Lajme Zone
Dosja e Gjuhadolit: Ekspertiza false dhe presioni i Blendi Gonxhes mbi specialistët që mbrojtën veprën e Idromenos
PolitikëPamfleti

Dosja e Gjuhadolit: Ekspertiza false dhe presioni i Blendi Gonxhes mbi specialistët që mbrojtën veprën e Idromenos

Dokumentet e reja që po publikon “Pamfleti” tregojnë se projekti i “Mantovani Beton” në Gjuhadol nuk mbështetet vetëm mbi një ide që bie ndesh me Qendrën Historike të Shkodrës. Dosja përmban edhe një ekspertizë të hartuar brenda një kronologjie që ngre dyshime mbi vlefshmërinë e saj dhe mbi mënyrën se si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po përpiqet ta çojë projektin drejt miratimit.

Dokumentet zbulojnë një kronologji që kërkon hetim: më 16 qershor Ministria i refuzoi Frederik Shirokës licencën për mbikëqyrje dhe kolaudim në pasuritë kulturore, më 18 qershor u hartua projekti konstruktiv dhe më 19 qershor Shiroka firmosi ekspertizën që i hapi rrugë prishjes së objektit të Kolë Idromenos. Specialistët e kundërshtuan projektin, ndërsa Ministria ndërpreu publikimin e vendimeve dhe dërgoi auditin në strukturat lokale të monumenteve... Dokumentet e reja që po publikon “Pamfleti” tregojnë se projekti i “Mantovani Beton” në Gjuhadol nuk mbështetet vetëm mbi një ide që bie ndesh me Qendrën Historike të Shkodrës. Dosja përmban edhe një ekspertizë të hartuar brenda një kronologjie që ngre dyshime mbi vlefshmërinë e saj dhe mbi mënyrën se si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po përpiqet ta çojë projektin drejt miratimit.

Më 16 qershor 2026, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi vendimin nr. 215. Këshillin e drejtonte ministri Blendi Gonxhja, ndërsa Endri Haxhiu mbante detyrën e sekretarit.

Me këtë vendim, Këshilli refuzoi kërkesën e inxhinierit Frederik Shiroka për licencë individuale në veprimtarinë e mbikëqyrjes dhe kolaudimit të ndërhyrjeve në pasuritë kulturore materiale, në nënkategoritë MK/A/3, MK/A/4 dhe MK/A/7. Arsyeja e refuzimit shkruhet qartë në dokument: Shiroka nuk plotësonte numrin e projekteve që kërkon VKM-ja nr. 792 e vitit 2020 për këto nënkategori.

Vetëm dy ditë më vonë, më 18 qershor 2026, inxhinieri Bledar Ceka hartoi projektin konstruktiv të ndërtesës që “Mantovani Beton” kërkon të zhvillojë në Gjuhadol. Një ditë pas projektit, më 19 qershor, Frederik Shiroka dhe Bardhi Shllaku paraqitën “Relacionin teknik, ekspertizë e gjendjes konstruktive të objektit”. Porositësi i ekspertizës ishte vetë “Mantovani Beton”.

Relacioni synon të vlerësojë muret perimetrale dhe masat inxhinierike për konsolidimin, rikonstruksionin dhe integrimin e ndërtesës ekzistuese në objektin e ri. Dokumenti thotë se Shiroka dhe Shllaku kryen inspektimin në qershor 2026, por nuk shënon datën konkrete të inspektimit.

Rendi i dokumenteve përmbys logjikën profesionale të procedurës. Ekspertiza e gjendjes së ndërtesës duhet të paraprijë projektin konstruktiv, sepse projektuesi duhet ta mbështesë zgjidhjen teknike mbi rezultatet e ekspertizës. Në këtë rast, projekti mban datën 18 qershor, ndërsa ekspertiza që duhet ta orientonte atë mban datën 19 qershor.

Pra, projekti ekzistonte përpara dokumentit që duhej të përcaktonte nëse ndërtesa mund të konsolidohej, restaurohej apo duhej ndërhyrë në një formë tjetër.

Kjo kronologji krijon dyshimin se ekspertiza nuk shërbeu për të përcaktuar zgjidhjen konstruktive. Përkundrazi, autorët mund ta kenë hartuar atë për të justifikuar një zgjidhje të përgatitur më parë: prishjen e ndërtesës ekzistuese, ruajtjen formale të fasadës dhe ngritjen pas saj të një objekti shumë më të madh.

Dyshimi rëndohet nga fakti se Frederik Shiroka e firmosi relacionin vetëm tri ditë pasi Këshilli i drejtuar nga Gonxhja i refuzoi licencën në tri nënkategori të mbikëqyrjes dhe kolaudimit të pasurive kulturore.

Ministria duhet të sqarojë se me çfarë licence dhe me cilën kategori profesionale e hartoi Shiroka këtë ekspertizë. A përputhej objekti i relacionit me kategoritë për të cilat ai kishte licencë në fuqi? Përse administrata e pranoi në dosje dokumentin pa e sqaruar këtë çështje?

Projekti nuk prek një ndërtesë të zakonshme. Sektori i Qendrave Historike, Arkitekturës së Traditës dhe Peizazhit në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore e identifikon ndërtesën dykatëshe si vepër të projektuar nga Kolë Idromeno.

Dokumenti i IKTK-së, me nr. protokolli 507/3 dhe datë 14 korrik 2026, shpjegon se projekti parashikon prishjen e ndërtesës ekzistuese, përveç fasadës kryesore përgjatë rrugës. Në vend të saj, zhvilluesi kërkon të ndërtojë dy kate nëntokësore, tre kate mbi tokë me çati të shfrytëzueshme brenda Qendrës Historike dhe katër kate në zonën e mbrojtur. Projekti e çon lartësinë e objektit nga rreth 7.63 metra në 14.75 metra. Specialistët e IKTK-së konstatojnë se vëllimi i ri do të dominojë rrugën, do të cenojë siluetën urbane dhe do të ndryshojë raportin me ndërtesat përreth, përfshirë banesën monumentale të Dabërdakëve.

Sektori arrin në përfundimin se projekti nuk harmonizohet me karakterin historik, urban dhe arkitektonik të Gjuhadolit. Ky konstatim mbështetet te VKM-ja nr. 771, datë 30 shtator 2020, e cila përcakton rregullat për ruajtjen dhe administrimin e Qendrës Historike të Shkodrës.

Dosja tregon se edhe DRTK Shkodër e kundërshtoi projektin. Pra, dy nivele të administratës së trashëgimisë kulturore, specialistët vendorë dhe sektori përgjegjës në IKTK, evidentuan shkelje dhe pasoja konkrete mbi Gjuhadolin.

Në vend që Ministria t’u përgjigjej argumenteve profesionale, administrata qendrore ka ushtruar presion mbi specialistët që kundërshtuan projektin, sipas informacionit të siguruar nga “Pamfleti”. Pas daljes së dokumenteve, Ministria dërgoi auditin e brendshëm në strukturat lokale të monumenteve. Afërsia kohore mes publikimit të dokumenteve dhe nisjes së auditit ngre dyshimin se kontrolli synon të gjejë një shkak për masa administrative ndaj punonjësve.

Ministria duhet të publikojë urdhrin e auditimit, datën e nxjerrjes, objektin e kontrollit dhe institucionet që përfshin. A e planifikoi Ministria auditin përpara daljes së dokumenteve, apo e urdhëroi pasi specialistët kundërshtuan projektin e “Mantovani Beton”? A po kontrollon ligjshmërinë e projektit, apo punonjësit që nuk pranuan ta miratonin atë?

Mungesa e transparencës nuk kufizohet te Gjuhadoli. Kontrolli i arkivit zyrtar të IKTK-së tregon se institucioni nuk ka publikuar vendime të KKTKM-së pas 8 korrikut 2026 dhe vendime të Këshillit Teknik pas 29 korrikut 2026. Në listë mungon edhe vendimi nr. 190, megjithëse renditja kalon nga vendimi nr. 189 te vendimi nr. 191.

Institucionet e trashëgimisë kulturore nuk mund t’i trajtojnë vendimet si dokumente private. Ato vendosin mbi monumentet, qendrat historike, zonat arkeologjike dhe interesat financiare të zhvilluesve. Çdo vonesë ose përzgjedhje në publikim pengon kontrollin publik dhe u jep kohë projekteve të kalojnë pa debat.

Dosja e Gjuhadolit përmban tashmë një varg faktesh që kërkojnë përgjigje: një licencë e refuzuar më 16 qershor, një projekt konstruktiv i datës 18 qershor, një ekspertizë e datës 19 qershor, një ndërtesë e Kolë Idromenos e propozuar për prishje, kundërshtime nga specialistët, vendime që nuk publikohen dhe një audit që mbërrin pas daljes së dokumenteve.

Blendi Gonxhja dhe Endri Haxhiu duhet të shpjegojnë nëse e kanë verifikuar licencën e ekspertit, përse projekti konstruktiv parapriu ekspertizën, kush e pranoi këtë dokumentacion dhe përse Ministria po kontrollon administratën që kundërshtoi projektin.

Gjuhadoli nuk po kërcënohet vetëm nga betoni. Atë po e kërcënon një procedurë që prodhon dokumente sipas nevojave të projektit dhe ndëshkon specialistët që kërkojnë zbatimin e ligjit./Pamfleti

© Copyright Pamfleti

Ky artikull është material ekskluziv i Pamfleti dhe mbrohet nga e drejta e autorit, në përputhje me Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.

Ripublikimi i plotë ose i pjesshëm i këtij shkrimi nga media të tjera lejohet vetëm duke cituar qartësisht Pamfleti si burim dhe duke vendosur në fund të materialit linkun e artikullit origjinal.

Çdo përdorim, kopjim apo ripublikim pa respektuar këto kushte përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe mund të sjellë përgjegjësi ligjore sipas legjislacionit në fuqi.dosja e gjuhadolit ekspertiza false blendi gonxhe pamja e castit 2026 09 02 062729 refuzimi.jpg relacioni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Anti-Mafia Si e dorëzoi Edi Rama në SPAK Ergys Agasin e AKSH-it, dhe pse e mban fort Engjëll Agaçin e klanit “Aruba” 1 Shtator 2026, 13:1413:14Anti-Mafia Dokumenti/ Drejtoresha Eni Vasili i kërkon qeverisë nga plazhi, 19.5 milionë euro shtesë fondi për RTSH-në 1 Shtator 2026, 11:3611:36Anti-Mafia Dosja e Mario Berberit në Kapshticë: kompanitë me prestanome, kontrabanda dhe lidhja me kreun e doganës, Dritan Çekani 31 Gusht 2026, 13:3313:33Anti-Mafia Nga pallati i shembur natën te kulla 16 kate/ I hapet rruga PAGA VILLAGE; kush është Genci Osmënaj dhe beteja për truallin te “Petro Nini”? 30 Gusht 2026, 13:5413:54Anti-Mafia Çfarë e lidh ish-nr. 2 të Hipotekës, sot biznesmen kullash, me dhunuesit e avokatit Sokol Mëngjesi? 30 Gusht 2026, 11:2111:21Anti-Mafia Mallkimi i Rozafës mbi Bahçallëk: Murosen 10 milionë euro, ura nuk është askund dhe Shkodra që vuan tmerrin e trafikut 29 Gusht 2026, 13:2013:20Anti-Mafia