Gazment Bardhi i kërkon SPAK t’i drejtohet për herë të dytë Kuvendit për imunitetin e Belinda Ballukut, duke pretenduar se rëndimi i pozitës së saj penale duhet të shoqërohet edhe me kërkesën për një masë më të rëndë sigurie. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, në një intervistë në “Breaking me Fiori Dardhën”, akuzoi Prokurorinë e Posaçme për “standard të dyfishtë”, ndërsa kujtoi se kërkesa e parë e SPAK për autorizimin e arrestimit të Ballukut u rrëzua nga Kuvendi në mars.
“Spak duhet ta sillte kërkesën për imunitetin e Ballukut, sipas standardit që ka sjellë Prokuroria e Posaçme. Vetë drejtuesi i ri thotë që standardi ligjor është që, kur rëndohen akuzat, të rëndohet masa e sigurimit. Ky standard nuk po zbatohet.
Nuk ka një kërkesë nga SPAK për imunitetin e Ballukut në Kuvend. Duhet të kishte ndodhur në qershor. Për mua, do të duhej të kishte ndodhur në qershor, dje ose sot. Se kur do të veprojë Prokuroria për të zbatuar ligjin, unë nuk e di, nuk shoh filxhan. Se çfarë do të ndodhë, unë nuk mund të parashikoj.
Unë di të them cili është standardi që Prokuroria na e ka shpallur vetë publikisht dhe standardi i dyfishtë që po ndiqet me zyrtarë të tjerë të lartë. Nëse gjeni një të dytë me rëndësinë e Ballukut, unë tërhiqem. Të tjerët janë në burg, Balluku lëviz e lirë. Kjo do të thotë që SPAK ka vendosur ta trajtojë bashkëpunëtoren e Ramës ndryshe nga ligji dhe nga cilido tjetër, me standard favorizues”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se Rama çështjen e Ballukut është duke e përdorur sa herë ai ndodhet në vështirësi.
“Rama çështjen e Ballukut është duke e përdorur sa herë ai ndodhet në vështirësi. Në momentin kur shpërthyen protestat, Prokuroria tha: “Sekuestruam një vilë të Ballukut” dhe dha akuzat. Në shtator, ky zhvillim i ri me një tjetër vilë ndodhi 24 orë apo 48 orë pasi Ahmetaj publikoi dëgjime për armët. Dy ditë më vonë, Prokuroria nxori nga sirtari një tjetër vilë të Ballukut.
Duket që kjo çështje po përdoret për të mbuluar çdo skandal që ka dalë nga qershori e në vijim. Priten zhvillime gjatë ditëve në vijim që do të shfaqin më qartë sistemin korruptiv. Nuk është çudi që SPAK të përdorë një tjetër lëvizje në dosjen Balluku, një vilë tjetër, paraqitjen e kërkesës në Kuvend apo ku di unë”, shtoi Bardhi. Top Channel

