Një 19-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën këtë të hënë në zonën e Kunes, në Shëngjin, ndërsa mediat në Kosovë bëjnë të ditur se i riu është identifikuar si Shpëtim Syla. Sipas raportimeve, 19-vjeçari është gjetur pa shenja jete në ujë. Ende nuk janë të qarta rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse i riu është mbytur gjatë qëndrimit në det apo ka pësuar arrest kardiak. Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Lezhës, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Ekspertiza pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
