Rusia paralajmëron për intensifikimin e sulmeve ndaj objektivave në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, ndërsa autoritetet ukrainase thonë se do të vijojnë goditjet ndaj rafinerive dhe infrastrukturës energjetike ruse. Përshkallëzimi vjen në prag të dimrit, teksa lufta po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt infrastrukturës kritike, urave, rrugëve dhe objekteve energjetike.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se forcat e saj do të shtojnë sulmet ndaj infrastrukturës ushtarake, industrisë së mbrojtjes dhe objekteve të lidhura me to në Kiev dhe rajone të tjera të Ukrainës.
Paralajmërimi i Moskës vjen pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se Ukraina do të vazhdojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, pavarësisht thirrjeve për ruajtjen e infrastrukturës energjetike.
Një nga zhvillimet më të fundit është goditja e Urës Veriore mbi lumin Dniepër në Kiev. Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko, sulmi shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e rrugës dhe në kabllot e trolejbusëve, duke sjellë ndërprerjen e përkohshme të trafikut.
Sulmi pasoi goditjet e njëpasnjëshme ndaj Urës Jugore, të cilat shkaktuan probleme të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve në kryeqytetin ukrainas.
Rëndësia e këtyre urave lidhet me faktin se lumi Dniepër e ndan Kievin në dy pjesë. Me afro tre milionë banorë, kryeqyteti varet nga këto arterie për transportin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Autoritetet ukrainase druhen se sulmet e përsëritura mund të krijojnë vështirësi të mëdha për funksionimin normal të qytetit, veçanërisht nëse goditjet prekin njëkohësisht disa pika të rëndësishme të transportit.
Sipas Reuters, agjencitë ukrainase të inteligjencës pretendojnë se kanë siguruar dokumente që tregojnë për një qasje të re ruse ndaj objektivave që do të goditen gjatë muajve të ardhshëm.
Zelensky ka deklaruar se Rusia synon një gamë më të gjerë objektivash, duke përfshirë infrastrukturën, logjistikën, rrugët, shkollat dhe spitalet, me synimin për të ushtruar presion mbi popullsinë dhe për të nxitur largimin e banorëve nga qytetet.
Shqetësimi kryesor i autoriteteve ukrainase është përsëritja e skenarëve të dimrave të mëparshëm, kur sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike, ngrohjes dhe furnizimit me ujë.
Kievi paralajmëron gjithashtu për përdorimin në rritje të dronëve më të shpejtë, të cilët mund të paraqesin sfidë shtesë për sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore.
Në kuadër të përshkallëzimit të paralajmërimeve, Moska u ka bërë thirrje shtetasve të huaj dhe pjesëtarëve të misioneve diplomatike që të largohen nga Kievi.
Rusia i ka përshkruar sulmet e saj si përgjigje ndaj goditjeve ukrainase në territorin dhe infrastrukturën ruse, ndërsa vazhdon të mohojë se synon qëllimisht civilët.
Nga ana tjetër, Ukraina akuzon Moskën se po përdor sulmet ndaj infrastrukturës për të dëmtuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe për të krijuar një krizë humanitare gjatë dimrit.
Në përgjigje të sulmeve ruse, Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj rafinerive të naftës, objekteve energjetike dhe infrastrukturës së lidhur me industrinë ruse të karburanteve.
Qëllimi i Kievit është të rrisë koston ekonomike të luftës për Moskën dhe të kufizojë kapacitetet që lidhen me furnizimin e forcave ruse. Top Channel

