Lajme Zone
“Eci zbathur mbi prush”, anatomia e një zjarri të heshtur
KulturëPamfleti

“Eci zbathur mbi prush”, anatomia e një zjarri të heshtur

Në këtë hapësirë të paqartë mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që mbetet, vendoset edhe libri poetik Eci zbathur mbi prush i Gjergj Zefit.

Eci zbathur mbi prush / Me librin poetik “Eci zbathur mbi prush”, të sapodalë në qarkullim nga Botimet Pegi, Gjergj Zefi na fton në një udhëtim përmes mitit, dashurisë dhe kujtesës, atje ku koha nuk arrin të shuajë gjithçka dhe ku përvojat e jetuara vazhdojnë të digjen në heshtje... Ka gjëra që koha i fshin nga kujtesa, ashtu siç ka të tjera që i bën më të pranishme me kalimin e viteve. Disa përvoja përfjnë në çastin kur i jetojmë; të tjera vazhdojnë brenda nesh, duke marrë kuptime të reja sa herë u kthehemi. Ndoshta pikërisht këtu zë fill poezia: në atë pjesë të jetës që ka kaluar, por që ende nuk ka përfunduar brenda njeriut.

Në këtë hapësirë të paqartë mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që mbetet, vendoset edhe libri poetik Eci zbathur mbi prush i Gjergj Zefit.

Titulli i librit sugjeron një përvojë të drejtpërdrejtë me dhimbjen. Të ecësh zbathur mbi prush do të thotë të përballesh me zjarrin pa asgjë që të të mbrojë prej tij. Por prushi ka edhe një kuptim tjetër: ai është zjarri që vazhdon të jetojë pasi flaka është shuar. Në këtë dykuptimësi mund të kërkohet një nga çelësat e librit.

Poezia e Gjergjit duket se merret pikërisht me anatominë e këtyre zjarreve të heshtura: me atë që na ka djegur dikur dhe që, në forma të tjera, vazhdon të jetojë brenda nesh.

I njohur për veprimtarinë e tij në gazetari, Gjergji i afrohet poezisë nga një përvojë që, në pamje të parë, duket e largët prej saj. Gazetaria kërkon ngjarjen, faktin, dëshminë. Poezia merret shpesh me atë që u shpëton të tria këtyre: me kujtesën e një ndjesie, me peshën e një mungese, me atë pjesë të së vërtetës që nuk mund të provohet, por që njeriu e njeh si të vetën.

Në shënimin hyrës të librit, autori shkruan: «Unë nuk jam poet. Jam një gazetar që shkruaj poezi.»

Ky pohim përmban një paradoks. Njeriu që ka kaluar një pjesë të madhe të jetës duke vëzhguar botën, në një çast ndien nevojën të vështrojë atë që bota ka lënë brenda tij.

Gjergji e quan poezinë «një lloj profilaksie e shpirtit». Shprehja lidhet me paralajmërimin e njohur të Nietzsche-s për humnerën që, pasi e ke vështruar gjatë, nis të të vështrojë edhe ajo. Për një gazetar, i cili përballet vazhdimisht me pushtetin, dhunën, gënjeshtrën dhe fatet e thyera njerëzore, kjo marrëdhënie nuk mbetet thjesht një figurë filozofike.

Megjithatë, do të ishte kufizuese ta lexonim librin vetëm përmes profesionit të autorit. Gazetaria mund të shpjegojë një pjesë të shtysës për të shkruar, por nuk shpjegon botën që krijohet në poezi.

Në Eci zbathur mbi prush, përvoja intime ndërthuret me mitologjinë, historinë dhe kujtesën kulturore. Perënditë e lashta, figurat biblike, qytetet dhe peizazhet nuk shfaqen si dëshmi erudicioni. Ato bëhen pjesë e një përpjekjeje për t'i dhënë përmasë më të gjerë asaj që, në thelb, mbetet thellësisht njerëzore.

Miti ka një veti të çuditshme: u jep emra të përjetshëm përvojave që secili prej nesh i jeton si të papërsëritshme. Dashuria, xhelozia, tradhtia, dëshira dhe vdekja kanë ndryshuar pak që nga koha kur njerëzit filluan t'i rrëfenin përmes perëndive.

Në këtë kuptim, prania e mitologjisë në poezinë e Gjergjit krijon një marrëdhënie mes së përkohshmes dhe së përjetshmes. Një trup gruaje, një takim, një ndarje apo një kujtim mund të mbartin jehonën e një historie shumë më të vjetër se vetë personazhet që i jetojnë.

Kjo ndërthurje i jep librit një dimension që shkon përtej rrëfimit vetjak. Njeriu bashkëkohor, me vetminë dhe pasiguritë e tij, shfaqet si trashëgimtar i të njëjtave pyetje që kanë munduar njerëzimin prej mijëra vjetësh.

Një tjetër prani e vazhdueshme në këtë poezi është koha. Jo koha e kalendarit, por ajo që lë gjurmë në trup, në marrëdhënie dhe në kujtesë.

Te poezia Gushti, pjekuria e natyrës dhe e trupit njerëzor shfaqet në prag të shuarjes. Rrushi, fiqtë e çarë, jasemini dhe trupi i gruas krijojnë një peizazh ku bukuria është e pandashme nga vetëdija e kalimit të saj.

Poezia mbyllet me vargjet:

Jashtë,

ka ardhë dimri;

brenda,

ende digjet gushti.

Në këtë kundërvënie të thjeshtë mes dimrit dhe gushtit gjendet një nga idetë më të ndjeshme të librit: njeriu nuk plaket njëlloj në të gjitha pjesët e qenies së tij. Trupi i nënshtrohet kohës, ndërsa kujtesa dhe dëshira mund të vazhdojnë të jetojnë sipas një kalendari tjetër.

Te Gruaja e asaj nate, kjo marrëdhënie bëhet edhe më e dukshme. Kujtesa nuk mbetet vetëm në mendje. Ajo ruhet në trup, në një drithërimë që mund të zgjohet edhe kur vitet kanë ndryshuar gjithçka tjetër.

Ndërsa te Ullinjtë që s'i mbollëm, poezia zhvendoset drejt një forme tjetër të humbjes: asaj që nuk ka ndodhur kurrë. Ullinjtë e pambjellë bëhen shenjë e një jete të mundshme, e një të ardhmeje që ka ekzistuar vetëm në dëshirë.

Njeriu, në fund të fundit, nuk mbart vetëm kujtimin e asaj që ka jetuar. Ai mbart edhe peshën e asaj që nuk guxoi ta jetonte.

Këtu ideja e anatomisë së zjarrit merr një kuptim më të thellë. Nuk është vetëm dhimbja e asaj që kemi humbur, por edhe prania e asaj që nuk e patëm kurrë. Disa mungesa nuk kanë një ngjarje nga e cila të kenë lindur. Megjithatë, ato mund të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Poezia ka aftësinë t'u japë një lloj ekzistence edhe këtyre mungesave. Ajo nuk e ndryshon atë që ka ndodhur, por na lejon të shohim se edhe ajo që nuk ndodhi mund të ketë lënë gjurmë.

Titulli ‘Eci zbathur mbi prush’ sugjeron kështu më shumë sesa përballjen me dhimbjen. Ai mund të lexohet edhe si një figurë e vetë shkrimit: përpjekja për të kaluar përmes përvojave që djegin, duke mos humbur ndjeshmërinë.

Libri përmbyllet me poezinë Kandili. Nga prushi i titullit te drita e kandilit krijohet një lidhje simbolike që mund të lexohet si një udhëtim nga zjarri që djeg te drita që ruhet.

Në fillim është prushi, nxehtësia e fshehur nën hi. Në fund është kandili, një flakë e vogël që nuk synon të përfshijë gjithçka, por vetëm të ndriçojë aq sa duhet për të mos mbetur në errësirë.

Mes këtyre dy figurave mund të përfytyrohet edhe lëvizja e brendshme e librit: nga përvoja që lë plagë drejt përpjekjes për t'i dhënë asaj një kuptim.

Në këtë udhëtim, dashuria, kujtesa, mitologjia dhe vetëdija e vdekjes nuk japin përgjigje përfundimtare. Ato e bëjnë më të dukshme pyetjen që qëndron pas tyre: çfarë mbetet nga njeriu pasi koha ka marrë gjithçka që mund të marrë?

Në shënimin e tij hyrës, Gjergji bën një dallim mes dy mënyrave të të shkruarit: gazetaria e ka mësuar të kërkojë faktin, ndërsa poezia të kërkojë atë që mbetet pasi faktet fiken.

Ndoshta ky dallim është edhe një çelës për leximin e ‘Eci zbathur mbi prush’.

Sepse faktet i përkasin asaj që ka ndodhur. Kujtesa, dëshira dhe humbja vazhdojnë të veprojnë shumë kohë më pas.

Dhe ndonjëherë, ajo që mbetet prej një jete nuk është ngjarja që mund të rrëfejmë, por gjurma që ajo ka lënë tek ne.

Ajo gjurmë është ndoshta forma më e heshtur e zjarrit.eci zbathur mbi prush anatomia e një zjarri të heshtur edjona dervishi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture Koleksioni i rrallë i Salvador Dalisë në ankand, thesari që fshihet që nga viti 1974 4 Nëntor 2026, 22:4822:48Kulture Miti i Demokracisë 4 Nëntor 2026, 22:3022:30Kulture Nga Musolini e Lef Nosi, te Enver Hoxha, Maks Velo e Sudja, Ben Blushi zbulon 100 personazhet e romanit “Historitë e çmendura të Tiranës” 4 Nëntor 2026, 16:5816:58Kulture U shty për në dhjetor, zbulohen datat e reja të Panairit të Librit 4 Nëntor 2026, 16:1516:15Kulture Luvri siç nuk e keni parë: 300 fotografi zbulojnë historinë dhe prapaskenat e muzeut 4 Nëntor 2026, 13:1913:19Kulture Warhol, Koons dhe 54 kryevepra, Roma hap thesarin e gruas që ndryshoi artin modern 3 Nëntor 2026, 13:5013:50Kulture