Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Manastir të Maqedonisë së Veriut, ku mori pjesë në aktivitete përkujtimore dhe zhvilloi një takim me të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me përfaqësues të universiteteve. Gjatë takimit, Rama propozoi krijimin e një biblioteke të madhe dixhitale të gjuhës shqipe, në bashkëpunim me Kosovën dhe institucionet shqiptare në rajon. Sipas tij, kjo nismë do të shërbejë për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe, duke e bërë atë të aksesueshme për fëmijët, mësuesit dhe diasporën në mbarë botën. LEXO edhe...Rama takim me të rinjtë në Manastir: Ata që duan të duartrokasin, tremben nga ata që gjuajnë me gurë (VIDEO) "Ne duhet të angazhohemi për të ndërtuar një bibliotekë mbarëkombëtare të shqipes, një bibliotekë digjitale e cila t'i vihet në dispozicion të gjithëve, që nga mësimi i shqipes deri tek leximi i të gjithë veprave të çfarëdolloj zhanri që janë shkruar apo janë përkthyer ne shqip. Një bibliotekë ku të jetë e kyçur e gjithë pasuria e shqipes, e cila natyrisht do të kërkojë vitet e veta për t'u ndërtuar e për t'u plotësuar e pastaj do të kërkojë përkushtim për t'u pasuruar vit pas viti, por është koha që ne të fillojmë punën për këtë bibliotekë. Dhe patjetër që qeveria e Republikës së Shqipërisë do ta marrë përsipër të hedhë këtë hap", tha Rama. Kryeministri theksoi edhe rëndësinë e gjuhës si themel të identitetit kombëtar, duke kujtuar sakrificat historike për njësimin e alfabetit dhe duke vënë në dukje sfidat që sjell teknologjia për gjuhët e vogla. "Një kopësht i madh, mbase kopshti më i madh që së bashku ne shqiptarët kemi. Një kopësht xhevahiresh që duhet punuar, që duhet kultivuar dhe duhet pastruar për t'u pasuruar dhe për t'u trashëguar në një kohë kur gjuha shqipe është në një tjetër lloj kërcënimi nga kërcënimet që ka përballuar më parë. Është nën kërcënimin e kohës së re të teknologjisë digjitale. Është në kërcënimin e kohës së re kur më të rinjtë mësohen të shkruajnë me shkurtime, ‘’Flm, Tksh, Tkxh, ’’ e kështu me radhë dhe harrojnë se fjalët në atë mënyrë fillojnë edhe dobësohen, fillojnë edhe treten dhe gjuha e shkruar fillon edhe tkurret,", theksoi kreu i qeverisë. Në fjalën e tij kreu i qeverisë informoi për punën që Akademia e Shkencave në Shqipëri po bën për pasurimin e fjalorit shqip. Sipas tij, këto vepra do të jenë një pasuri e rëndësishme për bibliotekën e propozuar dhe për trashëgiminë gjuhësore e historike. “Akademia Shqiptare e Shkencave po punon intensivisht për Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe, i cili do të jetë një referencë jashtëzakonisht e rëndësishme në rrugëtimin e shqipes, pasi do të mbledhë, duke praktikisht përditësuar gjithçka ka ndodhur me fjalët shqipe në të gjitha vitet pararendëse, si dhe nga ana tjetër, Fjalorin Enciklopedik, si dhe historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, tha Rama. Në përfundim, Rama u ndal edhe te rrugëtimi europian i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se identiteti kombëtar dhe gjuha shqipe nuk janë pengesë për integrimin europian, por një forcë dhe vlerë që shqiptarët e çojnë me vete në familjen europiane. Fjala e plotë: Ky është momenti përmbyllës i një dite, e cila në zemrën e vet ka kujtesën e Alfabetit që për hir të së vërtetës ishte një ditë prekëse, pasi të hysh në godinën e Kongresit historik të Manastirit edhe të shohësh dokumentet, të shohësh dorëshkrimet, të shohësh shëmbëlltyat e atyre që i dhanë jetë për nëntë ditë atij Kongresi, është e pamundur që të mos mendosh për sa shumë gjëra ne i marrim si të mirëqëna, a thua se kanë qenë gjithmonë kështu siç i kemi dhe siç i shohim sot. Në ndërkohë që, për gjuhën që ne flasim, për gjuhën që ne shkruajmë, për gjuhën që na bashkon si lënda bazë e identitetit tonë, janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, janë sakrifikuar jetë, është sakrifikuar një kohë shumë e gjatë dhe janë përfshirë një numër i pafund njerëzish, për të cilët mbijetesa e gjuhës shqipe, trashëgimia e gjuhës shqipe, bartja nga një brez në tjetrin e shqipes, ka qenë mision jete dhe unë dua sot, këtu me ju, të shpreh mirënjohjen dhe falenderimin me përulje, për të gjithë ata, që më shumë ose më pak, e bartën shqipen deri në ditët tona, që nga Parashevi Qirjazi dhe patriotët e tjerë të mbledhur në Kongresin e Manastirit, deri tek ata që u bënë fuqia mbi të cilën pastaj u ndërtua edhe dokumenti historik për shqiptarët e këtij shteti, “Marrëveshja e Ohrit” dhe më pas për të gjithë të tjerët, deri tek mësuesi më i fundit i gjuhës shqipe diku në një pikë të botës, që krahas punës që bën për të mbajtur familjen, shkon edhe në një dhomë të kthyer në klasë për të mësuar shqip fëmijët e diasporës shqiptare. Dhe në mënyrë të posaçme, dua të kujtoj këtu me nderim të madh një shqiptar që ia kushtoi jetën e tij çështjes shqiptare në përgjithësi dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në veçanti dhe i cili është ndër ata që e lëvruan më së miri gjuhën shqipe dhe e vunë gjuhën shqipe në dispozicion të një kauze shumë të posaçme, Arbën Xhaferin. E ndërkohë që natyrshëm ne kremtojmë ditën e Alfabetit, një ditë feste zyrtare edhe në Republikën e Shqipërisë, nuk duhet nga ana tjetër të harrojmë se çfarë është shqipja: Një kopësht i madh, mbase kopshti më i madh që së bashku ne shqiptarët kemi. Një kopësht xhevahiresh që duhet punuar, që duhet kultivuar dhe duhet pastruar për t'u pasuruar dhe për t'u trashëguar në një kohë kur gjuha shqipe është në një tjetër lloj kërcënimi nga kërcënimet që ka përballuar më parë. Është nën kërcënimin e kohës së re të teknologjisë digjitale. Është në kërcënimin e kohës së re kur më të rinjtë mësohen të shkruajnë me shkurtime, ‘’Flm, Tksh, Tkxh, ’’ e kështu me radhë dhe harrojnë se fjalët në atë mënyrë fillojnë edhe dobësohen, fillojnë edhe treten dhe gjuha e shkruar fillon edhe tkurret, fillojnë edhe zhduken shenjat e pikësimit për të cilat është bërë përpjekje e madhe. Fillojnë edhe zhduken pikat mbi ë, e pikat mbi i; zhduken bishtat e ç-ve dhe pak nga pak, fjalori kthehet në një territor të kufizuar ku me 2-300 fjalë ndërtohet komunikimi mes njerëzve dhe ku mungesa e më shumë fjalëve, i bën më të vështira kalimet e urave të dëgjimit edhe të mirëkuptimit, e kështu me radhë. Prandaj është një mision më vete ky, ndërkohë që, jo vetëm teknologjia, por edhe dominimi gjithmonë e më i madh i anglishtes e bëjnë jo më të lehtë, e bëjnë më të vështirë mbijetesën e gjuhëve të tjera. Por, ne shqiptarët duhet të jemi të vetëdijshëm se pa gjuhën, ne thjesht nuk jemi dhe këtë vetëdije duhet ta kultivojmë që të gjithë, sipas mundësisë dhe pozicioneve tona, sepse tjetër është marrëdhënia me shqipen në Tiranë, tjetër është në Prishtinë, tjetër është në Tetovë, tjetër është në Tuz, tjetër është në Neë York apo në Zyrih, por shqipja nuk është tjetër. Shqipja është një. Dhe për të ardhur deri tek shqipja e njësuar, - të cilën ne të gjithë mësojmë përmes fillimisht abetares, - është dashur një histori shumë e gjatë përpjekjesh dhe për ta mbrojtur dhe kultivuar shqipen e njësuar, do të duhet një përpjekje e gjithanshme e të gjithëve pa përjashtim, duke filluar nga vetëdijësimi i më të rinjve dhe duke vazhduar pastaj me këmbëngulje për mbrojtjen e shqipes nga zhdukja, në veshët, në sytë dhe në mendjen e më të vegjëlve fare. Duke folur në muzeun e Kongresit të Manastirit, unë thashë se është koha që, së bashku me qeverinë e Kosovës, por edhe me institucionet e tjera dhe me strukturat e tjera shoqërore që janë krijuar në funksion të gjuhës shqipe, janë me qindra, ndoshta mijëra organizma të vegjël apo pak më të mëdhenj, të krijuar në gjithë botën shqiptare jashtë kufijve të dy shteteve tona, të cilat i janë përkushtuar mësimit të Shqipes dhe me këtë masë njerëzish që e jetojnë shqipen si një mision të tyre në jetën e përditshme dhe patjetër me institucionet dhe me të dyja shtetet, ne duhet të angazhohemi për të ndërtuar një bibliotekë mbarëkombëtare të shqipes, një bibliotekë digjitale e cila t'i vihet në dispozicion të gjithëve, që nga mësimi i shqipes deri tek leximi i të gjithë veprave të çfarëdolloj zhanri që janë shkruar apo janë përkthyer ne shqip. Një bibliotekë ku të jetë e kyçur e gjithë pasuria e shqipes, e cila natyrisht do të kërkojë vitet e veta për t'u ndërtuar e për t'u plotësuar e pastaj do të kërkojë përkushtim për t'u pasuruar vit pas viti, por është koha që ne të fillojmë punën për këtë bibliotekë. Dhe patjetër që qeveria e Republikës së Shqipërisë do ta marrë përsipër të hedhë këtë hap. Besoj që do ketë gatishmëri të plotë dhe nga qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilën kemi hedhur tanimë themele që duken modeste, por që për t'i ndërtuar u desh të kalonte një kohë e gjatë derisa ne e morëm përsipër abetaren e përbashkët dhe tekstet e mësimit shqip në diasporë, por nuk mjaftojnë themelet, duhet ngrehina dhe në këtë aspekt teknologjia na jep një ndihmë shumë të madhe. Në ndërkohë nuk e di sa jeni të informuar, por Akademia Shqiptare e Shkencave po punon intensivisht për Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe, i cili do të jetë një referencë jashtëzakonisht e rëndësishme në rrugëtimin e shqipes, pasi do të mbledhë, duke praktikisht përditësuar gjithçka ka ndodhur me fjalët shqipe në të gjitha vitet pararendëse, si dhe nga ana tjetër, Fjalorin Enciklopedik, si dhe historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, jemi në kushtet kur së shpejti, pas një pune kolosale do të kemi këto vepra të domosdoshme për bibliotekën dhe historinë e gjuhës e të historisë së shqiptarëve. E në fund fare, do të doja të thosha se në ndërkohë që ne përpiqemi si Republikë e Shqipërisë, si Republikë e Maqedonisë së Veriut për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian apo edhe si Republikë e Kosovës është shumë e rëndësishme ta mbajmë gjithmonë parasysh se identiteti ynë me të cilin gjuha lidhet si mishi me thoin kur i thonë fjalës, nuk është një pengesë, por është një forcë unikale burimore për t'u bërë pjesë e një familje ku janë shtete të barabarta mes të ndryshmeve. Shtete që kanë histori dhe kultura të ndryshme, por që janë bashkë si pjesë e identitetit të përbashkët europian. Ju jam shumë falenderues për praninë, për mikpritjen edhe për duartrokitjet. Të marrësh duartrokitje sot nga më të rinjtë nuk është diçka që ndodh përditë për mua, ju e dini këtë sepse ka gjithmonë të rinj që duartrokasin dhe të rinj që nuk duartrokasin, të rinj që entuziazmohen dhe të rinj që hidhërohen. Gjithmonë ka të tillë, por sot është një kohë pak e veçantë, sepse ata që duan të duartrokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë. Ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin. Dhe për shkak të kësaj specifike të një kohe që është shumë kalimtare, sigurisht, trokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht. Kështu që shumë faleminderit! Ora 21:11 Rama takim me të rinjtë në Manastir: Ata që duan të duartrokasin, tremben nga ata që gjuajnë me gurë (VIDEO) Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Manastir, në Europe House, pati edhe një takim me të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë e përfaqësues të universiteteve.Në mbyllje të fjalimit të tij pasi foli për arsimin e identitetin kulturor, kreu i qeverisë mori duartrokitje nga salla. Teksa shprehu mirënjohje Rama dha dhe një koment në lidhje me vazhdën e protestave në Shqipëri.“Sot është një kohë pak e veçantë sepse ata që duan të trokasin tremben nga ata që gjuajnë me gurë, ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk të flasin, e për shkak të një kohe që është kalimtare sigurisht, duartrokitjet janë më të mirëpritura se zakonisht”, tha Rama. Share Xh.K/ReportTv.al edi rama dita e alfabetit Manastir Maqedoni e Veriut Komento Komente Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve? Dialogu 71% Protesta 23.3% Asnjëra 5.7% Vota total: 1679 Sondazhi i ditës: Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?
