Një incident është regjistruar gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku një gazetar i News24 është përplasur verbalisht me efektivët e Policisë së Shtetit, teksa po raportonte zhvillimet nga terreni. Përplasja ka ndodhur në momentin kur forcat e rendit kanë kërkuar largimin e grupeve të xhirimit të mediave nga zona përpara godinës së qeverisë, ku po zhvillohej protesta studentore. Gazetari i News24 ka kundërshtuar urdhrin e efektivëve, duke kërkuar sqarime për arsyet e largimit të përfaqësuesve të medias dhe për kufijtë e perimetrit të sigurisë. “Pse duhet të largohen mediat nga Kryeministria? Ku është perimetri i sigurisë? Kush është rreziku që na kanoset?”, dëgjohet të thotë gazetari gjatë debatit me policët. Incidenti ka ndodhur në një kohë kur policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit dhe ka nisur shoqërimin e disa prej tyre, pas tensioneve të regjistruara gjatë tubimit.
Largimi i grupeve të xhirimit ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e gazetarëve për të ndjekur dhe dokumentuar nga afër veprimet e policisë gjatë protestës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
