Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, ndërsa në vetëm dy javë janë vendosur 1,908 masa administrative dhe janë pezulluar 52 leje drejtimi. Kontrollet janë përqendruar te shkeljet që rrezikojnë sigurinë rrugore, veçanërisht tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e gabuara, drejtimi nën efektin e alkoolit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosja e rripit të sigurimit. Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë proceduar penalisht edhe dy drejtues mjetesh, pasi u kapën duke drejtuar automjetet pa leje drejtimi. Nga 1,908 masat administrative të vendosura, 731 kanë qenë për tejkalim të normave të shpejtësisë, 458 për parkim ose qëndrim të gabuar dhe 361 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. Ndërkohë, 106 drejtues janë ndëshkuar për parakalime të gabuara, 33 për drejtim nën ndikimin e alkoolit, 97 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 27 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit. Policia ka vendosur gjithashtu 81 masa për drejtuesit që nuk kanë përdorur kaskën mbrojtëse dhe 14 për automjetet që qarkullonin me xhama të riveshur.
