Një incident i dhunshëm është regjistruar në brigjet veriore të Francës, ku një emigrant i armatosur me thikë ka kërcënuar një person gjatë përpjekjes për t’u futur në një gomone që po bëhej gati të nisej drejt Britanisë së Madhe. Ngjarja është filmuar në plazhin Ardelot-Plage, ku dhjetëra emigrantë po hipnin në një varkë të fryrë për të kaluar Kanalin Anglez. Në pamjet e publikuara duket momenti kur mes dy personave shpërthen një konflikt: njëri ndodhej tashmë në gomone, ndërsa tjetri po përpiqej të hipte në të. Situata përshkallëzohet kur personi që ndodhej në ujë nxjerr një thikë dhe i drejtohet me kërcënime burrit në varkë. “Do të të vras”, dëgjohet të thotë ai, ndërsa tund armën në ajër. Një prej personave të pranishëm përpiqet ta mbajë larg, ndërsa një shtetas britanik njofton rojen bregdetare për praninë e një personi të armatosur. Përpara se t’i afrohej personit që kishte shënjestruar, emigranti duket se e hedh thikën në ujë. Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, ai shihet duke u ngjitur në gomone. Nuk dihet nëse varka arriti të mbërrinte në brigjet britanike. Një tjetër gomone me ngjyrat e flamurit kurd
Incidenti vjen në një kohë kur kalimet e emigrantëve përmes Kanalit Anglez shoqërohen me tensione dhe episode të dhunshme. Një ditë më parë u raportua për një tjetër gomone të veçantë, e cila po transportonte më shumë se 20 burra pranë brigjeve të Belgjikës. Ndryshe nga varkat e zakonshme prej PVC-je të zezë, kjo gomone ishte lyer me ngjyrat e flamurit kurd: të kuqe, të bardhë dhe të gjelbër, me simbolin e diellit të verdhë. Ajo ishte nisur rreth orës 03:00 të mëngjesit nga një plazh pranë kufirit me Francën, ndërsa policia belge vëzhgonte lëvizjet. Pamjet kanë nxitur reagime politike në Britani. Sekretari i Brendshëm në hije, konservatori Chris Philp, akuzoi qeverinë laburiste se ka dështuar në luftën kundër rrjeteve të trafikimit të emigrantëve. Ai pretendoi se bandat po veprojnë gjithnjë e më hapur dhe se marrëveshja e qeverisë me Francën për kthimin e emigrantëve nuk po jep rezultatet e premtuara. Edhe kreu i Reform UK, Nigel Farage, reagoi duke akuzuar autoritetet belge dhe franceze se po qëndrojnë pasive përballë këtyre lëvizjeve. “Bandat po qeshin me ne”, shkroi ai në një postim. Ndërkohë, mediat britanike raportojnë se anija e Forcave Kufitare, BSC Courageous, po operonte në ngushticën lindje të Calais, por ende nuk ka të dhëna nëse gomonia e filmuar arriti të kalonte Kanalin Anglez. Sipas shifrave të publikuara në raportim, që prej ardhjes në pushtet të Partisë Laburiste, 85,649 emigrantë kanë mbërritur në Britani me gomone. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: britani

