Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Shkozë të Tiranës, ku Ismete dhe Agim Ziu humbën jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët. Djali i çiftit ka rrëfyer se zjarrin dyshohet se e vuri partneri i motrës së tij, pasi ajo nuk i ishte përgjigjur telefonatave. Sipas dëshmisë së tij, autori i dyshuar ka spërkatur me benzinë derën e banesës dhe më pas i ka vënë flakën, ndërsa brenda ndodheshin prindërit, motra dhe nipi i tij, të cilët po flinin.
Ai ka treguar se motra e tij ishte konfliktuar me partnerin dhe kishte fikur telefonin. Pasi banesa u përfshi nga flakët, ajo u zgjua dhe e telefonoi të vëllanë, duke i kërkuar të njoftonte policinë. Motra u nxor nga banesa nga zjarrfikësit dhe, sipas të vëllait, ndodhej në gjendje më të mirë, ndërsa djali i saj 20-vjeçar kishte pësuar djegie në fytyrë. Ndërkohë, prindërit e tij mbetën të bllokuar brenda banesës, duke kërkuar ndihmë nga dritarja, por nuk arritën të shpëtonin.
Djali i çiftit ka deklaruar gjithashtu se partneri i motrës kishte shfaqur më herët sjellje xheloze, konsumonte shumë alkool dhe kishte shkuar disa herë natën në banesën e prindërve, duke i kërcënuar me fjalët “do ju vras”. Sipas tij, pavarësisht episodeve të mëparshme dhe shqetësimeve të shkaktuara, familjarët nuk e kishin denoncuar, pasi nuk i kishin marrë seriozisht kërcënimet. Ngjarja tragjike ka përfunduar me vdekjen e çiftit, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e saj.

