Çizmet e shkurtra. Xhinset. Xhaketa e hollë prej lëkure, e konsumuar. Të vendosur anash zyrave që s’janë rinovuar kurrë, ku nën dritat e zbehta sheh karrige të thyera e tryeza bosh, policët maqedonas, më shumë se targat dhe dokumentet e identitetit, shohin bagazhet e makinave. I kontrollojnë me dritën e celularëve. I hapin njëri pas tjetrit. Ndaj radha ecën ngadalë dhe pritja zgjat. Kur bie nata dhe malet përreth e bëjnë errësirën edhe më të thellë, të duket sikur je ende pak në ato vite, në vitet ’70 e ’80. Një atmosferë spiunësh e kundërspiunësh, hijesh të gjata dhe gjuhësh të pakuptueshme, me vendasit që ose nuk e dinë anglishten, ose nuk duan ta flasin. Me një fjalë, Lufta e Ftohtë, përpara se të shpërbëhej mëma Jugosllavi dhe të nisnin lëvizjet për pavarësi. Vijmë nga Kosova, ku lojërat e fatit janë të ndaluara. Këtu mjaftojnë disa qindra metra pas doganës dhe tabela vezulluese e kazinosë «Luxor» të njofton se ke mbërritur te ndërtesa e parë në Maqedoninë e Veriut. Në rrethrrotullim, po të vazhdosh drejt, shkon në kryeqytet, në Shkup. Po të kthesh djathtas, hyn në parkingun e kazinosë me makinat e lojërave të fatit. Të gjithë kthehen djathtas. Rruga për në Shkup është e dëmtuar, copat e asfaltit kërcejnë andej-këndej. Pastaj shfaqet qyteti dhe, teksa përshkon bulevardet e gjera e të gjata, të duket sikur je në Torino. Në Shkup, ato ishin një domosdoshmëri urbanistike pas tërmetit të vitit 1963. Tri të katërtat e ndërtesave ishin shembur, kishte rrënoja kudo dhe rrugëve u duhej hapësirë e rregull. Qytet i brishtë e i përndjekur, ky Shkup, bizantin e osman, shumë i bukur. Maqedonia e Veriut ka dy milionë banorë, 600 mijë prej tyre në kryeqytet, që i jep shtysë gjithë vendit. Por për të kuptuar si kryeqytetin, ashtu edhe vendin, duhet të udhëtosh tri çerek ore drejt perëndimit, në Tetovë. Atje ndodhet BIRC-u, Instituti Ballkanik për Media dhe Demokraci. Duhet të dëgjosh presidentin e tij, Xhelal Nezirin, një njeri i guximshëm, me ndershmëri të palëkundur. «Çdo shtet ka mafien e vet, por te ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka një shtet.» LEXO EDHE:Shqiptarët kërkojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ia kalon çështjen Komisionit të Venecias Me fjalën mafie këtu nënkuptohet narkotrafiku. Dhe kur flitet për narkotrafikun, bëhet fjalë para së gjithash për klanin e Sarajit, një zonë periferike e Shkupit e përbërë nga fshatra fare të vegjël. Atje sn një traditë e hershme kriminale, me aftësinë për të rezistuar, për t’u ripërtërirë dhe për t’u mbijetuar arrestimeve e hetimeve, sikur kjo sëmundje të ishte bërë tashmë e pamundur për t’u çrrënjosur. Tamam si në fshatrat e vegjël të ’Ndranghetës. Bosi i klanit, ai që i tremben më shumë, është 49-vjeçari Sheval Muaremi. Mbi kokën e tij rëndojnë urdhërarreste për vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të tonelatave me kokainë. Prej dy vitesh jeton në Dubai. Madje krenohet me këtë dhe e tregon vetë në rrjetet sociale se ndodhet në tokën arabe. Këmbëngulja kokëfortë e Emirateve për të refuzuar marrëveshjet dypalëshe, duke penguar kështu në praktikë ekstradimet, i lejon Muaremit të jetojë atje i qetë e i lumtur. Dhe t’i drejtojë nga larg bizneset fitimprurëse. Kështu vepron vazhdimisht edhe një tjetër tip i rrezikshëm, me origjinë shqiptare, të cilin hetuesit e disa vendeve, duke nisur nga Italia, e konsiderojnë jashtëzakonisht të rrezikshëm. Eneo Carka, 44 vjeç, njihet me disa nofka, mes tyre edhe “Napoleoni”. Ai zakonisht komunikon me mjete tejet të sofistikuara, që kufizojnë mundësitë e përgjimit. Hetuesit e kanë lidhur me kalimin e sasive të mëdha të kokainës në Belgjikë, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Liguria, konkretisht në La Spezia. Napoleoni flet shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht. Në Milano, siç ka vënë në dukje Drejtoria e Qarkut për Antimafien, ai mbështetet te një bashkatdhetar 46-vjeçar, me banim në rrugën Chiarelli, në lagjen Gallaratese. Carka është përfshirë si në mbërritjen e “ngarkesave me kokainë”, ashtu edhe në kryerjen e pagesave për të njëjtën drogë. Një pjesë e brezit të vjetër të ’Ndranghetës e urren. Edhe bosi i bosëve, Rocco Morabito, e ka shprehur bezdinë ndaj klaneve shqiptare në biseda me bashkëpunëtorët e tij, të përgjuara nga Guardia di Finanza. Të rinjtë, nga ana tjetër, e duan me çdo kusht bashkëpunimin me Napoleonin, sepse e dinë sa e vështirë është pa të. Ai ka lidhje reale me don Úsugën, kolumbianin Otoniel, ish-kreun e Kartelit të Gjirit, një emër i rangut të parë në trafikun e kokainës. Me Carkën, kurrë mos u përplas e mos i dil përpara. Kurrë. Dubai e mbron. Dubai i mbron të gjithë. Dubai e ka mbrojtur për një kohë të gjatë, madje e ka përkëdhelur, edhe Denis Matoshin, një tjetër shqiptar, 37 vjeç, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Pikërisht një muaj më parë, Belgjika, që kishte kërkuar ekstradimin e tij, arriti ta merrte në dorëzim nga Emiratet. Në Dubai ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, zonja Suada. Ata u ndanë përpara ekstradimit. Ish-Miss Shqipëria dhe figurë e botës së spektaklit, Suada, sipas autoriteteve belge, zotëron në Emirate pasuri të paluajtshme me vlerë 17 milionë, ku thuhet se organizon festa të çmendura me partnerin e ri, një arab i pasur. Belgjikë, Belgjikë, Belgjikë. Kaq shumë Belgjikë. Po pse përmendet kaq shpesh?/Corriere Della Sera SI.E. SI.E. Shqiptarja.com TAG: denis matoshi Eneo Carka Sheval Muaremi dubai Maqedoni e Veriut Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
12 Nëntor, 17:55
Gjoba protestuesve që bllokojnë rrugët gjatë tubimeve, si e vlerësoni? Të drejtë 72.3% Të gabuar 24.9% Nuk e di 2.8% Vota total: 1621 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 12 Nëntor, 17:55 Gjoba protestuesve që bllokojnë rrugët gjatë tubimeve, si e vlerësoni?
