Kanë mbetur pak ditë nga nisja e vitit të ri shkollor dhe këtë shtator, kjo ditë do të jetë e organizuar ndryshe në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare.
Siç bëhet me dije nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dita e parë e shkollës do t’i kushtohet veçanërisht orientimit dhe informimit të nxënësve, duke i njohur ata me rregullat, normat e sjelljes dhe mënyrën e organizimit të institucionit arsimor.
Në çdo klasë, nxënësit do të njihen me: rregulloren e brendshme të shkollës, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe rregullat e sjelljes në mjediset e shkollës; rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të; kodin e veshjes së nxënësve në shkollë; rregullat e sigurisë.
Informimi dhe orientimi i nxënësve do të realizohet nga i gjithë stafi i shkollës, sipas rolit dhe përgjegjësive të secilit, duke përfshirë mësuesit e të gjitha lëndëve, mësuesit kujdestarë, shërbimin psiko-social dhe oficerët e sigurisë.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe njohjes së nxënësve me veprimtaritë mësimore dhe programin 'Pas Shkolle' që këtë vit do të shtrihet në 408 shkolla në gjithë vendin.
Po ashtu, stafi i shkollës do t’i orientojë nxënësit në mjediset e institucionit, duke i njohur me klasat, laboratorët, bibliotekën, mjediset sportive, hapësirat e përbashkëta, mjediset e shërbimit psiko-social dhe hapësirat e sigurisë./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

