Kryeministri i Britanisë së Madhe, Andy Burnham, tha se është i gatshëm të kundërshtojë presidentin amerikan Donald Trump nëse kjo është gjëja e duhur për interesin kombëtar të vendit të tij. Në intervistën e tij të parë të madhe si kryeministër, dhënë ekskluzivisht për BBC dhe që do të transmetohet e plotë të hënën, Burnham tha se marrëdhënia me SHBA-në mbetet e rëndësishme, por nënvizoi se prioriteti i tij do të jetë gjithmonë interesi i Britanisë. LEXO edhe...SHBA ndal sulmet ndaj Iranit, NYT: Trump u tërhoq nga frika se po pakësoheshin raketat Patriot! Garda Revolucionare kërcënon aleatët e Uashingtonit I pyetur nëse do ta kundërshtonte Trumpin nëse do ta konsideronte të nevojshme, Burnham u përgjigj: “Sigurisht. Duhet të mbrosh interesin tënd kombëtar mbi çdo gjë tjetër. Kjo është ajo që kërkohet nga një kryeministër nëse do ta bëjë siç duhet këtë detyrë.” Ai shtoi se forca e tij si politikan ka qenë gjithmonë lidhja me qytetarët dhe se kjo nuk do të ndryshojë tani që është në krye të qeverisë. “Forca ime është të qëndroj pranë njerëzve, pranë publikut. Kjo nuk do të ndryshojë si kryeministër”, tha Burnham. Duke folur për marrëdhënien me presidentin amerikan, Burnham tregoi se biseda e parë me Trump kishte qenë pozitive. “Biseda e parë shkoi mirë. Mu duk vërtet shumë e ngrohtë”, tha ai. Megjithatë, kur u pyet dy herë nëse i beson Trumpit, Burnham shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë. “Është një botë që po ndryshon dhe duhet t’i gjykosh gjërat sipas mënyrës si zhvillohen”, u shpreh ai. Kryeministri britanik tha se nuk mund të premtojë se do të jetë gjithmonë në një linjë me presidentin amerikan. “Nuk mund të them se nuk do të kem një mendim ndryshe nga ai, apo se nuk do të më duhet të shpreh një ide tjetër që është e drejtë për Britaninë”, deklaroi Burnham. Ai tha gjithashtu se kishte pasur “shqetësime” për vendimin e Trumpit për të nisur konfliktin me Iranin dhe shtoi se nuk do të përmbahej nga shprehja e mendimit të tij kur ta konsideronte të drejtë. “Unë nuk do të përmbahem nga thënia e asaj që mendoj se është e drejtë”, tha ai. Në intervistë, Burnham u pyet edhe për premtimin për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por nuk dha një afat se kur do të arrihet ky objektiv. Ai kujtoi se kancelari i tij i ri kishte folur më parë për rëndësinë e investimeve në mbrojtje dhe tha se e kishte emëruar duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për qëndrimet e tij. “Sfida jonë e parë është të sigurojmë që plani i investimeve në mbrojtje të financohet plotësisht. Kjo është përparësia që kemi përpara dhe do ta zgjidhim teksa afrohemi drejt buxhetit të këtij viti”, tha Burnham. I pyetur sërish nëse qeveria angazhohet për ta çuar buxhetin e mbrojtjes në 3% të PBB-së, ai u përgjigj: “Duhet të gjejmë mënyrën për ta bërë këtë.” Burnham foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe, për herë të parë, e përjashtoi hapur një skenar të tillë para vitit 2029. “Po e përjashtoj. Nuk besoj se njerëzit i duan zgjedhjet e parakohshme”, tha ai. Sipas Burnham, fokusi i qeverisë së tij është te qeverisja dhe “rikthimi i vendit aty ku duhet të jetë”, jo te një tjetër garë zgjedhore. U.D/ReportTv.al Britani e Madhe Andrew Burnham donald trump Komento Komente Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63.8% Jo 29.1% Nuk e di 7.1% Vota total: 3313 Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?

