Një qytetar nga Vlora i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar një situatë që, sipas tij, ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po vendosen gjobat nga Policia Bashkiake në Tiranë.
Sipas denoncimit, mjeti i tij ishte i parkuar pranë Spitalit Amerikan 2, kur brenda rreth 20 minutash iu vendosën dy gjoba nga dy punonjës të Policisë Bashkiake.
Qytetari pretendon se në procesverbalet figurojnë si punonjësit që kanë vendosur masat administrative Andi Nela dhe një efektiv me emrin Klodian, mbiemri i të cilit nuk lexohet qartë në dokument.
Por ajo që e bën edhe më të çuditshëm rastin, sipas tij, është fakti se njëra prej gjobave përmban emër të gabuar të pronarit të automjetit, ndërkohë që targa e mjetit është e njëjtë. "Sot, më 14.07.2026, ndodhesha në një rast urgjence te Spitali Amerikan 2 dhe, në të njëjtin vend, me vetëm 20 minuta diferencë, më vendosën dy gjoba te makina. Njoftova Policinë Bashkiake dhe më thanë 's'kemi çfarë të themi'. Njëra nga gjobat e ka emrin e pronarit gabim. Ta paguajë vetë ai, se nuk e di kush është, i saktë është emri apo targa?", shkruan qytetari. Qytetari ngre gjithashtu shqetësimin se, duke qenë banues në Vlorë, e ka të pamundur të paraqitet fizikisht pranë Policisë Bashkiake në Tiranë për të kërkuar sqarime ose korrigjimin e procesverbalit.
Rasti ngre disa pikëpyetje: si është e mundur që për të njëjtin automjet të vendosen dy masa administrative në një interval kaq të shkurtër dhe si është plotësuar një procesverbal me të dhëna të pasakta për pronarin?
JOQ Albania pret një reagim nga Policia Bashkiake e Tiranës lidhur me këtë denoncim, për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një gabim administrativ apo me një procedurë që parashikohet nga ligji. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

