Takimi i Ambasadorit Eric Wendt dhe senatorëve amerikan në SPAK / Dy herë në pesë ditë, ambasadori amerikan në SPAK. Këtë herë me dy senatorë nga Uashingtoni. Për krimin e organizuar dhe korrupsionin politik, stina e pandëshkueshmërisë mund të jetë drejt fundit. Dy vizita të ambasadorit amerikan në SPAK brenda pesë ditëve, e dyta në shoqërinë e senatorëve Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, janë një sinjal i qartë për vëmendjen e Uashingtonit ndaj drejtësisë shqiptare. Për politikën e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, stina e rehatisë mund të jetë drejt fundit. Në politikën shqiptare ka nisur të ndihet një ndryshim që nuk ka nevojë për deklarata të bujshme. Ambasadori i ri amerikan, Eric Wendt, ende nuk i ka mbushur dy javët e para të aktivitetit të tij në Tiranë dhe ka shkuar dy herë në Prokurorinë e Posaçme.
Herën e parë për të takuar drejtuesit e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Herën e dytë, në shoqërinë e dy senatorëve amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët kanë një histori të gjatë angazhimi në çështjet e demokracisë, korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Ballkan.
Dy vizita brenda pesë ditëve nuk janë një hollësi që mund ta kalosh me një njoftim protokollar. Sidomos kur vizita e dytë përfshin dy përfaqësues të Senatit amerikan dhe kur, sipas informacioneve të Pamfletit, SPAK-u ka qenë qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri.
Ka diçka që meriton vëmendje në këtë lëvizje diplomatike. Wendt vjen nga një karrierë e gjatë në strukturat ushtarake dhe të sigurisë amerikane. Ai nuk e njeh Shqipërinë vetëm përmes raporteve diplomatike dhe, gjatë dëgjesës në Senat, e vendosi luftën kundër krimit të organizuar ndër përparësitë e mandatit të tij.
Nga ana tjetër, Shaheen dhe Durbin i përkasin Partisë Demokratike amerikane, ndërsa ambasadori përfaqëson administratën republikane të Donald Trump. Megjithë dallimet politike në Uashington, të tre u gjendën në të njëjtën tryezë me drejtuesit e drejtësisë së posaçme shqiptare.
Ky është një fakt që politika shqiptare duhet ta lexojë me kujdes. Mbështetja amerikane për institucionet që hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk ka lindur me administratën aktuale dhe nuk duket se përfn me ndryshimin e administratave. Ajo ka një histori institucionale, një bazë ligjore dhe interesa të sigurisë që shkojnë përtej marrëdhënieve personale të politikanëve shqiptarë me njerëzit e pushtetit në Uashington.
Për vite me radhë, një pjesë e politikës shqiptare është përpjekur ta interpretojë çdo ndryshim në Shtëpinë e Bardhë si një mundësi për të ndryshuar edhe marrëdhënien me drejtësinë. Dikush ka pritur që administrata e re të ftohë mbështetjen për SPAK-un, dikush tjetër ka shpresuar se miqësitë politike do të vlejnë më shumë se dosjet penale. Këto pritshmëri kanë ushqyer një debat ku propaganda shpesh ka zënë vendin e fakteve.
Vizitat e këtyre ditëve nuk na tregojnë se çfarë është diskutuar pas dyerve të mbyllura. Nuk dimë nëse senatorët kanë kërkuar informacion për hetime konkrete, nëse kanë diskutuar bashkëpunimin me agjencitë amerikane apo nëse kanë shqyrtuar problemet me të cilat përballen SPAK-u dhe BKH-ja. Megjithatë, prania e tyre tregon se institucioni vazhdon të zërë vend në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tiranës.
Kjo ndodh në një kohë kur hetimet e drejtësisë së posaçme kanë prekur nivele të larta të administratës dhe politikës, ndërsa çështjet e krimit të organizuar kanë nxjerrë në pah lidhje që kërkojnë hetim të mëtejshëm. Shqipëria po përballet me pasojat e një sistemi ku interesat private kanë kërkuar vazhdimisht të ndikojnë mbi vendimmarrjen publike, tenderat, koncesionet dhe institucionet e sigurisë.
Pikërisht këtu merr kuptim edhe togfjalëshi dimri i madh.
Për ata që e kanë ndërtuar pushtetin mbi pandëshkueshmërinë, rreziku nuk qëndron te vizita e një ambasadori apo e dy senatorëve. Qëndron te mundësia që drejtësia shqiptare të vazhdojë punën pa u penguar nga ndërhyrjet politike dhe që bashkëpunimi ndërkombëtar t'u heqë rrjeteve kriminale hapësirat ku kanë kërkuar mbrojtje.
Krimi i organizuar ka përfituar prej kohësh nga kufijtë mes shteteve, nga dobësitë e institucioneve dhe nga lidhjet me zyrtarë që kontrollojnë vendime e burime publike. Kur institucionet e hetimit shkëmbejnë informacion, ndjekin paratë dhe bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë, këto avantazhe fillojnë të tkurren. Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë nuk mund të ndahet nga lufta kundër krimit të organizuar.
Asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë prokurorin shqiptar. Asnjë senator amerikan nuk mund të vendosë se kush duhet të hetohet, të arrestohet apo të dënohet. Këto përgjegjësi i kanë institucionet shqiptare dhe gjykatat që shqyrtojnë provat. Ndihma ndërkombëtare ka vlerë pikërisht kur forcon pavarësinë e tyre, jo kur krijon përshtypjen se vendimet merren jashtë vendit.
Për këtë arsye, vizitat në SPAK kanë rëndësi përtej fotografive dhe takimeve zyrtare. Ato tregojnë se Uashingtoni vazhdon të investojë vëmendje politike dhe institucionale në një strukturë që ka marrë përsipër të hetojë pjesën më të vështirë të kriminalitetit shqiptar, atë që ndërthuret me pushtetin.
Dimri i madh nuk është një parashikim për arrestime të bujshme dhe as një listë politikanësh që mund të përfjnë përpara drejtësisë. Është prognozë e një periudhe kur korrupsioni dhe krimi i organizuar përballen me një presion që nuk e kontrollojnë dot vetëm përmes marrëveshjeve politike, propagandës apo ndikimit mbi administratën.
Nëse SPAK-u arrin ta shndërrojë këtë mbështetje në hetime të pavarura, prova të qëndrueshme dhe vendime që i rezistojnë kontrollit gjyqësor, atëherë dimri mund të jetë vërtet i gjatë për ata që kanë jetuar nën mbrojtjen e pushtetit.
Sepse për krimin dhe korrupsionin, dimri i madh fillon atëherë kur pushteti nuk arrin më t'i mbrojë./Pamfletidimri i madh Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Kartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane 9 Tetor 2026, 13:4813:48Editorial Trump, ëndrra e madhe dhe Amerika e vogël 9 Tetor 2026, 10:4710:47Editorial Rama sn, Berisha i mban kurorën 8 Tetor 2026, 19:0619:06Editorial Pse janë rebeluar të rinjtë në Francë? 8 Tetor 2026, 14:5514:55Editorial Pakti i fshehtë amerikan që zgjidhi krizën në Kosovë 7 Tetor 2026, 13:3713:37Editorial Shqipëria mes Mossad-it dhe MIT-it, loja e rrezikshme e Edi Ramës 6 Tetor 2026, 11:0711:07Editorial

