Kreu i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu ka uruar ditën e Alfabetit Shqip. Në një mesazh postuar në faqen e tij në facebook ai skruan se ‘Kongresi i Manastirit i vitit 1908 ishte një moment i madh i bashkimit kombëtar’. Lexo edhe:Bora e parë për këtë vit në Kukës, disa fshatra pa energji elektrike ‘Aty, shqiptarë nga treva, besime dhe bindje të ndryshme u bashkuan rreth një ideali të përbashkët: dashurisë për gjuhën dhe atdheun’, vijon postimi. Mesazhi: 22 NËNTOR – DITA E ALFABETIT SHQIP Sot është një ditë që na kujton rrënjët tona, historinë dhe sakrificat e atyre që punuan me përkushtim që gjuha shqipe të shkruhej, të lexohej dhe të jetonte ndër breza. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 ishte një moment i madh i bashkimit kombëtar. Aty, shqiptarë nga treva, besime dhe bindje të ndryshme u bashkuan rreth një ideali të përbashkët: dashurisë për gjuhën dhe atdheun. Në këtë rrugëtim të lavdishëm, një vend të merituar kanë edhe prijësit, hoxhallarët dhe dijetarët myslimanë shqiptarë, të cilët kontribuuan në përhapjen e gjuhës shqipe, në arsimimin e brezave dhe në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Figura si Hasan Tahsini, Hafiz Ali Korça e shumë të tjerë janë dëshmi se besimi në Zot dhe dashuria për atdheun kanë ecur gjithmonë krah për krah. Historia jonë është e pasur pikërisht sepse është ndërtuar nga shqiptarë të besimeve të ndryshme, të bashkuar nga një gjuhë, një flamur dhe një atdhe. Këtë trashëgimi duhet ta kujtojmë me krenari, ta respektojmë pa paragjykime dhe t'ua përcjellim brezave të ardhshëm. Si shqiptar, e ndiej si përgjegjësi dhe krenari të nderoj çdo kontribut që i është dhënë kombit tonë. Sepse patriotizmi nuk matet me fjalë, por me dashurinë, përkushtimin dhe punën që bëjmë për vendin tonë. Le ta ruajmë gjuhën shqipe, ta nderojmë historinë dhe të mos harrojmë kurrë ata që na lanë këtë trashëgimi të çmuar. Gjuha shqipe është zemra e identitetit tonë kombëtar! Gëzuar Ditën e Alfabetit, shqiptarë kudo që ndodheni!

