Hashim Thaçi Vendimi i Hagës hap një debat të ri mbi drejtësinë, përgjegjësinë individuale dhe mënyrën se si janë trajtuar krimet e luftës në Kosovë. Por krahas procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së mbetet e hapur edhe pyetja për krimet e tjera që nuk kanë marrë ende një përgjigje gjyqësore dhe për rolin e aktorëve ndërkombëtarë që administruan Kosovën pas luftës. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën sot vendimin në gjyqin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet, për një sërë krimesh lufte të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës të viteve 1998-1999. Gjykata i shpalli fajtorë për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar, ndërsa i liroi nga disa akuza për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar karakterin e gjerë ose sistematik të sulmeve.
Vendimi shkaktoi reagime të forta në Kosovë, ku katër të dënuarit vazhdojnë të konsiderohen nga shumë qytetarë si figura të luftës dhe të pavarësisë së vendit. Por, pavarësisht verdiktit, mbetet një pyetje më e gjerë: çfarë ndodh me përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, dhe veçanërisht me ata që nuk u ulën kurrë në bankën e të akuzuarve?
Pandëshkueshmëria mbretëron
Shqiptarët e Kosovës kanë arsye për t’u ankuar. Shumica dërrmuese e krimeve të luftës gjatë konfliktit u kryen nga forcat serbe dhe jugosllave dhe lista e mizorive është e gjatë. Për këto krime, relativisht pak persona janë mbajtur përgjegjës.
Për shembull, marrim operacionin e organizuar të policisë serbe në vitin 1999 për të zhvarrosur dhe transportuar drejt Serbisë afro 1.000 trupa nga Kosova, në një përpjekje për të fshehur krimet. Viktimat shqiptare të Kosovës u rivarrosën në Serbi, disa prej tyre edhe brenda stacioneve policore, por deri më sot askush nuk është akuzuar për këtë operacion.
Në nivelin më të lartë, ish-presidenti Slobodan Millosheviç dhe një grup i vogël zyrtarësh të lartë u përballën me gjyqin në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës. Në nivelin më të ulët, disa çështje janë zvarritur nëpër gjykatat serbe për krimet e luftës.
Por mes këtyre dy niveleve shtrihet një hapësirë e gjerë pandëshkueshmërie, ku komandantë të nivelit të mesëm dhe zyrtarë të lartë të lidhur me mizoritë, kanë mbetur jashtë përgjegjësisë penale.
Një ligj për të gjitha palët
Megjithatë, siç kanë theksuar vazhdimisht zyrtarët evropianë dhe amerikanë që kërkuan krijimin e gjykatës për Kosovën, të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht nëse janë agresori apo viktima, pala më e madhe apo më e vogël.
Veprimet e njërës palë, apo mosveprimi i saj, nuk e justifikojnë veprimin ose mosveprimin e palës tjetër. “Disa individë që luftuan për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës, kryen krime të rënda kundër të tjerëve, për të cilat duhet të mbajnë përgjegjësi”, deklaroi në vitin 2017 ambasadori i SHBA-së në Kosovë.
Fjala “individë” meriton të theksohet. Gjykata Speciale e Kosovës, ashtu si gjykata e OKB-së për krimet e luftës para saj, u krijua për të gjykuar përgjegjësinë penale individuale, jo për të njollosur UÇK-në apo kauzën e pavarësisë së Kosovës.
Task Forca Speciale Hetimore (SITF), organi hetimor i BE-së që i parapriu gjykatës, e bëri këtë dallim shumë të qartë. Në vitin 2014, kryeprokurori i saj theksoi se hetimi dhe akuzat që mund të dilnin prej tij ishin drejtuar ndaj veprimeve kriminale të individëve brenda grupeve të caktuara dhe jo ndaj UÇK-së në tërësi.
Aktakuza dhe deklaratat e mëvonshme të gjykatës e kanë përsëritur këtë parim, duke theksuar se fokusi është te individët dhe jo te grupet etnike, organizatat apo komunitetet. Aktakuza përmban edhe një fakt tjetër të rëndësishëm që kritikët e gjykatës priren ta anashkalojnë: viktimat e krimeve vinin nga grupe të ndryshme etnike- serbë, romë, pjesëtarë të komuniteteve të tjera dhe shqiptarë të Kosovës.
Mes tyre kishte persona të perceptuar si bashkëpunëtorë të serbëve, mbështetës të partive të tjera politike dhe njerëz që kishin refuzuar t’i bashkoheshin UÇK-së. Presioni për të mos folur për vrasjet e shqiptarëve nga shqiptarë të tjerë ka qenë i madh në Kosovë, ndaj kjo pjesë e historisë është trajtuar shumë më pak.
Mmbetet ende i vështirë shpjegimi se si një heshtje e tillë mund t’i shërbejë demokracisë apo sundimit të ligjit. As ekspertët dhe as politikanët në Kosovë, nuk flasin mjaftueshëm për një kontradiktë të ngritur nga vetë mbrojtja e Thaçit.
Në Kosovë, UÇK-ja është paraqitur si një forcë e organizuar dhe vendimtare e një shteti në krijim. Ndërsa në sallën e gjyqit, mbrojtja e ka paraqitur atë si një strukturë të çorganizuar dhe të pakoordinuar. Megjithatë, askush nuk e kundërshton faktin se krimet e përfshira në aktakuzë ndodhën gjatë dhe pas luftës, si në Kosovë.
Rreth 1.,600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta, rreth dy të tretat e tyre shqiptarë dhe një e treta romë e serbë. Pyetja nëse Hashim Thaçi dhe bashkëpandehurit e tij mbajnë përgjegjësi ligjore për këto krime mori tashmë përgjigje në shkallën e parë me verdiktin e 16 shtatorit, ndërsa vendimi mund të shqyrtohet në apel.
Thaçi përballet gjithashtu me akuza të veçanta për përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët gjatë kohës që ndodhej në paraburgim.
Të pandehurit që nuk janë në gjykatë
Ajo që nuk u trajtua në këtë proces. ishte përgjegjësia për vendimet më të gjera politike dhe të sigurisë të marra në periudhën kur ndodhën këto krime. Vendimmarrësit kryesorë nuk ishin vetëm kosovarët, por edhe qeveritë e huaja dhe organizatat ndërkombëtare që kishin përgjegjësinë për qeverisjen, policimin dhe sigurinë e Kosovës menjëherë pas luftës.
Kur forcat serbe dhe jugosllave u larguan nga Kosova më 12 qershor 1999, në vend hynë forca ndërkombëtare, ushtarake dhe civile. UÇK-ja krijoi një qeveri të përkohshme, me Thaçin në krye, por vendi drejtohej zyrtarisht nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), me afro 10.000 personel civil, gati gjysma e të cilëve ishin policë.
NATO vendosi rreth 45.000 ushtarë në kuadër të KFOR-it, me pjesëmarrjen e rreth 30 vendeve, ndërsa SHBA-ja, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca ishin ndër kontribuuesit kryesorë.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kishte një mision me rreth 1.500 punonjës vendas dhe ndërkombëtarë në 15 zyra në terren dhe pesë qendra rajonale, me mandat për ndërtimin e institucioneve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Sipas dokumenteve të kohës, këto qeveri dhe organizata ndërkombëtare ishin në dijeni se individë të caktuar brenda UÇK-së po kryenin krime pas luftës, të motivuara nga politika, biznesi ose hakmarrja.
Ato kryesisht i vëzhguan dhe i dokumentuan këto raste dhe, në disa raste, ngritën shqetësime privatisht, por në fund heshtën publikisht, ndërsa UÇK-ja shihej si një partnere e luftës dhe një faktor stabiliteti. Përjashtimi kryesor ishte raporti i gjerë i OSBE-së i tetorit 1999, i cili pasonte vëllimin e parë mbi krimet e luftës të kryera kryesisht nga forcat serbe dhe jugosllave. Raporti i dytë trajtoi në detaje krimet e pasluftës, por nuk identifikoi autorët individualë nga UÇK-ja, duke theksuar se duhej një shqyrtim i kujdesshëm nga bashkësia ndërkombëtare për të përcaktuar shkallën e përfshirjes së tyre.
Një ish-zyrtar i misionit të OSBE-së në Kosovë dëshmoi për prokurorinë në gjyqin e Thaçit, ashtu si edhe ish-punonjës të UNMIK-ut dhe KFOR-it. Por në Kosovë, vëmendja u përqendrua te shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë të nivelit të lartë të thirrur nga mbrojtja, të vetmit dëshmitarë që ajo paraqiti, mes tyre edhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark.
Është e vërtetë se tensionet u rritën pas luftës dhe qeveritë kishin arsye të shqetësoheshin për përhapjen e konfliktit në Maqedoninë fqinje, me popullsinë e saj të konsiderueshme shqiptare. Luftimet shpërthyen edhe atje, por u vunë nën kontroll.
Kufijtë e një lufte humanitare
Në fund, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit- vrasjet, torturat, persekutimet dhe zhdukjet për të cilat Thaçi dhe të tjerët u akuzuan-ndodhën nën mbikëqyrjen e qeverive që kishin ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave të Millosheviqit, duke e justifikuar ndërhyrjen, siç e formuloi Presidenti amerikan Bill Clinton, me një “imperativ moral”.
Pavarësisht verdiktit të dhënë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, në Kosovë u kryen krime të rënda nën sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Këta janë të pandehurit që nuk janë në gjykatë. Prandaj, pas verdiktit çështja e pandëshkueshmërisë mbetet ende e hapur.
Vendimi mund të sjellë kërkesa të reja për llogaridhënie, veçanërisht lidhur me përgjegjësinë për krimet e kryera nga forcat serbe dhe me presionin ndaj Serbisë, ndërsa mund t’i japë shtysë edhe kërkimit të personave të zhdukur.
Kjo autorit, mund të krijojë një bazë për përparim në pajtimin ndërmjet komuniteteve, bashkëpunimin rajonal dhe negociatat e udhëhequra nga BE-ja për statusin ende të pazgjidhur të Kosovës, të cilat deri tani nuk kanë arritur t’i trajtojnë plotësisht krimet e së kaluarës.
Shënim: Fred Abrahams e ka mbuluar konfliktin në Kosovë për “Human Rights Watch” dhe ka dëshmuar për prokurorinë në disa procese për krime lufte, përfshirë procesin ndaj Slobodan Millosheviqit dhe procesin ndaj Hashim Thaçit./ Përshtati "Pamfleti" nga “Verfassungsblog”drejtësia e hagës te akuzuar denim uÇk hashim thaçi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova Dënimi i Hashim Thaçit, profesori amerikan: Vendim shokues nga Haga, Rusia dhe Kina po përpiqen ta izolojnë Kosovën 17 Shtator 2026, 11:4111:41Kosova Çfarë do të thotë vendimi i Hagës për UÇK-në? 17 Shtator 2026, 11:2311:23Kosova Çitaku reagon pas vendimit të Speciales: Kosova nuk ka luksin të presë, duhet reagim institucional 17 Shtator 2026, 10:4010:40Kosova “Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu”, mesazhi prekës i djalit të Jakup Krasniqit 17 Shtator 2026, 10:4110:41Kosova Dënimi i Hashim Thaçit, provokimi i gazetës gjermane: Pra perëndimi bashkëpunoi me një kriminel lufte?! 17 Shtator 2026, 08:3008:30Kosova Dënimi me burg për 4 ish-liderët e UÇK-së, protesta vijon edhe gjatë natës; qëllohet me gurë godina e EULEX-it 17 Shtator 2026, 08:2708:27Kosova

