Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në Ksamil, ku një i ri humbi jetën pasi u aksidentua me automjetin që drejtonte.
Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si "Pema e Thatë". Sipas të dhënave paraprake, viktima është identifikuar si 20-vjeçari Antonio Mateli, banues në Ksamil, i cili po drejtonte një furgon në momentin e aksidentit.
Pavarësisht përpjekjeve për t'i dhënë ndihmën mjekësore, i riu nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
Njoftim i Policisë:
Ksamil/ Informacion paraprak
Rreth orës 18:10, në rrugën e Plazhit, në zonën e Lagunës, Ksamil, një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. Gj., rreth 22 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri i automjetit, shtetasi A. M., rreth 20 vjeç.
Drejtuesi i automjetit është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacionit paraprak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për dokumentimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shkakut të tij.

