Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që kremtohet sot, më 22 nëntor. Ai ka bërë një foto mes mes rilindasve që kontribuuan në njësimin e alfabetit shqip, të cilët janë vendosur në Muze. Rama e ka publikuar në rrjetet e tij sociale, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”.
Në imazh, kryeministri shfaqet në këmbë, në qendër të rreshtit të pasmë, i veshur me kostum të zi dhe kravatë të kuqe, mes figurave historike të kohës. Fotografia sjell në ngjyra anëtarët e komisionit të alfabetit, të vendosur rreth një tryeze, ndërsa në sfond dallohen shkronjat e gjuhës shqipe.
Kështu kryeministri shqiptar është rikthyer simbolikisht 118 vite pas, në kohën kur në Kongresin e Manastirit u hodhën themelet për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, ku përfaqësues shqiptarë nga treva dhe shoqëri të ndryshme u mblodhën për të përcaktuar një alfabet të përbashkët.
Kongresi nisi punimet më 14 nëntor 1908, në ambientet e klubit “Bashkimi” në Manastir, dhe zgjati nëntë ditë. Në të morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare. Punimet u drejtuan nga Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi.
Më 16 nëntor u formua një komision me 11 anëtarë, i kryesuar nga Atë Gjergj Fishta, i cili kishte për detyrë shqyrtimin e çështjes së alfabetit. Pjesë e tij ishin edhe personalitete të njohura si Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda dhe Mithat Frashëri. Janë pikërisht anëtarët e këtij komisioni që shfaqen në fotografinë historike, të cilën Rama e ka përpunuar me inteligjencë artificiale, duke vendosur edhe veten mes tyre.
Më 20 nëntor, komisioni paraqiti vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, i cili u miratua nga delegatët e pranishëm. Kongresi i mbylli punimet më 22 nëntor 1908, datë që sot përkujtohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Top Channel

