasja e Kasit u hoqi republikanëve komandantin e tyre më me përvojë. Për rreth tri javë, Bruti u përpoq të shmangte një betejë tjetër. Koha punonte në favorin e tij, sepse furnizimet e triumvirëve po pakësoheshin. Por presioni i oficerëve, frika nga dezertimet dhe manovrat e Antonit e detyruan të pranonte përballjen.
Më 23 tetor u zhvillua beteja e dytë. Këtë herë luftimet përfunduan me fitoren e plotë të forcave të Antonit dhe Oktavianit. Roli kryesor ushtarak i takoi Antonit, ndërsa reputacioni i Oktavianit do të rritej më vonë falë propagandës dhe fitores së tij përfundimtare në luftërat civile.
Bruti u largua nga fusha me mbetjet e ushtrisë dhe u strehua në kodrat përreth. Sipas Apianit, kishte ende disa legjione, por ushtarët dhe oficerët nuk pranuan të provonin një sulm tjetër. Bruti deklaroi se tashmë nuk mund t’i shërbente më atdheut. Miku i tij Stratoni mbajti shpatën dhe Bruti u hodh mbi të. Antoni, sipas traditës, e trajtoi trupin e kundërshtarit me respekt. E mbuloi me mantelin e tij të purpurt, organizoi djegien dhe urdhëroi që hiri t’i dërgohej Servilias, nënës së Brutit dhe ish të dashurës së Cezarit.
Fitorja në Filip nuk i dha fund menjëherë Republikës si formë juridike. Senati, konsujt dhe magistraturat vazhduan të ekzistonin. Por pushteti real tani ndodhej te triumvirët dhe legjionet e tyre. Pas largimit të Lepidit nga skena, Antoni dhe Oktaviani do të përplaseshin me njëri-tjetrin. Lufta përfundimtare do të vendosej në Aktium, në vitin 31 p.e.s., duke hapur rrugën për sundimin e Oktavian Augustit.
A tha Cezari “Et tu, Brute?”
Versioni më i famshëm i vdekjes së Cezarit vjen nga tragjedia Jul Cezari e Uilliam Shekspirit, e shkruar rreth vitit 1599. Kur sheh Brutin mes sulmuesve, Cezari i Shekspirit thotë:
“Et tu, Brute? Then fall, Caesar.”
Pra: “Edhe ti, Brut? Atëherë rrëzohu, Cezar.”
Fuqia e skenës e ktheu frazën në simbol universal të tradhtisë. Megjithatë, nuk kemi dëshmi se Cezari i shqiptoi pikërisht këto fjalë në latinisht.
Suetoni, i cili shkroi rreth një shekull e gjysmë pas ngjarjes, jep dy versione. Fillimisht thotë se Cezari nuk foli, përveç një rënkimi pas goditjes së parë. Më pas shton se “disa kanë shkruar” se, kur pa Brutin, ai tha në greqisht:
“Kai sy, teknon?”
Shprehja mund të përkthehet “Edhe ti, fëmijë?”, “Edhe ti, biri im?” ose më lirshëm “Edhe ti, djalë?”. Suetoni nuk e paraqet këtë si fakt të sigurt, por si një version që qarkullonte. Plutarku nuk përmend asnjë fjali. Ai tregon se Cezari u përpoq të mbrohej, por kur pa Brutin me shpatë të zhveshur, tërhoqi togën mbi kokë dhe nuk rezistoi më. Prandaj, nga burimet antike dalin tri mundësi:
· Cezari nuk tha asgjë.
· Tha disa fjalë në greqisht, jo “Et tu, Brute?” në latinisht.
· Fjalët iu atribuuan më vonë për ta bërë vdekjen e tij më dramatike.
Edhe kuptimi i frazës greke mbetet i hapur. Mund të ketë shprehur tronditjen e Cezarit për pjesëmarrjen e Brutit. Por një interpretim modern sugjeron se mund të ketë qenë një paralajmërim ose mallkim: “Edhe ti do të pësosh të njëjtin fat”.
Ky interpretim mbështetet në përdorimin proverbial të formulave të ngjashme greke. Megjithatë, nuk mund të përkthehet me siguri si “Në ferr shkofsh”, dhe as versioni “edhe ti do ta provosh shijen e pushtetit” nuk është përkthim i drejtpërdrejtë i tri fjalëve. Këto janë përpjekje për të rindërtuar një nëntekst të mundshëm, jo fjalët e dokumentuara të Cezarit.
A ishte Bruti djali i Cezarit?
Fjala greke teknon ka ndihmuar në përhapjen e idesë se Bruti mund të ishte djali jashtëmartesor i Cezarit. Dyshimi u ushqye edhe nga marrëdhënia e njohur e Cezarit me Servilian, nënën e Brutit.
Por nuk ekziston asnjë provë serioze për atësinë.
Qezari kishte lindur në vitin 100 p.e.s., ndërsa Bruti rreth vitit 85 p.e.s. Cezari do të kishte qenë vetëm rreth 15 vjeç në kohën e ngjizjes së tij. Kjo nuk e bën biologjikisht të pamundur atësinë, por kronologjia dhe mungesa e dëshmive e bëjnë hipotezën shumë të dobët. Marrëdhënia e dokumentuar ndërmjet Cezarit dhe Servilias i përket një periudhe më të vonë.
Për më tepër, teknon nuk nënkuptonte domosdoshmërisht bir biologjik. Mund të përdorej me përzemërsi nga një burrë më i moshuar ndaj një më të riu.
Lidhja mes tyre, megjithatë, kishte një dimension personal. Pas betejës së Farsalit, Cezari e fali Brutin dhe e ndihmoi të ngjitej në karrierën politike. Bruti ishte emëruar pretor për vitin 44 p.e.s. dhe gëzonte besimin e diktatorit. Pikërisht kjo e bëri pjesëmarrjen e tij në komplot kaq tronditëse për brezat e mëvonshëm.
Nga historia në mit
Lufta civile pas vrasjes së Cezarit nuk shpërtheu vetëm sepse Oktaviani dhe Antoni kërkonin hakmarrje. Ajo shpërtheu sepse Republika kishte humbur aftësinë për të zgjidhur konfliktet politike pa ushtri, sepse pushteti i Cezarit kishte frikësuar aristokracinë dhe sepse vrasësit e tij nuk kishin një plan të zbatueshëm për ditën pas atentatit.
Bruti vrau Cezarin duke besuar se po i kthente lirinë Romës. Në vend të kësaj, vrasja solli Triumviratin, proskriptionet, ekzekutimet dhe një luftë tjetër civile. Në Filip, ai nuk humbi vetëm ushtrinë. Humbën edhe shpresat se Republika e vjetër mund të ringrihej me forcën e shpatës.
Sa për “Et tu, Brute?”, historia nuk mund të vërtetojë se Cezari e shqiptoi. Por letërsia bëri atë që dokumentet nuk mundën: përmblodhi në tri fjalë tragjedinë e pushtetit, miqësisë dhe tradhtisë.
Cezari mund të mos e ketë thënë kurrë atë fjali. Megjithatë, pas më shumë se dy mijë vjetësh, bota vazhdon ta dëgjojë./Pamfletiedhe ti brut mallkimi që ndoqi vrasësit e cezarit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture Nga Manastiri te “Lahuta”, Gjergj Fishta, zëri epik i Shqipërisë në betejën për gjuhën dhe kombin 23 Tetor 2026, 15:2815:28Kulture Ndahet nga jeta Tom Skerritt, aktori i famshëm i filmave ‘Alien’ dhe ‘Picket Fences’ 23 Tetor 2026, 08:1308:13Kulture Pse regjimet kanë frikë nga muzika? 22 Tetor 2026, 19:0519:05Kulture Marjeta Ljarja ngjitet në skenën e “Migjeni”-t me një histori që prek shpirtin dhe rikthen besimin te dashuria e pastër 22 Tetor 2026, 15:4015:40Kulture Protestat nuk ndalin koleksionistët, Art Basel Paris mbush kryeqytetin francez me vepra arti dhe shitje milionëshe 22 Tetor 2026, 13:2613:26Kulture Një fabrikë e vdekur nga Gana ringrihet përballë Luvrit 22 Tetor 2026, 12:3312:33Kulture

