Pas atmosferës elektrizuese të Sunny Hill Festival, Dua Lipa ka ndarë me miliona ndjekësit e saj në Instagram disa momente të veçanta nga qëndrimi në Prishtinë.
Këngëtarja me origjinë shqiptare publikoi një galeri fotografish, ku shfaqet duke kaluar kohë me familjen dhe miqtë, si edhe duke shijuar ushqimin tradicional dhe atmosferën e kryeqytetit të Kosovës.
Në një prej fotografive, Dua tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj elegante, e veshur me një fustan të shkurtër të bardhë me supe të zbuluara, të kombinuar me një xhaketë të kuqe, një stil që u vlerësua nga ndjekësit e saj.
Postimi u prit me mijëra pëlqime dhe komente, ndërsa fansat vlerësuan jo vetëm stilin e artistes, por edhe faktin që ajo ndau momente personale nga vizita e saj në Prishtinë, përtej performancave në skenën e Sunny Hill Festival.

