Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, se është arritur një dakordësi në parim për hapjen e një Konsullate serbe në Shkodër ka nxitur debate në Shqipëri. Por përtej reagimeve të shumta, sodomos nga opozita, ajo që bie në sy është mospërputhja mes mënyrës se si Tirana dhe Beogradi kanë paraqitur takimet mes dy ministrave të Jashtëm gjatë muajve të fundit.
Nga njëra anë, pala serbe flet hapur për një marrëveshje në parim për shkëmbimin e konsullatave, kurse ana tjetër, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë nuk e ka përmendur publikisht mundësinë e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër.
Më konkretisht:
Takimi i parë, 18 prill 2026
Takimi i parë mes ministrit shqiptar Ferit Hoxha dhe homologut serb Marko Gjuriç u zhvillua më 18 prill 2026, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias.
Në deklaratën e publikuar nga Ministria shqiptare, Hoxha njoftoi se kishte mirëpritur gatishmërinë e Serbisë për t'iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc. Deklarata ndalet te bashkëpunimi rajonal, dialogu Kosovë–Serbi dhe marrëdhëniet ekonomike, por nuk përmend në asnjë rresht një konsullatë serbe në Shkodër.
Edhe komunikata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë për këtë takim nuk përmend një marrëveshje për konsullata. Ajo fokusohet në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, integrimin europian dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Expo 2027 në Beograd.
Takimi i dytë , 17 korrik 2026Dy ministrat u takuan sërish më 17 korrik 2026, në Uashington, në kuadër të takimit ministror për luftën kundër terrorizmit politik.
Edhe kësaj radhe, komunikata e Ministrisë shqiptare u përqendrua pothuajse tërësisht te Kosova. Ferit Hoxha bëri të ditur se i kishte përsëritur homologut serb kundërshtimin e Shqipërisë ndaj deklaratave të ministrave serbë për Kosovën dhe kishte theksuar nevojën për të shmangur retorikën që nxit tensione në rajon. Edhe në këtë deklaratë nuk ka asnjë referencë për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.
Vetëm pak ditë më vonë, gjatë prezantimit të bilancit të punës së Ministrisë së Jashtme serbe, Marko Gjuriç deklaroi publikisht se Serbia dhe Shqipëria kishin arritur një marrëveshje në parim për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Serbisë në Shkodër dhe të një Konsullate të Përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc. Sipas tij, kjo ishte pjesë e zgjerimit të pranisë diplomatike të Serbisë në rajon.
Kjo ishte hera e parë që opinioni publik shqiptar dëgjoi zyrtarisht për një konsullatë serbe në Shkodër.
Natyrshëm lind pyetja, nëse deklarata e ministrit serb është e saktë, pse Ministria shqiptare nuk e informoi opinionin publik për një çështje të tillë.
Nëse nuk ka pasur një dakordësi të tillë, atëherë mbetet për t'u sqaruar pse pala serbe e paraqiti publikisht si fakt të kryer.
Kjo mospërputhje ka krijuar konfuzion në Shqipëri, ndërsa deri tani Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk ka dhënë një sqarim publik nëse është diskutuar apo jo hapja e një konsullate serbe në Shkodër. Vokshi: Nëse është dakordësuar konsullata serbe në Shkodër, Ferit Hoxha duhet të largohet
30 Korrik, 15:01 Pse Shkodra?
Sipas të dhënave të Censusit 2023, në qarkun e Shkodrës jetojnë vetëm disa dhjetëra shtetas të vetëdeklaruar serbë, ndërsa në Luginën e Preshevës jeton një komunitet i madh shqiptar, për të cilin Shqipëria prej kohësh ka kërkuar një prani konsullore në Bujanoc.
Kjo është arsyeja pse opozita e konsideron të pashpjegueshme idenë e një konsullate serbe në Shkodër dhe kërkon transparencë mbi negociatat e zhvilluara mes dy ministrive.
Deri në këtë moment, e vetmja gjë që dihet me siguri është se ekzistojnë dy versione të ndryshme për të njëjtin proces diplomatik. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

