Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Vlorë, ku një 73-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e biznesit të tij hidrosanitar. Viktima është identifikuar si Ylli Shakaj, pronar i aktivitetit. Sipas informacioneve paraprake, i moshuari po merrej me shkarkimin e një kamioni të ngarkuar me panele, kur ngarkesa është rrëzuar dhe e ka zënë poshtë.
Pavarësisht ndërhyrjes, 73-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, ndërsa po vijojnë përpjekjet për nxjerrjen e trupit, i cili ndodhet ende nën panelet e rrëzuara.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar se si ndodhi incidenti dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë gjatë procesit të shkarkimit.
Ekspertët pritet të kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe rrethanat e plota të tragjedisë.

