Një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Pogragjë të Gjilanit, në Kosovë. I dyshuari për ngjarjen është larguar nga vendi i krimit dhe ndodhet në kërkim nga Policia e Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se policia ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri rreth orës 19:30. Sipas Osmanit, viktima është një 29-vjeçar, i lindur në vitin 1997. Vdekja e tij është konstatuar në vendngjarje nga ekipi mjekësor. “Sipas informatave fillestare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1997. Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka njoftuar Osmani. Ndërkohë, sipas informacioneve paraprake të mediave lokale, dyshohet se autori i ngjarjes mund të jetë babai i viktimës. Kjo rrethanë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia. Zëdhënësi i Policisë bëri të ditur se personi i dyshuar është shtetas kosovar dhe i njohur për autoritetet, ndërsa pas ngjarjes është larguar dhe po kërkohet nga forcat e rendit.
“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi Osmani.
Ngjarja në Pogragjë vjen vetëm pak ditë pas një vrasjeje të dyfishtë në Livoq të Ulët të Gjilanit, më 10 tetor, ku dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur. Sipas informacioneve të raportuara, i plagosuri vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

